“Aksionet në Veri, dëmtojnë dialogun”/ Ambasada gjermane: Kujdes me mbylljen e institucioneve

27 Shkurt 2025, 18:15 / KOSOVA ALFA PRESS

“Aksionet në Veri, dëmtojnë dialogun”/ Ambasada

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se mbyllja e institucioneve financiare në veri është e ndërlidhur thellësisht me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, prandaj sipas Ambasadës mbyllja e institucioneve të tilla është e lidhur drejtpërdrejt me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ambasada gjermane beson fuqishëm se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën eBE shëndetësisë dhe arsimit, është thellësisht e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ASMM). Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë Asociacionin, e cila do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, mbylljen e institucioneve të tilla e shohim të lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” -thuhet në qëndrimin e ambasadës gjermane në Kosovë.

Po ashtu, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se veprimet e fundit të Qeverisë në veri të vendit nuk kontribuojnë për një konsensus tek vendet e BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Gjermania është përgjithësisht e mendimit se masat ekzistuese ndaj Kosovës duhet të hiqen. Megjithatë, heqja e këtyre masave kërkon një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së dhe veprimet e fundit nuk kanë nxitur një atmosferë më pozitive ndaj Kosovës për të arritur një konsensus të tillë”.

Të mërkurën edhe Ambasada e Francës tha se veprimet e Qeverisë në veri të vendit për mbylljen e Qendrave serbe për Punë Sociale dëmtojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Po ashtu, Ambasada e Francës ka bërë të ditur se misioni i EULEX-it është në pritje të detajeve për të verifikuar faktet në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës aty.

 

Po ndodh...

ide