FOTOLAJM/ Si do të duket Kuvendi i Kosovës, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit

29 Dhjetor 2025, 00:12 / KOSOVA ALFA PRESS

FOTOLAJM/ Si do të duket Kuvendi i Kosovës, pas zgjedhjeve të 28

Me 98.9 për qind të vendvotimeve të procesuara, garën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë e prin Lëvizja Vetëvendosje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin paraprak të zgjedhjeve dhe Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve me 49.80 për qind të votave të fituara.

Rezultatet preliminare u shpallën pas numërimit të 96.13 për qind të votave.

Radoniqi tha se pjesa tjetër e votave do të procesohen dhe publikohen në platformën online të KQZ-së.

Sipas rezultatit preliminar, PDK-ja është e dyta me 21.18 për qind të votave, LDK-ja me 13.77 për qind, AAK-ja me 5.74 për qind dhe Lista Serbe me 3.86 për qind.

Ndërkaq, shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet pas numërimit të votave të diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht.

“Numërimi i votave të kandidatëve [për deputetë] dhe konfirmimi i votave për subjektet politike do të nisë nesër nga ora 12:00, pasi i gjithë materiali gjatë gjithë natës do të pranohet në qendrat komunale të numërimit, dhe numërimi do të nisë nesër dhe do të vazhdojë në ditët në vijim”, tha Radoniqi.

Kurti shpall fitoren
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”.

“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”, tha Kurti.

Kurti tha se partia e tij është në rrugë që të tejkalojë rezultatin e 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2 për qind.

Sipas tij, rezultati zgjedhor i së dielës kërkon që duhet të ecet përpara pa vonesa.

“Sa më parë që certifikohen [rezultatet], aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë”, tha Kurti.

Legjislaturën e re, Kurti tha se e pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total tha se arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.

“Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare” dhe për projektligje të tjera”, tha ai.

Kurti u pyet edhe për çështjen e presidentit. Ai tha se është herët të flitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, duke theksuar se “sonte do të festojmë”, por shtoi se me opozitën duhet të trajtohet kjo çështje, por edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i skadon mandati në mars.

Ai u pyet nëse do të negociojë me partitë opozitare për presidentin dhe që propozimin për president ta bëjnë ato, Kurti tha:

“Ta negocioni dhe t’ua jepni atyre janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po e rikthesoj, fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve”.

Po ndodh...