Të mos jesh me Berishën nuk do të thotë automatikisht se je me Ramën

Kjo është dilema e rreme që i është servirur publikut prej vitesh: ose me njërin, ose me tjetrin. Ose me të shkuarën që s’pranon të ikë, ose me të tashmen që s’pranon të lëvizë.
Unë kam plot arsye për të qenë kundër Edi Rama.
I kam thënë dhe i them: koha e tij ka mbaruar. Pas kaq vitesh në pushtet, ai nuk përfaqëson më shpresë, por konsum. Nuk është më alternativë, por establishment. Nuk është më zgjidhje, por pjesë e problemit. Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që mbijeton nga dobësia e kundërshtarit, por për një alternativë që lind nga forca e ideve.
Por ja paradoksi: sa herë që në skenë del Sali Berisha me gjithë berishianët e tij, bëhet e qartë pse Rama vazhdon të fitojë. Sepse Rama nuk fiton nga madhështia e vet; ai fiton nga frika e rikthimit. Fiton nga kujtesa e gjatë e shqiptarëve. Fiton nga fakti që shumë qytetarë, edhe kur janë të lodhur prej tij, nuk duan të kthehen mbrapa.
Berisha nuk është më alternativë. Ai është kujtesë. Dhe jo një kujtesë neutrale, por një kujtesë përçarëse, konfliktuale, e ngarkuar me kriza të pazgjidhura. Çdo dalje e tij publike është një rikujtim për votuesin gri pse zgjedh “të keqen e njohur” në vend të “të keqes së rikthyer”.
Prandaj e vërteta e hidhur për demokratët është kjo: para se të rrëzojnë Ramën, duhet të rrëzojnë Berishën. Jo si akt hakmarrjeje, por si akt mbijetese politike. Një parti që nuk çlirohet nga hija e liderit të përjetshëm nuk mund të prodhojë kurrë lidership të ri. Dhe pa lidership të ri, nuk ka rotacion. Ka vetëm riciklim.
Rama qëndron në pushtet sepse përballë ka një figurë që mobilizon kundërshtinë po aq sa mobilizon mbështetësit. Ai ushqehet nga polarizimi. Sa herë që debati zbret në nivelin Rama–Berisha, Shqipëria mbetet peng i një dueli që duhej të kishte përfunduar kohë më parë.
Nëse demokratët duan vërtet pushtetin, duhet të kuptojnë se beteja e parë është e brendshme. Duhet të fitojnë mbi nostalgjinë, mbi kultin e individit, mbi idenë se partia është pronë personale. Vetëm atëherë mund të kërkojnë besimin e shumicës.
Sepse sot, për shumë shqiptarë, zgjedhja nuk është mes Ramës dhe Berishës. Është mes stagnimit dhe frikës nga rikthimi. Dhe për sa kohë alternativa e dytë ka fytyrën e vjetër, e para mbetet më pak e rrezikshme.
Të mos jesh me Berishën nuk do të thotë se je me Ramën. Do të thotë se je me idenë se Shqipëria meriton më shumë se ky duel i lodhur. Por për ta arritur këtë, dikush duhet të ketë guximin të thotë: mjaft me të dy.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128