101 vite nga lindja e shkrimtarit At Zef Pllumi

Përkujtojmë sot intelektualin, fratin françeskan, teologun, shkrimtarin dhe filozofin, At Zef Pllumi.
At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit, në Shëngjin të Lezhës. Ai studioi në disa fusha, si teologji, letërsi dhe filozofi, dhe përvetësoi mjaft mirë gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht dhe greqishten e vjetër.
Më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe u dënua me tre vjet burg, në moshën 22 vjeç. Nga viti 1949 deri në vitin 1951, merret me numizmatikë në Muzeun e Shkodrës. Më vonë, ai do të shërbejë si meshtar i Dukagjinit për rreth 12 vjet. Në vitin 1967, arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Ballsh, Skrofotinë të Vlorës, Zejmen-Shën Koll, Shën Vasil dhe Tiranë.
Në vitin 1990, u kthye në Tiranë si klerik dhe, përveç aktiviteteve të tij, ai përpiqet të kontribuojë në lëmin e kulturës dhe edukimit shqiptar, aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve të komunizmit.
Nga viti 1993 deri në vitin 1997, rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”.
Ai shkroi dhe botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijërisë”, dhe “Frati i pashallarëve Bushatlli”.
Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë ishte ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi gjatë regjimit komunist, si dhe përpjekjet për gjetjen e eshtrave të At Gjergj Fishtës.
Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
Po në atë vit, ai mori çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”, të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.
Vdiq më 25 shtator 2007 në Romë, Itali, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.
Shënim: Data e lindjes i mbeti 7 prill, si pasojë e një rivendosjeje nga Gjykata Civile, pasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që figurohej në regjistrat shkollorë, as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër). Ka dokumente ku figuron datëlindja në muajin gusht.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

