Saliu dhe Monika s’mund të hetojnë sa e korruptuar është Amerika!

3 Shkurt 2023, 11:32 / IDE NGA KRESHNIK SPAHIU

Saliu dhe Monika s’mund të hetojnë sa e korruptuar

Erdhi dita që Saliu dhe Monika, kërkojnë komision që të hetohet Amerika.

Dje në të njëjtën orë kur opozita serbe në Beograd pushtoi sallën e parlamentin, në mënyrë të sinkronizuar opozita shqiptare bllokoi Kuvendin në Tiranë.

Ndryshe nga Beogradi që në agjendë kishte Kosovën, Tirana ashtu siç ka ndodhur 30 vjet kishte një agjendë për ta shkëputur vëmendjen nga Kosova e cila sot ka në pikëpyetje dhe udhëkryq sovranitetin e saj, nëpërmjet një autonomie të 10 komunave asociuara serbe.

Opozita në Tiranë kërkon Komision hetimor për çështjen e ish-shefit FBI McGonigal dhe marrëdhënieve të tij me Edi Ramën.

Ishte dje e njëjta opozitë e cila ka 2 vjet që akuzon Amerikën të korruptuar nga SOROS për çështjen e shpalljes Non-Grata të Sali Berishës.

Prej kohësh rrjetet sociale janë pushtuar nga komentet dhe blogjet e demokratëve se Amerika është e korruptuar, se ambasadorët e saj janë të krimbur me ryshfete.

Papritur një dosje penale për ish-shefin e FBI e pranuar nga Gjykata e rrethit të Washington-it do përdorej hapur dhe dukshëm si kauzë e opozitës se Edi Rama ka blerë Amerikën.

Pyetja shtrohet: Arrestimi i shefit FBI si i korruptuar, është tregues që Amerika është e korruptuar apo e lufton fort korrupsionin?

Pa dyshim që është e dyta.

Arrestimet tregojnë që Amerika është simbol i luftës kundër korrupsionit.

- Dje FBI kontrolloi shtëpinë e presidentit Amerikan Joe Biden.

- Nesër FBI ka në procedurë kontrollin e banesës së ish-zv/presidentit Michael Pence.

- Një javë më parë hetuan ish presidentin Donald Trump.

Amerika nuk kursen askënd sepse sistemi i drejtësisë funksionon me një standard: “Të gjithë të barabartë përpara ligjit”, ndryshe nga Shqipëria ku Sali Berisha ka 10 dosje penale si i dyshuar dhe prokuroria nuk ka guxuar asnjë herë që ta thërrasë si dëshmitarë dhe jo më ta arrestoj apo kontrolloj banesën.

Amerika është një dhe ska dy Amerika sipas optikës së Partisë Demokratike.

Kur akuzohet Berisha, atëherë ajo qenka e korruptuar.

Kur akuzohet Rama, atëherë ajo qenka e ndershme.

Komisionet qesharake shqiptare nuk mund të ngrihen mbi drejtësinë Amerikane.

Çdo kërkesë që parlamenti shqiptar të ngrejë një Komision hetimor për të hetuar për shefin e FBI është qëndrim se ka dy Amerika.

Jo nëse besoni tek Amerika, atëherë mos mbani dy standarde. Largoni nga politika çdo person të akuzuar nga Amerika.

Hapni Komision për Ramën, Metën, Berishën dhe Bashën por jo Komision mbi Amerikën.

Kini durim dhe besoni që Gjykata amerikane do përcaktoj fajsinë apo pafajësinë e kryeministrit shqiptar. Gjykata amerikane është më e pavarur, më profesionale dhe më e paanshme se komisionet fshatareske të parlamentit të dështuar shqiptar.

Kauza anti-amerikane se Amerika është e korruptuar nuk e pastrojnë dot llumin ku janë zhytur udhëheqësit shqiptar.

Saliu dhe Monika s’mund të gjykojnë sa e korruptuar është Amerika.

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128