“Shqipëria si kamp përqendrimi”, çfarë paralajmëronte CIA më 1976 për regjimin e Enver Hoxhës! Spastrimet në dosjen sekrete

3 Mars 2026, 19:43 / JETË PROF.DR. ELMAS LEC

“Shqipëria si kamp përqendrimi”, çfarë

Për shtypjen e shfrytëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, për despotizmin e tij të shtuar në Shqipëri në periudhën në fjalë, le të evidentojmë këtu më poshtë një analizë të CIA-s, e cila flet se “gjatë javëve të fundit (shkurt 1976) situata në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm, saqë diplomatët e Tiranës thonë se vendi i ngjan një kampi të madh përqendrimi. Spastrimet masive të muajve të fundit dhe ashpërsimi i propagandës shtetërore kanë shtuar në maksimum kontrollin ideologjik dhe ksenofobinë në vend.

Qytetarët e zakonshëm tashmë kanë frikë edhe të shkëmbejnë një përshëndetje me të huajt. Spastrimi i radhëve të partisë dhe administratës, thuhet se ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë dhe mes verës 1974 dhe pranverës 1975, janë larguar kuadrot kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, arsyet për të cilat nuk ka informacion dhe as shpjegim zyrtar nga Tirana. Më pas u shkarkuan dhe tre drejtuesit kryesorë ekonomikë, dy prej të cilëve kanë qenë anëtarë të vjetër të Byrosë Politike.

Tashmë duket qartë se të gjithë zyrtarët janë kapur nga vala e parë e spastrimeve kundër “burokracisë” së tepërt. Pjesën më të madhe të goditjes e pësuan stafi i ministrive, qeverisja lokale dhe institucione të tjera si mediat shtetërore. Një tjetër aspekt kritik i spastrimeve, është zbatimi i “rotacionit” si një mjet i rëndësishëm për shërimin e burokracisë, por sigurisht që efektimi i tyre kryesor është krijimi i sensit të përhershëm të mungesës së stabilitetit të burokracisë, për ta bërë sa më të vështirë lindjen e mundshme të çdo lloj opozicioni.

 Mungesa e besimit ndaj administratës, përçmimi ndaj çdo distancimi nga shoqëria njëklasore e joprofesionistëve në rotacion dhe doktrina mizore e vetëmjaftueshmërisë, janë të gjitha shumë të shtrenjta për Enver Hoxhën. Megjithëse shkarkimet tregojnë se në ushtri, ekonomi e kulturë ekziston disidenca, provat e forta sugjerojnë se të ardhurit duhet të jenë nga radhët e partisë dhe personalisht besnikë ndaj Enver Hoxhës.

Hapat e mëtejshëm në forcimin e kontrollit të brendshëm dhe i krijimit të atmosferës së rrezikut të pushtimit të huaj, duket se kanë si objektiv kryesor Moskën. Është e qartë se Tirana ka një frikë paranojake nga Bashkimi Sovjetik, e cila është rritur shumë pas vitit 1974, kur komunistët prosovjetikë u zbuluan në Jugosllavinë fqinje.

Tirana vazhdon të refuzojë ofertat sovjetike për riafrim, edhe pse është e sigurt se Moska ka vullnetin për të ofruar ndihmë ndaj Shqipërisë me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve. BRSS ka disa arsye për të dëshiruar rivendosjen e influencës së tij në Shqipëri, siç janë avantazhet strategjike të porteve të Adriatikut që i janë mohuar që prej vitit 1960, apo edhe pse e vogël goditja e kënaqësisë ndaj Pekinit, i cili ka shfrytëzuar armiqësinë e Tiranës me BRSS, për avantazhet e veta. Moska gjithashtu do të fitonte një tjetër pikë presioni ndaj Beogradit, të cilat mund t’i përdorë ndaj Jugosllavisë së epokës post-Tito. Është e paqartë sesa do të ndryshojnë politikat apo doktrina shqiptare në periudhën pas Enver Hoxhës. Indiferenca aktuale e Kinës ndaj problemeve shqiptare, ka përforcuar qëndrimin e tyre izolacionist”.16)

IMITIMI I REVOLUCIONIT KULTUROR, APLIKIM I STËRZGJATUR I USHTRIMIT TË DESPOTIZMIT

Pas ndihmave të mëdha kineze të viteve ’60-të, Enver Hoxha sikur e ndjeu veten “gjallë” dhe nisi atë që ai e ka quajtur reformim të jetës e të shoqërisë shqiptare, që në fakt nuk ishte e tillë. Këto, Enver Hoxha i bëri nën shembullin e Revolucionit të madh kulturor të Kinës dhe nën atë shembull vijoi në Shqipëri si ashpërsimin e luftës së klasave, ashtu edhe luftën kundër zakoneve prapanike dhe bestytnive fetare etj., dhe të gjitha, në kuadrin e aplikimit të despotizmit të shtuar të Enver Hoxhës.

Për këtë aspekt të jetës së tij, që në fakt është gjithçkaja e Enver Hoxhës, “është thënë e shkruar duke e analizuar atë kryesisht në marrëdhëniet me demokracinë dhe me të drejtat e njeriut. Kjo është e kuptueshme, e pashmangshme dhe e domosdoshme.

Enver Hoxha-konkludon historiani Pëllumb Xhufi,-i përkiste, qysh në nisje, një bote dhe një ideologjie që e shkelte individin, liritë dhe të drejtat e tij, në emër të rendjes pas një projekti utopik që do t’u sillte të gjithëve, njëherësh e njëlloj, mirëqenien e lumturinë e kërkuar. Kundërshtarët e tij politikë, nga bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e deri te përfaqësuesit e “klasave të përmbysura”, u dënuan me një ashpërsi që nuk e pati shoqen as në Rusinë e Stalinit.

Në mënyrë të veçantë, histeria represive e shpërthyer pas vitit 1970, kur pas “kërleshjes” me SHBA dhe BRSS, regjimi bëhej gati t’i hidhte dorashkën edhe Kinës dhe për rrjedhim kishte nevojë më shumë se kurrë për një “paqe të brendshme”, nuk mund të shpjegohen veçse me një degradim politik dhe intelektual të regjimit dhe të vetë Enver Hoxhës”.15) Enver Hoxha, nga viti 1962 deri në vitin 1972, pra një dhjetëvjeçar të tërë, mori herë pas here e në vazhdimësi ndihma dhe kredi të shumta nga Kina dhe me to, për të konsoliduar pushtetin shtoi mbi shqiptarët despotizmin në të gjitha drejtimet. Ishin ndihmat dhe kreditë që i dhanë atij dorë të lirë, të shtonte shtypjen e shfrytëzimin dhe të shtonte represionin e dhunën, që nisnin që me dacibaot (flet rrufetë) e vitit 1967 dhe vazhduan deri me shtimet e arrestimeve e të dënimeve.

Shtimi i këtyre, domosdo që shtoi edhe kërkesat për shtimin e institucioneve të dënimit, të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit e të internimeve. Në se deri në vitin 1962, kishim në Shqipëri vetëm burgje e kampe përqendrimi, pas këtij viti ndryshoi nga regjimi edhe strategjia e dënimit. U shtuan dënimet me internime, jo se u shkurtuan apo mbyllën burgjet, përkundrazi burgjet e kampet e përqendrimit u shtuan me të tjerë si me burgun e tmerrshëm të Spaçit i ndërtuar në vitin 1968 dhe me 14 të tjerë të ngritur në Tiranë, Peshkopi, Burrel, Durrës, Berat, Vlorë, Elbasan, Kavajë, Kukës e Gjirokastër. Por ajo që ndryshoi ishin dënimet me internime, ku qendra të tilla u konsideruan të gjitha fshatrat më të vështira të Shqipërisë. Kjo formë u “shpik” për arsye se me gjithë shtesat e burgjeve e të kampeve të përqendrimit, ato nuk mund t’i nxinin më të dënuarit, ndaj një pjesë e seleksionuar të të dënuarve i internonin, formë që mori përmasa të mëdha në Shqipëri pas viteve 1962 e veçanërisht pas viteve 1970.

KUR I DUHESHIN FAJTORË PËR DËSHTIMET, ENVER HOXHA NXIRRTE NGA GJIRI I TIJ NJË ARMIK

Sa herë që regjimit i duheshin fajtorë për dështimet e politikës së tij ekonomike, apo për të mbytur çdo shenjë të disidencës në vend, Enver Hoxha ndërmerrte vala arrestimesh e dënimesh. As tetë burgje ekzistuese në Shqipëri nuk i përballonin më arrestimet e reja, veçanërisht ato me akuzën e agjitacion propagandës, që kanalizoheshin kryesisht si të burgosur politikë, të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”. Kishte edhe shtatë të tjerë burgje për të burgosurit që përcaktoheshin si “ordinerë”, ndërsa tre burgje ishin me të dënuar të përzierë.

Me kalimin e viteve, siç e thamë edhe më lart, veçanërisht pas viteve ‘60-të, me urdhrin direkt të Enver Hoxhës u hapën burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore të vendit, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë veçan dhe burgje të destinuara për të burgosurit ordinerë. Përveç burgjeve, vijoi edhe shumimi i kampeve të punës, të cilët ishin vende ku dënimi kryhej duke bërë punë të detyruar si ndërtime veprash publike, nxjerrje mineralesh apo bujqësi. Kampe të tilla, në shumicën e rasteve, kanë qenë të përkohshme (të ndërtuara me çadra apo baraka, të rrethuar nga tela me gjemba dhe ushtarë të armatosur), të cilët me kalimin e viteve, numri i kampeve të punës e tejkaloi atë të burgjeve.

Njerëzit që jetuan brenda kampeve të përqendrimit anë e kënd Shqipërisë, thuhet se bënë punimet publike më të mëdha në Shqipëri, pasi ishin të detyruar të punonin në këto vepra edhe për të siguruar jetesën. Nga viti 1946 deri 1950 kampet e punës në Shqipëri ishin 20, por në periudhën e viteve 1950-1985 u ndërtuan edhe 90 të tjerë. Në këto të ashtuquajtur kampe pune, jeta ishte shumë e ashpër, siç ishte me e ashpër edhe në burgjet komuniste, ku kryesisht ishin të dënuarit politikë dhe njerëzit që konsideroheshin nga regjimi të rrezikshëm.

Të burgosurit politikë, shpesh të akuzuar edhe mbi baza dëshmish të rreme ose mbi dëshmi të nxjerra përmes torturave nga Sigurimi, nëse nuk dënoheshin me vdekje, e kalonin jetën në ato burgje dhe shpesh vdisnin në to për shkak sëmundjesh, urie ose kushtesh të vështira jetese.

Kushtetuta e re shqiptare e regjimit komunist, e cila është quajtur edhe Kushtetuta e dytë e Shqipërisë Socialiste, u miratua në vitin 1976 dhe në aspektin e lirive themelore të njeriut, as që bënte fjalë, përkundrazi ajo ishte një mohuese e plotë dhe një ekzekutuese e gjitha e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Përsëri CIA, me rastin e miratimit të Kushtetutës së dytë të Shqipërisë nën Enver Hoxhën, bënte analizën e mëposhtme ku theksonte se “kjo, (Kushtetuta) nuk e lejonte përhapjen e pikëpamjeve opozitare, të cilat konsideroheshin si kërcënim ndaj “pushtetit popullor”. Qëllimi i propagandës së brendshme është ndalimi i përhapjes së ideve kundër regjimit, që mund të çojë në rritjen e rezistencës aktive. Prandaj autoritetet bëjnë një fushatë të vazhdueshme kundër zërave kritikë dhe në mbështetje të programeve të qeverisë. Regjimi angazhohet gjithashtu në fushata të gjera publicitare rreth ngjarjeve si rezultatet e fabrikave, projektet e punës vullnetare, apo arritjen individuale në prodhim.

Punonjësit e agjitacion-propagandës në gazeta e revista pretendojnë suksese të mëdha, dënojnë “parazitët” dhe theksojnë rëndësinë e plotësimit të normave të punës. Në të ashtuquajturin revolucion kulturor në Shqipëri, përfshihen gjithashtu puna vullnetare e intelektualëve urbanë në mbjelljen e tokave të reja apo projekte të tjera ndërtimi e të maskuara me sloganin e “luftës ndaj burokracisë dhe mentalitetit kapitalist”. Por efektiviteti i propagandës së brendshme, është i kufizuar nga disa faktorë, si numri i vogël i megafonave dhe mangësi të tjera teknike.

Gjithashtu ekspozimi i vazhdueshëm i popullatës ndaj ekzagjerimeve dhe keqinterpretimeve të propagandës, ka krijuar edhe njëfarë apatie ndaj njoftimeve të regjimit. Mediat kryesore të shpërndarjes së propagandës së brendshme janë shtypi, radio, filmat dhe fjalimet publike. Pas vitit 1961 këto mjete janë përdorur për të kushtëzuar ndarjen me Bashkimin Sovjetik dhe afrimin me Kinën komuniste”, të cilës i bëhet një propagandë marramendëse miqësore e shpëtimtare për Shqipërinë”. 17) E veçanta rezultonte se afrimi dhe konsolidimi i miqësisë me Kinën, e bëri Enver Hoxhën më despot me popullin e tij. Në këndvështrimin e pushtetit personal të Enver Hoxhës, në kohën e marrëdhënieve “miqësore e vëllazërore” me Kinën del pyetja se cilat ishin synimet e politikës së tij të jashtme?

Sipas Enver Hoxhës, në periudhën e marrëdhënieve të mjaltizuara me Kinën, ajo kishte disa synime si, luftën kundër imperializmit e socialimperializmit dhe konsolidimin e marrëdhënieve ideologjike, ekonomike, ushtarake, kulturore etj., vetëm me Kinën. Synime të tjera të asaj periudhe nuk gjejmë në asnjë dokument, qoftë shtetëror qoftë partiak. Këtë e përligj vetë Enver Hoxha, i cili shprehej se “lufta kundër dy superfuqive e aleatëve të tyre është një detyrë imperative, që duhet kryer çdo ditë, çdo orë, në çdo fushë e nga kushdo”. 18) “Buxhetet, kreditë dhe investimet e huaja nuk janë format e vetme të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, siç i paraqet borgjezia monopoliste dhe revizioniste”.19) Pra siç shihet, mohohej gjithçka, mohohej baza ekonomike që është themeli i zhvillimit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare e politika e jashtme sipas Enver Hoxhës, duhet të shtriheshin vetëm në planin ideologjik, të cilit iu dha përparësi.

Partia dhe shteti shqiptar, domethënë Enver Hoxha, duke zbatuar direktivat e Kongreseve të partisë, vazhdonin të aplikonin një politikë të jashtme të quajtur “parimore” e “konsekuente” në të gjitha drejtimet e për të gjitha problemet. Po për çfarë politike të jashtme parimore mund të bëhet fjalë në atë periudhë, kur në marrëdhëniet ndërshtetërore me të tjerët, përveç Kinës, mohohej gjithçka? Politika dhe diplomacia e Enver Hoxhës pasqyroheshin në të gjitha qëndrimet e quajtura “revolucionare” për problemet e ngjarjet e mëdha ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet e shoqërisë me vendet e tjera.

Po a kishte çështje “parimore” që i mbronte Shqipëria, veçanërisht për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut?! Faktet dhe ngjarjet thonë se jo. Liria e fjalës në Shqipëri ishte e ndaluar me Kushtetutë. Mendimet duhet të ishin konform politikës së partisë, asnjë mendim ndryshe nuk lejohej dhe nëse shfaqej kishte reperkuisione. Mendimet ndryshe ishin dhe dënoheshin si agjitacion e propagandë. Me këto akuza ishin mbushur burgjet, kampet e përqendrimit dhe internimet nëpër fshatra.

Nga ana tjetër, ajo e ligjshmja ishte propaganda në planin ideologjik, si qëndrimi ndaj revizionizmit e imperializmit dhe një nga objeksionet më të mëdha, ishte mbrojtja e çështjes kineze. Enver Hoxha, me “luftën ideologjike” kundër Bashkimit Sovjetik, mbështeti Kinën dhe të ashtuquajturat reforma e qëndrimet e saj si “Revolucionin kulturor proletar” dhe “Të drejtat e Kinës në OKB”, për të cilat Enver Hoxha u shpërblye nga Kina edhe fuqishëm. Në aspektin më të gjerë, Enver Hoxha me politikë “parimore” si edhe kinezët, quante edhe propagandën që bënte për luftën e Vietnamit, atë në Kamboxhia, konfliktin e Lindjes së Mesme apo çështjet e luftës kundër idesë së “Çarmatimit bërthamor e konvencional”, deri te stigmatizimi i nismës dhe procesit të “Sigurimit e Bashkëpunimit Evropian”. Dhe të gjitha këto ishin ajo diplomaci, që mund të quhet e strucit, për të cilën Enver Hoxha nuk e kishte qëllimin te gjërat “parimore” siç shfaqej, por ai e kishte te “mbledhja” e popullit jo në konceptin e mbledhjes si formë, por te përmbajtja e fjalës “mbledhje” dmth., për t’i a mbledhur popullit.

Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama 

 

Po ndodh...

ide