Vëllezërit në Shqipëri janë fantastikë

25 Tetor 2024, 14:41 / IDE NGA BERAT BUZHALA

Vëllezërit në Shqipëri janë fantastikë

Vëllezërit në Shqipëri janë fantastikë.

Që 30 vjet kanë bërtitur "hajnat në burg, hajnat në burg", por kur prokuroria filloi t’ua plotësojë dëshirat, prapë nuk janë të kënaqur.

Gjysma po kërkojnë t'i fusin në burg Metën dhe Berishën, gjysma Edi Ramën dhe Erion Veliajn.

Altin Dumani, nga ana tjetër, thotë: "Avash djem, se në burg do të ketë vend për të gjithë, por mos kërkoni që ditën e parë të zgjidhen problemet historike të Shqipërisë."

Kur kam qenë njëherë në emisionin e Grida Dumës, pata thënë, dhe po e përsëris: SPAK në Shqipëri është si Tribunali Special i Kosovës. Është një organizatë e krijuar dhe e kontrolluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kushdo që mendon se SHBA ka investuar qindra miliona euro në drejtësinë e Shqipërisë, që pastaj ajo drejtësi t’i jepet dhuratë Edi Ramës për të luftuar kundërshtarët e tij politikë, është naiv.

Nëse duhet të arrestohet Edi Rama, atëherë koha më e mirë për ta arrestuar do të ishte kur opozita nuk kontrollohet nga një udhëheqës që është në listën e zezë të SHBA-ve dhe i dyshuar për korrupsion.

Sa për krahasim: Hashim Thaçi është arrestuar atëherë kur aleatët e Kosovës u siguruan që në Kosovë nuk do të ketë boshllëk politik. Prokuroria kudo në botë bën edhe kalkulime politike. Ajo që nuk bën politikë është gjykata.

Opozita në Shqipëri është një xhungël e vërtetë. Është një kaos, pa bisht dhe pa kokë. Meqë vetë janë ashtu, kërkesa e tyre është që e gjithë Shqipëria të shndërrohet në xhungël.

Përvoja ime jetësore, si vëzhgues deri diku i vëmendshëm i zhvillimeve politike, më mëson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rajonin tonë, kurrë asnjë lideri nuk i kanë dhënë imunitet bllanko.

Për shkak të rrethanave politike dhe të sigurisë, kanë bërë kalkulime ditore, por kurrë nuk i kanë investuar milionat e tyre për t’i siguruar pushtetin Hashim Thaçit, Gjukanoviqit, Gruevskit, Edi Ramës ose kujtdo tjetër.

Mos e gënjeni publikun, Altin Dumani nuk është vegël e Edi Ramës.