22 nëntori, festë zyrtare e Alfabetit/ Fakte dhe historia sesi erdhëm tek alfabeti i sotëm

22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë festë zyrtare e Shqipërisë, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Në Kongresin e Manastirit 22 nëntori është shënuar Dita e Alfabetit Shqip, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.
Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.
Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe.
Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.
"Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe" është ngjarja më e shënuar kombëtare në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. "Njësimi i alfabetit, shkruante Mithat Frashëri, është pema e parë e Kongresit. Por ka edhe një pemë tjatër, akoma më të madhe dhe më të bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve.
Alfabeti shqip është një version i alfabetit latin i përdorur për të shkruar gjuhën shqipe. Ai përbëhet nga 36 shkronja në total, nga të cilat 7 janë zanore dhe 29 janë bashkëtingëllore.
Gjuha Shqipe së bashku me dialektet e saj gegërishtja, toskërishtja janë ndër veçoritë më dalluese të Kombit Shqiptar. Historia e formimit të alfabetit tonë Kombëtar është një histori e gjatë dhe shumë e ndërlikuar.
Gjuha Shqipe
Dokumentin e parë të Gjuhës Shqipe, e gjejmë të shkruar me gërmat latine në vitin 1462. Në këtë alfabet ka qënë shkruar e ashtuquajtura "Formulë e Pagëzimit". Mendohet se ky dorëshkrim shqip, me shkronja latine, është lënë prej dorës së Pal Ëngjëllit bashkëpuntor i Skënderbeut, dhe kryepeshkop i Ilirisë.
Bëhet fjalë për një pjesë të Testamentit të ri. Sipas studiuesve (Stavri Skëndo) ky shkrim është i shkruar në dialektin gegërisht.
Burimi i dytë ku përdoret alfabeti latin në shkrimin e gjuhës shqipe është i vitit 1496 apo 1497. Ai ka qënë një fjalorth, në të cilin udhëtari Arnold von Harff, gjatë kalimit nëpër disa qytete bregdetare shqiptare, shënon numërorët themelorë nga njëshi deri në njëmijë; tetë fraza të ndryshme, si dhe njëzetegjashtë fjalë.
Me "Mesharin" (1555) e Gjon Buzukut shpaloset një fazë e re dhe më e gjerë e alfabetit shqip. Buzuku, edhe pse përdori shkronjat e alfabetit latin, krijoi, përshtati apo huazoi edhe disa shënja a shkronja të një lloji tjetër, sepse shqipja ka më shumë tinguj e zëra se latinishtja.
Megjithatë ky Alfabet nuk ndeshet më sepse në veprat e Pjetër Budit gjejmë një alfabet të ndryshëm nga ai i Buzukut,sadoqë edhe ky ishte mbështetur në germat Latine.
Këtë alfabet e përdori edhe Bogdani në veprën e tij "Çeta e Profetëve". Ky alfabet u ruajt deri në fillimin e shekullit të 20-të dhe u "pagëzua" me emrin "Abc-ja e Shkrimtarëve të Lashtë të Veriut".
Naum Veqilharxhi në veprën e tij "Libër Këndimi" më 1845 Ai përdori një tjetër alfabet, "Ëvetarin" ky alfabet nuk u përdor nga ndonjë tjetër dhe mbeti vetëm në zonën e Korçës.
Kostandin Kristoforidhi në veprat e tij përdori dy alfabete në përkthimet e tij të Ungjillit.
Në përkthimet që bëri në dialektin Geg ai përdori gërmat Latine ndërsa në dialektin Tosk përdori gërmat Greke.
Marko Boçari në vitin 1809 shkroi fjalorin Greqisht -Shqip për konsullin Francez Pouqueville. Ky fjalor u shkrua me gërma Greke dhe u botua në vitin 1882 nga Anastas Kullurioti.
Ajo që i bashkoi Shqiparët për të krijuar një Alfabet Shqiptar që të përdorej në të gjithë Shqipërinë pa dallime fetaro-krahinore ishte Lidhja e Prizrenit në vitin 1878. Lidhja hartoi një program për autonomi administrative duke i dhënë rëndësi mësimit të Shqipes në shkolla si e vetmja rrugë që do të çonte në krijimin e një alfabeti të përbashkët mbarë Shqiptar.
Lidhja e Prizrenit (1878)
Në Stamboll,Vëllezërit Frashëri formojnë "Shoqërinë për botime Shqipe" 1879. Kjo shoqëri krijoi një Alfabet të mbështetur në shkronjat Latine dhe në disa Greke si (f) dhe (dh). Ky alfabet ndoqi parimin "një shkronjë, një tingull" dhe pati një themel gjuhësor të shëndoshë.
Kongresi i Manastirit (1908)
Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe u mbajt në Manastir më nëntor 1908. Ai kurorëzoi përpjekjet e shumë brezave atdhetarësh dhe njerëzve të penës. Thirrja e kongresit u prit me gëzim nga të gjithë, siç dëshmon Mihal Grameno në një reportazh të gjatë për këtë ngjarje historike: "Ah! Me sa gëzim dhe me sa padurim prisnim ditën e Kongresit të parë kombëtar, gëzimi dhe padurimi ishte në delegatët".
Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh me vota të fshehta atdhetari i madh, Mit‘hat Frashëri, dhe si nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qirjazi. Mit‘hati atëherë ishte 28 vjeç dhe nuk kishte ardhur ende nga Selaniku kur u zgjodh në mungesë kryetar; u zgjodhën edhe tre shkrues: Hilë Mosi, Nyzet Vrioni e Thoma Avrami.
Ditën e tretë të punimeve të kongresit i cili vazhdoi deri më 22 nëntor, u zgjodh komisioni i alfabetit. Kryetar i Komisionit të Alfabetit u zgjodh poeti i shquar Gjergj Fishta; ndërsa anëtarë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Bajo Topulli etj.
Komisioni i Alfabetit u nda në 4 grupe dhe gjatë 3 ditëve rresht punuan veçmas, në mënyrë të pavarur. Grupet patën diskutime të ashpra për zgjedhjen e alfabetit të përbashkët. Debatet zgjatën aq sa u rrezikua edhe kompromisi. Por, me këmbënguljen e Mjedës, u arrit kompromisi historik.
Komisioni Alfabetit
1. Gjergj Fishta 2. Midhat Frashëri 3. Luigj Gurakuqi 4. Gjergj Qiriazi 5. Dom Ndre Mjeda 6. Grigor Cilka 7. Dhimitër Buda 8. Shahin Kolonja 9. Sotir Peçi 10. Bajo Topulli 11. Nyz'het Vrioni Foto nga Kel Marubi./Alfapress.al
Po ndodh...
ide
Rilindja është Kapitalizmi i Katastrofës
Pse tifozeria e Kosovës ishte aq e vdekur dhe mungonin simbolet kuqezi?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128