Sado të ketë re të zeza, qiellin dhe diellin e shqiptarëve nuk e mbulojnë dot!

11 Qershor 2024, 22:23 / IDE NGA ALBAN DACI

Sado të ketë re të zeza, qiellin dhe diellin e shqiptarëve
Retë e zeza kanë tentuar shpeshë t'a mbulojnë qiellin e shqiptarëve. Shpesh edhe ja kanë dalë, por nuk e kanë mbajtur gjatë, sepse dielli ka dalë përsëri e po ashtu edhe qielli blu ka qëndruar i qartë dhe frymëzues mbi kokat e shqiptarëve. 

Turmat, pavarësisht përmasave, shpesh nuk e kuptojnë kur qielli bëhet i zymtë e shoqërohet me rrufe paralajmëruese për rreshjet që janë në horizont! Një gjë është e sigurt se pas çdo kohë të keqe edhe kur është shumë e keqe, dielli për milion vite jete ka lindur duke na surprizuar me forcën dhe rrezet e tij ngrohëse!

Situata aktuale e qiellit në Shqipëri është në pragun e një stuhie, retë e zeza kanë filluar t'a gllabërojne e ta mbulojnë diellin! Rrugët duket sikur janë gati të nisin dancen për të paralajmëruar se çfarë po ndodh sot e çfare na pret nesër. Turmat jo me madhësi të madhe duket sikur po festojnë për kohën e keqe që na pret e ndërsa turmat e tjera shumë më të mëdha duket sikur janë totalisht indiferent për atë që po ndodh e duhet të ndodhë!

Shqiptarët ashtu si çdo popull kanë nevojë me shumë se kur për individë, intelektualë apo politikanë që t'i paralajmërojnë për atë që i pret dhe pse jo t'i udhëheqë drejt shpresës për të pasur përsëri diell dhe qiell blu mbi kokat e tyre.

Nëse mendojnë se kjo situatë në prag tsunamesh apo breshëri është ajo që meritojnë ose duhet të kenë e kanë shumë gabim.

Situata në vend nuk është aspak ajo që duhet të jetë. Përkundrazi duket e zymtë e errët e thuajse pa shpresë, por kjo e fundit lind gjithmonë nga hiri i zi i të keqës e dëshpërimit! Që të lind një shpresë e re është kusht që të vdes ajo që e ka kryer misionin dhe e ka mbyllur ciklin.

Shqiptarët meritojnë me shumë e duhet të kërkojnë më shumë duke tejkaluar veten.
Ata do të mund t'a bëjnë këtë vetëm duke e konsideruar lirinë e tyre si shumatore të lirive kolektive.

Ata do e fitojnë shpresën e tyre nëse e trajtojnë atë si një ndjesi, sentiment apo si një gëzim të përbashkët.

Shqipëria, ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz që shikojnë përtej vetes, përtej fobive, pasioneve apo nostalgjive të jetuara në të tashmen e të përjetuar ndoshta edhe keq në të kaluarën!

Shqipëria, ka nevojë për shpresë, meriton të ketë shpresë dhe kjo bëhet vetëm duke menduar e duke vepruar si të lirë ndaj të kaluarës dhe si të guximshëm për të ardhmen!

Ndoshta, sot ka edhe nga ata që gëzojnë se e kaluara u rikthye përsëri në të tashmen, por shpejt do të kuptojnë se ajo nuk mund e nuk duhet jetë më modeli i të ardhmes.
E ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë përtej pasioneve, nostalgjive apo bindjeve të forcuar të kaluarës, por duhet të ndërtohet mbi guximin dhe shpresën e të tashmes.

E pranojmë apo jo, një gjë është e sigurt, se modelet e të djeshmes të zgjedhura prej pasioneve dhe të diktuar në të tashmen mbi forcën e së keqës, nuk mund të jenë si garanci e të ardhmes që duhet të kemi ne e më së shumti fëmijët e nipërit e mbesat tona.

Shqipëria që është sot nuk mund e nuk duhet të jetë Shqiperia e së nesërmes. Dikush duhet t'a thotë këtë dhe të impenjohet edhe mbi sakrificat personale për t'a penguar që procesi regres të mos jetë arsye për të qenë model i të ardhmes!

Liria është forca më e madhe që duhet të kenë shqiptarët, si brenda vetes me veten, por edhe në raport me të tjerët në ndërtimin e të ardhmes të përbashkët!

Liria duhet të jetë motivi për të luftuar të tashmen e për të mbrojtur të ardhmen! Nëse na marrin lirinë apo nëse na e cënojnë atë, na kanë rrëmbyer të tashmen e po na sfidojnë për të na penguar të ardhmen.

Shqiptarët janë një popull që përmes reflektimit dhe aksioneve kanë reaguar e kanë reflektuar për të shpëtuar veten si individë e për të mbrojtur të ardhmen e përbashkët si komunitet apo si Komb! Gjithmonë ka pasur tentativa për ta mbuluar me re të zeza qiellin, por edhe atëherë kur shpresa ishte thuajse shuajtur dielli ka lindur përsëri dhe qielli blu ka qëndruar mbi kokat e tyre si garanci për vazhdimësinë, demokracinë, lirinë dhe të ardhmen!