Ekspozita "Rijetësim" e piktorit Gëzim Llalla, një festë e artit!

15 Mars 2023, 23:38 / JETË ALFA PRESS

Ekspozita "Rijetësim" e piktorit Gëzim Llalla, një

Përurimi i ekspozitës së piktorit Gëzim Llalla në qytetin e Elbasanit, në prag të festës tradicionale të Ditës së Verës, ku u ruajt dhe u mbrunjt më mirë se kudo tjetër kjo festë treguese e kulturës së lashtë shqiptare është një shfaqje e bukur që i shtohet gëzimit të qytetit.

Ashtu si festa edhe mozaiku vjen nga një traditë tejet e lashtë dhe gjurmë të tij, si kudo në trevat shqiptare, gjenden edhe në Elbasan. Punimi i tij kërkon mjeshtëri të lartë konceptuale dhe realizuese, njohuri të mira të materialeve që përdor, por mbi të gjithë kërkon punë e pasion.

Të gjitha këto cilësi i gjejmë të shpalosura nga artisti në punimet e ekspozuara. Ato të mbërthejnë për befasitë e gjetjeve si dhe për larminë koloristike. I çliruar nga kufizimet artistike të së kaluarës, Gëzimi ia del të krijoi mozaikë të kohës, me figuracion herë të fshehur e herë të dukshëm, ku ndizet imagjinata e shikuesit, sepse herë pas herë befas në sipërfaqe dalin e shfaqen objekte të tjerë, punuar nga dora e njeriut si ndonjë figurinë e lashtë, vazo dekorative, kalë në miniaturë, ndonjë sferë, mbetje të hershme në qeramikë, bile edhe një pistoletë e ndryshkur etj., të cilat ndërthuren e sikur lodrojnë me gurët plot ngjyra të mozaikut.

Artisti shtyhet edhe më tej dhe ndërmjet gurëve gjen hapësirë për të vendosur skena nga tabloja e famshme “Darka e fundit” e Laonardos, si dhe bën një homazh në nderim të poetit Ali Podrimja.
Për shkak të biografisë, rregjimi komunist, Gëzimit kërkoi t’ia mbyste ëndrrën për t’u bërë artist dhe do të vinte demokracia, ku ai ndonëse jo në moshën e duhur, do t’i futej me pasion Akademisë së Arteve dhe do të formëzonte ëndrrën e kahershme. Dhe ia doli mbanë me durim, punë e pasion të madh si një shembull domethënës, se sado ta ndalosh e ta pengosh vjen një ditë dhe ëndrra realizohet.

Gëzim Llala i ka hyrë teknikës së mozaikut që nga fëmijëria, kur së bashkë me vërsnikët e tij gërmonin në kodrën, rripa – rripa pranë shtëpisë, për të gjetur gëzhojat e fishekëve të pushkatarëve të moshuar tek bënin qitje me armë. Aty në duar ndjeu së pari format e gurëve dhe pa me sy larminë e madhe të tyre dhe filloi t’i dallonte njeri nga tjetri dhe të shikonte se si zbuloheshin format e ngjyrat dhe merrnin jetë shembëlltyra të ndryshme, që vetvetiu krijoheshin.

Në krijimin e sipërfaqeve të mozaikëve Gëzimi tregon kujdes në ndërtimin e tyre, kërkon ngjashmërinë me tokës, aty ku ato janë krijuar e qendruar në shekuj, ndaj sipërfaqet e tyre nuk janë të rrafshët dhe në një plan, por të nxjerrë në relieve të papritur për të dhënë idenë e luginave, brigjeve të lumenjve, thellësive të gërryerjeve të maleve, kodrave apo relievit të tokës, aty ku ata gurë kanë qendruar për mijra vjet deri sa syri i mjeshtrit i gjeti dhe dora e tij iu dha një vlerë të re, duke i vendosur në kavalete, tashmë si vepra arti.

Me një titull të goditur “Rijetësim”, autori jep semantikën domethënëse të ekspozitës. Duke u ekspozuar mozaikët dhe gurët e tjerë, si të thuash bëjnë edhe një rikthim të vlerave të fshehura të tokës, por këtë herë jo të fshehur në brendësi, por mbi sipërfaqen e saj dhe ballë për ballë me syrin e shikuesit.

Lëvizja e Nënës Natyrë në përjetësi me kapërcimin e stinëve është një shkrirje spektrale ngjyrash dhe formash të befasishme, ku çdo stinë shpërfaq me bukuri një larmi të caktuar ngjyrash, lulëzimi i bimësisë dhe gjallesave, kupa qiellore dhe nëntoka e sa e sa fenomeve në vëzhgimin e zgjuar të artistit i dha këtij të fundit dëshirën për t’i zotëruar dhe krijuar me to, duke e shtyrë të futej në rrugën e bukur të artit.

Në art pas veteve ’90 edhe në vendin tonë kanë ndryshuar shumë gjëra dhe artistët shqiptarë janë futur në rrjedhat krijuese bashkëkohore. Edhe Gëzimi është në kërkim të rrugëve të reja shprehëse, ndaj dhe nuk është ndalur vetëm në pikturë e mozaikë, por ëndrra e vjetër ato gjurmë, që gurët e tokës i kishin lenë në duar, e ngacmonte herë pas here dhe filloi të mbledhë gurë të ndryshëm me forma të veçanta dhe të krijojë vepra arti të njëmenda. Ndërsa ishim duke biseduar mbi gurët e veprat që përgatiste të ekspozonte, Gëzimi me të folurën e ngadaltë e zërin karakteristik do të thoshte, “krijimet i lidh me pasuritë e tokës, sepse ajo (toka) është muzeu më i madh. Sado të ndërtojmë muze, prap toka mbetet arshiva më e madhe e njerëzimit”.

Vërtet që pasuritë janë aty e çdokush mund të hedhë vështrimin e të mrekullohet me format e larmishme dhe ngjyrat e pafundme me të cilat shprehet natyra e botës sonë, me fushat, profilet e maleve, pafundësinë e qiellit e thellësinë e detit, por gjetjet e vogla siç janë gurët në forma e ngjyrimet e figurat e papritura të krijuara, por duhet një sy i vëmendshëm, i veçantë për të parë e për të gjetur e më pas për t’i kthyher në vepra arti. Ky është syri i artistit brenda të cilit përcillet akti i krijimit për të nxjerrë veprën e artit.

Gëzimi zotëron aftësitë profesionale, të plotësuar edhe me mendimi estetik. Me ndërtime të papritura dhe mbi të gjitha me gjetje të veçanta e të papërsëritshme, artisti na sjell shumëllojshmërinë e ngjyrave dhe formave, duke na përcjellë jo thjesht shijen për të bukurën, harmoninë e hijeshinë, por duke i ndezur edhe fantazinë për ta bërë shikuesin të hyjë në bashkëbisedim me veprën e ekspozuar.
Këto gurë që sot nga dora e mjeshtrit janë kthyer në vepra arti, artisti i ka mbledhur në udhëtimet e tij kudo nëpër Shqipëri në lumenj, por më shumë nëpër male, që nga Lumi i Shkumbinit, Lugina e Drinos në Gjirokastër, në Korçë e Devoll, Krujë, Uji i Ftohtë Tepelenë e kudo ku shkeli këmba e tij. Për çdo gur të ekspozuar ka një histori për të treguar. Ato janë kthyer edhe në personazhe e shembëlltyrë artistike të shprehje së pasionit të artistit, kërkimit artistik të tij dhe nxitjes që shkakton për të kuptuar se sa e bukur është edhe nëntoka, se mbitoka është më pranë e më e dukshme për të gjithë dhe prej saj mund të krijosh vepra arti.

Një ekspozitë arti është jo thjesht një shpërfaqje e aftësive të artistit, por edhe një gëzim për qytetin, duke sjellë festë për sytë e shikuese e për të na thënë se jeta është e bukur dhe ajo duhet jetuar me punë e ndershmëri, me krijimtari, që më pas kur të kthesh kokën të thuash, kam punuar e jetuar bukur! Dhe një artit si Gëzim Lllalla shton, edhe kam krijuar duke lenë një trashëgimi të bukur.
Ekspozita vjen edhe si një thirrje ekologjike, që tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, ta ruajmë të pastër për ta trashëguar me të gjithë vlerat e saj brezat e ardhshëm. Edhe vendi i ekspozitës është i gjetur, këtu jo shumë larg qendrës së qytetit, ku janë gjetjet e zbulimet arkeologjike si për të vërtetuar idenë se nëntoka fsheh e ruan thesare të madha.

Përveç punën krijuese artisti Gëzim Llalla ka dhënë një ndihmesë të vyer edhe në mësimdhënie, duke përgatitur breza të tërë dhe duke u dhënë gjithëçka nga shpirti i tij, e mbi të gjitha dashurinë për artin, krijimin dhe vlerat e vërteta të tij.

Por Gëzimi ka edhe shumë për të thënë e dëshmuar. Tashmë është në pjekurinë e plotë artistike ndaj dhe i urojmë krijimtari të mbarë dhe punime të bukura në rrugën e bukur të artit dhe le të shijoijmë punët e bukura të tij.!/ Agim Janina - Studiues arti

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128