“Shtrëngoni kapitalin privat për fyti deri sa ta mbysni”, urdhri i Koçi Xoxes! Roli i PPSH-së nga hije e 1946-s te sovrani i 1976-s, evolucioni i një diktature

30 Nëntor 2025, 12:38 / JETË SONILA BOÇI

“Shtrëngoni kapitalin privat për fyti deri sa ta mbysni”,

Procesi i hartimit, i paraqitjes dhe i diskutimit të Kushtetutave, si aktet themeltare që përcaktojnë bazën juridike, politike, ekonomike dhe institucionale të një shteti, ofron një dritare të privilegjuar për të kuptuar mënyrën se si prodhohet dhe artikulohet legjitimiteti politik. Përmes këtij procesi bëhen të dukshme mekanizmat me të cilët autoriteti qeverisës përpiqet të vetëlegjitimohet, të strukturojë raportin me shoqërinë dhe të ushtrojë kontroll mbi të.

Ky punim nuk synon të ndërmarrë një analizë juridike të përmbajtjes së dispozitave kushtetuese. Objektivi i tij është të shqyrtojë, nëpërmjet analizës së dinamikave të hartimit dhe miratimit të dy dokumenteve themeltare – Statutit të RPSH-së të vitit 1946 dhe Kushtetutës së RPSSHsë të vitit 1976, mënyrat se si autoritetet qeverisëse përdorën aktin kushtetues si instrument legjitimues dhe njëkohësisht si mekanizëm për të konsoliduar kontrollin mbi shoqërinë shqiptare. Kushtetuta e vitit 1946 ishte produkt i Luftës së Dytë Botërore dhe dominimit të rezistencës nga Fronti Nacionalçlirimtar i udhëhequr nga komunistët.

Kjo rezistencë ishte thellësisht republikane në karakter. Mbreti Zog dhe monarkia e tij shiheshin jo vetëm si mishërim i një sistemi gjysmëfeudal, por edhe si shkaktarët e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Kështu, retorika antimonarkiste dhe antizogiste ishte një prej lajtmotiveve kryesore të rezistencës.

Kongresi i Përmetit e ndaloi kthimin e mbretit Zog në Shqipëri, ndërsa Kongresi I i Fronit Demokratik (gusht 1945) miratoi programin republikan, me të cilin do të paraqiteshin në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Fitorja e Frontit Demokratik në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 i hapi rrugën sanksionimit të Republikës Popullore dhe miratimit të Statutit të saj.

REPUBLIKA POPULLORE

Me këtë dokument republikanizmi mori trajtën e një republike popullore, por nocioni “popull” u ngarkua me një kuptim të ri moral e politik. Ndryshe nga modeli i demokracive liberale, ku koncepti “popull” nënkupton një shumësi individësh që bashkohen për të garantuar lirinë dhe pluralitetin, në Shqipëri ai u konceptua në frymën rusoiane të “vullnetit të përgjithshëm”, si një trup i bashkuar rreth një qëllimi të vetëm shoqëror apo politik. Autoritetet synonin të mobilizonin atë që Hannah Arendt e quan “populli i ulët”, i cili duhet të bashkohej jo në emër të lirisë, por në emër të-nga varfëria, shtypja dhe shfrytëzimi. Kështu, në fjalën e tij të hapjes së Asamblesë Kushtetuese, Omer Nishani vuri në dukje se: “Asambleja jonë nuk përfaqëson klasa ose grupe që kanë qëllime spekulimi, por përfaqëson masat e gjera të popullit, të cilat janë grumbulluar në Frontit Demokratik”. “Populli” në kontekstit kushtetues shqiptar të vitit 1946 ishte i bashkuar si kundër armikut të brendshëm, ashtu edhe atij të jashtëm.

Duke qenë se Partia Komuniste, ende e pasigurt për mbështetjen e saj në popull, nuk kishte shpallur qëllimin e saj të vërtetë për sovjetizimin e Shqipërisë, projekt-statuti përdorte gjuhën e Ezopit për të rregulluar realitetin juridik shqiptar, sipas këndvështrimit politik të autoriteteve qeverisëse. Ashtu si në programin e Frontit Demokratik, ashtu edhe në projekt-statutin, nuk përmenden në asnjë rast konceptet “socializëm”, “diktatura e proletariatit”, “roli avangardë i partisë bolshevike” etj.. Strumbullari i Statutit të RPSH-së të vitit 1946 ishte koncepti se pushteti “buron nga populli dhe i takon atij”.

Të gjitha parimet në të cilat mbështetej kushtetuta, si: uniteti i pushteteve, nacionalizimi i ekonomisë, epërsia e pronës shtetërore dhe të grupit ndaj asaj private, përligjeshin me idenë e fuqizimit të “popullit të ulët”, por në të vërtetë vendosnin individin në shërbim të kolektivitetit dhe këtë të fundit nën peshën e shtetit. Meritat për hartimin e Kushtetutës ishin de jure të autoritetit ekzekutiv, sepse projekt-statuti u paraqit para Asamblesë Kombëtare në emër të qeverisë. Në të vërtetë, ajo ishte një kopje e Kushtetutës së RFP të Jugosllavisë e përshtatur për Shqipërinë. Dirigjent i procesit të miratimit të statutit ishte de jure ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, i cili drejtonte komisionin e Asamblesë Kushtetuese për hartimin e saj.

Në të vërtetë, në prapaskenë gjithçka drejtohej nga Byroja Politike e KQ të PKSH-së, veçanërisht nga sekretari organizativ i saj, Koçi Xoxe. Ishte ai që mblodhi drejtuesit politikë të PKSH-së në qarqe dhe u kërkoi të mobilizonin të gjitha organizatat e masave për të diskutuar projekt-statutin në popull. Fushata për diskutimin e projekt-statutit shihej si një rast i mirë që populli të braktiste indiferentizmin për të cilin flitej aq shumë nëpër raporte dhe “të marrë pjesë më me vrull në jetën politike të vendit”. Statuti i RPSH-së i vitit 1946 ishte dokumenti që shndërroi legjitimitetin revolucionar të Frontit Demokratik në legjitimitet shtetëror.

Ai është etiketuar, me të drejtë, nga shumë studiues, si periudha e qeverisjes pa kushtetutë, apo kushtetuta fiktive. Statuti i RPSH-së duke shmangur konceptet socialiste, pasqyroi një realitet që shoqëria ishte më e gatshme ta pranonte dhe jo qëllimet e vërteta të autoriteteve qeverisëse. Vetë Koçi Xoxe në të njëjtën mbledhje ku u kërkon drejtuesve politikë të shtrëngojnë kapitalin privat “për fyti deri sa ta mbysin”, apo të dënojnë për sabotim të gjithë ata nëpunës të nuk “i binden vijës së shtetit”, u shpjegon drejtuesve politikë së ata po paraqisnin një Kushtetutë, e cila “pa përmendur fjalën socializmë, të çon në socializmë”. Sovraniteti i “popullit të ulët”, në emër të sakrificave të bëra gjatë rezistencën dhe në emër të një të ardhmeje të çliruar nga shtypja dhe shfrytëzimi, ishte eufemizmi i përdorur nga autoritetet qeverisëse për të fshehur fillimin e procesit të sovjetizimit të Shqipërisë. Për më tepër, Statuti i RPSH-së ishte shembulli i qartë i karakterit deklarativ të ligjeve në një qeverisje autoritare dhe nënshtrim të tyre ndaj vullnetit politik.

KULTI I INDIVIDIT

Nuk është rastësore që akti themeltar shtetëror u quajt Statut deri në amendamentet e 4 korrikut 1950 dhe më pas u ripagëzua si Kushtetuta e RPSH-së. Amendamentet e vitit 1950 ndryshuar pothuajse 2/3 e dokumentit të 1946- s, duke krijuar praktikisht një Kushtetutë ex nuovo. Duke pasur tanimë model Kushtetutën sovjetike të vitit 1936, ajo parashikonte rregullime tipike për një vend në fazën e ndërtimit të socializmit, si: konsiderimi i RPSH-së si shtet i punëtorëve dhe i fshatarëve punonjës (neni 2); këshillat popullore konsiderohen si baza politike e pushtetit, e cila lindi gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe u forcua gjatë ndërtimit të bazave të socializmit (neni 3); përkrahja e zhvillimit socialist të bujqësisë (neni 8); parimi socialist ndaj punës “nga secili sipas aftësive, secilit sipas punës” (neni 9) dhe mbi të gjitha njohja e rolit drejtues të PPSH-së në jetën e vendit, e cila sanksionoi sistemin politik të partisështet (neni 10).

Në të kundërtën, Kushtetuta e RPSSH-së, e miratuar në dhjetor 1976, kërkonte të legjitimonte një situatë e cila ishte krijuar përgjatë dy dekadave e gjysmë. Në fillim të viteve ’70, kur Kongresi VI i PPSH-së mori vendimin për të hartuar një Kushtetutë, PPSH-ja kishte konsoliduar përmes një procesi shumë të dhimbshëm rolin e saj drejtues në jetën e vendit. Kulti i personalitetit të Enver Hoxhës, i “udhëheqjes kolegjiale” dhe i PPSH-së ishte shndërruar në një fe politike. Ajo kishte përfunduar kontrollin e plotë të ekonomisë dhe me fushatat e mesvitit ’60-’70 kundër burokratizimit, konservatorizmit, për “revolucionarizmin e jetës së vendit”, kundër objekteve të kultit, autoritetet qeverisëse kishin filluar të ushtronin kontroll sistematik mbi të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare.

Totalitarizmi shqiptar kishte marrë formën e një sistemi, të cilin studiuesi Vladimir Tismaneanu e pagëzon, me të drejtë, si stalinizëm nacional. Ndryshimi i ligjit themeltar diktohej jo vetëm nga nevoja për të sanksionuar një realitet politik, ekonomik e social, por edhe për të krijuar një bazë tjetër legjitimimi për regjimin.

Ndryshe nga Kushtetuta e vitit 1946, i gjithë procesi u dirigjua nga strukturat partiake, në krye të të cilave ishte Enver Hoxha. Në këtë proces, komisioni për hartimin e Kushtetutës, i përbërë prej 51 deputetësh, i ngritur nga Kuvendi Popullor në nëntor 1975, kishte thjesht rolin e propaganduesit të saj në popull. Në direktivat që Byroja Politike e KQ të PPSH-së i jep komisionit të hartimit të projekt-kushtetutës, legjitimiteti mbështetet në katër shtylla themelore: Në aspektin politik ajo duhet të sanksiononte pushtetin në emër të një klase, duke përcaktuar “përmbajtjen e shtetit tonë si diktaturë e proletariatit” dhe Partinë e Punës së Shqipërisë si organin më të rëndësishëm kushtetues, e cila udhëhiqte “shtetin dhe gjithë jetën e vendit”. Kështu, legjitimiteti i shtetit nuk rridhte më nga sovraniteti popullor, por nga autoriteti ideologjik i Partisë për të interpretuar “vërtetësinë e marksizëm-leninizmit”.

Shtylla e dytë ishte legjitimimi i patriotizmin socialist, i cili, duke binomizuar atdheun me partinë dhe udhëheqësin e saj, krijonte një atdhe ideologjik. “Armiku i popullit” nuk do të ishin vetëm imperializmi, socialimperializmi, të deklasuarit, por edhe të gjithë ata që dilnin kundër “vijës së partisë”. Koncepti i besnikërisë ndaj atdheut socialist, u jepte mundësi autoriteteve të vijonin “revolucionin e vazhdueshëm”.

Siç vëren Hannah Arendt, “nëse ligji i historisë dikton se gjatë luftës së klasave, disa klasa do të zhduken, do të ishte fundi i historisë nëse klasa të tjera nuk do të formoheshin për t’u zhdukur nga duart e udhëheqësve totalitarë”.

Kjo krijonte psikozën e “armikut të përhershëm”, i cili konkretizohej në propagandën se ngushtimi gradual i dallimeve klasore dhe përgatitja e kushteve “për kalimin në të ardhmen në shoqërinë komuniste pa klasa” do të zhvillohet “duke thelluar më tej luftën e klasave”. Shtylla e tretë duhet të ishte legjitimi i “njeriut të ri”, ose ideologjizimi i thellë marksist-leninist i shoqërisë shqiptare. Vendimi i Byrosë Politike kërkon të formulohen në kushtetutë “tiparet e njeriut tonë të ri, të mbrujtur nga partia me ndërgjegjen e lartë socialiste që shfaqet, para së gjithash, në vënien e interesit të përgjithshëm mbi atë personal”. Së fundi, Kushtetuta duhet të shpaloste legjitimimin e PPSH-së dhe drejtuesve të saj si mbrojtësit fundorë të pastërtisë së marksizëm-leninizmit. Jehona e kushtetutës shqiptare duhet t’i kalonte kufijtë politikë të Shqipërisë dhe duhet të shërbente “si dokument programatik për punonjësit e vendeve të tjera që luftojnë kundër imperializmit”.

Teksti përfundimtar i Kushtetutës së RPSSHsë ishte ajo çka pritej. Edhe pse fliste për sovranitetin e popullit, Kushtetuta e RPSSH-së sanksionoi në të vërtetë sovranitetin ideologjik të PPSH-së në emër të marksizëmleninizmit. Shprehja e shqiptuar nga Enver Hoxha me të cilën hapet preambula e Kushtetutës së 1976-ës se “populli shqiptar e ka çarë historinë me shpatë në dorë”, ishte sinteza më e mirë e luftës dhe dhunës si mekanizëm lëvizës i një shoqërie totalitare. Legjitimiteti i Kushtetutës së vitit 1976 duhet kuptuar si një legjitimitet performativ: ai prodhohej nëpërmjet gjuhës politike, ritualeve kolektive dhe deklarimit të besnikërisë ndaj parimeve të socializmit. Kushtetuta shërbente më shumë si akt afirmimi ideologjik sesa si instrument juridik. Ajo përmbyllte procesin e gjatë të shndërrimit të republikës popullore në një republikë popullore socialiste, ku koncepti i popullit vijonte të mos nënkuptonte pluralitetin e shoqërisë, por unitetin e saj nën flamurin ideologjik. Krahasimi i diskutimit të dy projekt-kushtetutave me publikun dëshmon nga një anë për nevojën e mobilizimit dhe kontrollin e masave si një komponent i përhershëm i një qeverisje autoritare, e cila nga ana tjetër prodhon një legjitimitet performativ. Në të dyja rastet, komentet e ardhura nga diskutimet u morën parasysh vetëm kur ato shkonin në të njëjtën hulli me qëllimet politike e ideologjike të partisë-shtet. Kjo dëshmon se diskutimet popullore në një regjim autoritar janë pjesë e një rituali simbolik e propagandistik.

UNIFIKIMI I PUSHTETIT

Në vitin 1946, edhe pse e frikësuar, e mbytur dhe pa forcë, në shoqërinë shqiptare gjallonte ende një lloj pluraliteti ideologjik, i cili ndihej jo vetëm në popull, por edhe në vetë komisionin e hartimit të kushtetutës, siç ishte rasti i ndërhyrjes së Andrea Saatçiut, apo në seancat plenare rasti i Riza Danit. Një pjesë e diskutimeve prekën parimet ideologjike në të cilat mbështetej Statuti, si: unifikimi i pushtetit, mungesa e kontrollit reciprok të një pushteti ndaj tjetrit, përzierja e simboleve kombëtare me ato ideologjike komuniste etj. Pjesë e kundërshtive ishin gjithashtu edhe disa nene me karakter social të Statutit, si: barazia gjinore, njohja e të drejtave të fëmijëve të lindur jashtë martese etj., çka dëshmonte për nivelin e patriarkalizmit dhe mungesën e emancipimit të shoqërisë shqiptare.

Në vitin 1976, diskutimet dëshmojnë më së shumti për uniformitet mendimi. Pluraliteti ideologjik nuk ishte më prezent, ai ishte fashitur për shkak të dhunës ekstreme të ushtruar në vijimësi, por edhe të indoktrinimit të vazhdueshëm dhe izolimit ekstrem. Diskutimet popullore mbi projekt-kushtetutën e vitit 1976, janë një tregues i vlefshëm për nivelit e indoktrinimit të shoqërisë shqiptare, elementi më i rëndësishëm i së cilës është kulti i individit të Enver Hoxhës. Pothuajse nga të gjitha rrethet kërkohet përfshirja e Enver Hoxhës në tekstin e kushtetutës, si “figura më e shquar e Partisë dhe e popullit”, madje ka propozime për ta pagëzuar vetë kushtetutën me emrin e tij.

Një pjesë e diskutimeve kërkojnë radikalizimin e sanksioneve të Kushtetutës në disa aspekte, si: eliminimin e pronës private, duke shtetëzuar edhe banesat individuale, oborret kooperativiste etj.; ashpërsimin e neneve që lidhen me luftën e klasave si dënime më të rënda për agjitacion-propagandën, veçanërisht atë fetare, arratisjet jashtë vendit etj.; kontrollin e shtetit për jetën private, si divorcet, martesën me të huajt, sjelljes individuale etj.. Nga kjo panoramë diskutimesh, vërehet qartësisht se një tjetër fenomen është zhvilluar në Shqipërinë e 1976-s, ai i radikalizimit ideologjik të një pjese të shoqërisë. Ky fenomen mund të analizohet në dritën e konceptit të Hannah Arendt-it mbi “banalitetin e së keqes”, sipas të cilit aktorët e zakonshëm, edhe pa motivacion mizor, bëhen bashkëpërgjegjës për veprime ekstreme përmes pjesëmarrjes në procese që legjitimojnë dhe normalizojnë këto veprime. Sipas Arendt-it në regjimet totalitare “praktika e vetëmashtrimit ishte bërë aq e zakonshme, pothuajse një parakusht moral për të mbijetuar”. Duke u nisur nga një analizë e gjendjes shoqërore të diskutuesve rezulton se ata vijnë nga shtresëzime shoqërore të ndryshme. Kishte midis tyre njerëz që kishin ngjitur shkallët e hierarkisë sociale dhe mbanin poste shumë të rëndësishme në administratën partiake dhe shtetërore, por kishte midis tyre edhe punëtorë, fshatarë, apo nëpunës të vegjël lokalë.

Në këtë rast, fushata e diskutimit publik nuk ishte thjesht performancë formale, por një instrument për t’i dhënë legjitimitet totalitar kushtetutës dhe për të mobilizuar masat në mbrojtje të vijës së Partisë. Pjesëmarrësit, duke kërkuar radikalizimin e dokumentit, kontribuuan në krijimin e një realiteti juridik dhe ideologjik që mbështeste dhe ushqente regjimin, duke bërë të dukshme mënyrën se si banaliteti i së keqes shfaqet përmes përfshirjes së qytetarëve në mekanizma performativë të legjitimitetit./Panorama

 

Po ndodh...