Përfundon numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. LVV merr 48 mandate

6 Mars 2025, 20:46 / KOSOVA ALFA PRESS

Përfundon numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare në

Gati një muaj pas ditës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të hedhura me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, duke përmbyllur kështu procesin e numërimit të të gjitha votave.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i tha Zërit të Amerikës se tani është hapur afati prej 48 orësh, brenda të cilit subjektet politike mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në lidhje me ndonjë shkelje të supozuar gjatë numërimit.

“Pas kalimit të këtij afati, do të shpallen rezultatet përfundimtare,” tha zoti Elezi në një përgjigje me shkrim, duke theksuar se, sipas planifikimeve të KQZ-së, rezultati përfundimtar pritet të certifikohet më 18 mars.

Përmbyllja e numërimit konfirmoi se asnjë nga partitë nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm të ulëseve në parlamentin e Kosovës për të formuar e vetme qeverinë, një proces që kërkon 61 vota në parlamentin 120 vendësh.

Sipas vëzhguesve, fituesja e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, pritet të ketë 48 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës, që doli e dyta, 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerët tetë.

Dhjetë ulëse i takojnë komuniteteve pakicë joserbe, ndërkaq 10 të tjera komunitetit serb. Për herë të parë, Lista Serbe ka fituar vetëm nëntë nga ato, meqë një e fitoi Partia e Pavarur Liberale e ministrit aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç.

 

Po ndodh...