Dogana e Kosovës ndalon hyrjen e 16,500 kilogramëve çokollatë nga Zvicra me afat të skaduar

28 Nëntor 2024, 08:32 / KOSOVA ALFA PRESS

Dogana e Kosovës ndalon hyrjen e 16,500 kilogramëve

Dogana e Kosovës ka parandaluar hyrjen e një sasie të konsiderueshme të mallrave ushqimore të skaduara në Zyrën Doganore të Mitrovicës.

Dërgesa përmbante çokollata të importuara nga Zvicra, me një peshë neto prej 16,500 kg, të cilat u zbuluan me afat të skaduar gjatë procesit të kontrollit të rregullt doganor.

Menjëherë pas identifikimit të problemit, Dogana njoftoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për inspektimin e mëtutjeshëm të produktit, si dhe prokurorin e rastit për trajtimin e mëtejshëm ligjor të situatës.

Parandalimi i hyrjes së produkteve të rrezikshme në treg është prioritet i vazhdueshëm për Doganën e Kosovës, e cila punon ngushtë me institucionet përkatëse për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e mallrave që importohen në vend.

Ky rast shërben si kujtesë për të gjithë importuesit që të respektojnë rregulloret dhe standardet e sigurisë ushqimore, ndërsa qytetarët ftohen të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo dyshim për produkte të skaduara ose të rrezikshme në treg”, thuhet në njoftim.