17 organizata të shoqërisë civile kërkojnë masë disiplinore nga Kuvendi për Zegjine Çaushin: Gjuhë denigruese ndaj Gaz Bardhit

3 Mars 2026, 19:04 / POLITIKË ALFA PRESS

17 organizata të shoqërisë civile kërkojnë masë

17 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit me një kërkesë zyrtare për marrjen e një mase disiplinore ndaj deputetes socialiste Zegjine Çaushi, me pretendimin se ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Në letrën drejtuar Byrosë së Kuvendit, organizatat theksojnë se bëhet fjalë për një “sjellje të përsëritur jo etike parlamentare” nga ana e deputetes. Sipas tyre, masa e mëparshme “Tërheqje e vëmendjes” nuk është më proporcionale me natyrën dhe shpeshtësinë e shkeljes së pretenduar.

“Duke zbatuar parimin e proporcionalitetit dhe përshkallëzimit të masave disiplinore, siç parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë marrjen e masës disiplinore ‘Vërejtje’”, thuhet në kërkesë.

Reagimi i organizatave vjen pas seancës plenare të 19 shkurtit, ku deputetja Çaushi, gjatë fjalës së saj, iu referua rezultatit të Partisë Demokratike në Qarkun Fier në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku Bardhi ishte Drejtues Politik. Gjatë debatit, ajo përdori shprehje ironike dhe personale në adresë të tij, çka është konsideruar nga organizatat si gjuhë fyese dhe denigruese.

KERKESA
Byrosë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që përbëhet nga:

Niko Peleshi Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë 

Klodiana Spahiu Zëvendëskryetare e Kuvendit PS

Agron Gjekmarkaj Zëvendëskryetar i Kuvendit 

Milva Ekonomi Sekretare për Buxhetin PS

Belind Këlliçi Sekretar për Buxhetin PD

Ulsi Manja Sekretar për Procedurat dhe Votimet PS

Flamur Hoxha Sekretar për Statusin e Deputetit PD

Fatmir Xhafaj Sekretar për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën e Botimet Parlamentare PS

Taulant Balla Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë PS

Blendi Klosi Sekretar për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit PS

Lënda: Kërkesë për konstatimin e shkeljes së Kodit të Sjelljes dhe marrjen e masës disiplinore “Vërejtje”

Të nderuar anëtarë të Byrosë,

Kjo shkresë lidhet me zhvillimet e seancës plenare te datës 19 shkurt, gjatë së cilës deputetja Zegjine Caushi përdori gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar, z. Gazment Bardhi, duke përdorur shprehjeve  që cenojnë dinjitetin personal dhe bien ndesh me standardet e komunikimit parlamentar të parashikuara në aktet rregullatore të Kuvendit. Sjellja e mësipërme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 6, pika 1, të Kodit të Sjelljes së Deputetit, i cili ndalon rreptësisht përdorimin në Kuvend të gjuhës së pahijshme, fyese ose denigruese, si dhe çdo formë cenimin personal ndaj deputetëve. Gjithashtu, kjo sjellje bie në kundërshtim me  pikës 2 të po këtij neni, që ndalon forma diskriminimi, stereotipizimi apo komunikimi që cenon dinjitetin njerëzor në ushtrimin e mandatit parlamentar.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve, ka detyrimin institucional të garantojë standarde të larta etike në diskursin parlamentar dhe të mbrojë dinjitetin e ushtrimit të mandatit përfaqësues. Debati politik mund të jetë i fortë dhe polemik, megjithatë, ai duhet të  të zhvillohet brenda brenda kufijve të respektit institucional dhe të përgjegjësisë  publike.

Nga ana tjetër, media ka amplifikuar gjuhën e urrejtjes në Kuvend përmes shpërndarjes së lajmeve me tituj denigrues përmes citimit të drejtpërdrejtë të fjalëve të deputetes Çaushi, duke i riprodhuar ato pa analizë kritike, çka jo vetëm që legjitimon diskursin e gjuhës së urrejtjes, por edhe kontribuon në normalizimin e tij në hapësirën publike.

Duke pasur parasysh se kemi të bëhet me një sjellje të përsëritur jo etike parlamentare nga deputetja Zegjine Çaushi, vlerësojmë se masa “Tërheqje e vëmendjes” nuk përbën më një reagim proporcional në raport me natyrën dhe frekuencën e shkeljes. Në zbatim të parimit të proporcionalitetit dhe të përshkallëzimit të masave disiplinore siç parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë marrjen e masës disiplinore “Vërejtje”.

Në këtë kuadër, kërkojmë nga Byroja e Kuvendit:

Konstatimin formal të shkeljes së Nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit;

Vendosjen e masës disiplinore “Vërejtje”, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit;

Bërjen publike të vendimmarrjes, në funksion të transparencës, institucionale  dhe forcimit të standardeve të etikës parlamentare.

Kjo kërkesë nuk synon kufizimin e debatit politik, por garantimin e kufijve etikë që e bëjnë debatin demokratik, konstruktiv dhe në përputhje me dinjitetin e institucionit të Kuvendit. Kërkojmë nga mediat të luajnë rolin e tyre edukues dhe të raportojnë me përgjegjshmëri, duke mos ui bërë jehonë e gjuhës së urrejtjes, por të kontribuojnë në ngritjen e standardeve të komunikimit publik, duke promovuar gjuhë të kujdesshme, analizë të balancuar dhe respekt për vlerat themelore të demokracisë dhe barazisë.

Duam gjithashtu të theksojmë se për ne është e rëndësishme që kërkesa jonë të merret parasysh, ndaj presim brenda 10 ditëve kalendarike pune një përgjigje për masat e marra nga ju mbi shkeljen e Kodit të Sjelljes së Deputetit nga deputetja Zegjine Çaushi, në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)

The Center for Science and Innovation for Development (SCIDEV)

Community Reporters Albania (CRA)

Gender Alliance for Development Centre (GADC)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri)

Ëestminster Foundation for Democracy (WFD)

Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri

Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”

Në Dobi të Komunitetit

Albanian Center for Quality Journalism (ACQJ)

Po ndodh...

ide