Qeveria e Malit të Zi ndjek udhëzimet e Serbisë dhe Rusisë, thotë deputeti malazez

3 Nëntor 2022, 22:35 / KOSOVA ALFA PRESS

Qeveria e Malit të Zi ndjek udhëzimet e Serbisë dhe Rusisë,

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratikë të Socialistëve (DPS), Nikola Rakoçeviç, ka thënë se Qeveria e Malit të Zi e udhëhequr nga kryeministri me mandat teknik, Dritan Abazoviç, ndjek udhëzimet e Serbisë dhe Rusisë.

Duke komentuar deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it në Podgoricë mbi situatën aktuale politike në Malin e Zi, Rakoçeviç theksoi se “duhet të jetë e qartë për partnerët e BE-së dhe NATO-s që shumica e përfaqësuesve të qeverisë aktuale ndjekin udhëzimet e zyrtarëve të Serbisë dhe Rusisë, jo sugjerimet e Perëndimit”.

“Zyrtarët e vendeve demokratike të botës janë të shqetësuar për mosrespektimin e Kushtetutës nga shumica parlamentare”, shtoi ai.


Komuniteti ndërkombëtar në Mal të Zi po ndjek me shqetësim zhvillimet politike në vend.

“Institucionet demokratike, institucionet e shtetit të së drejtës dhe respektimi i Kushtetutës, me të cilat duhet të harmonizohen të gjitha aktet ligjore, janë kushti themelor që Mali i Zi të funksionojë me efikasitet, si shtet i qëndrueshëm demokratik”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Ndryshe, të martën e 2 nëntorit, me votat e shumicës së vjetër parlamentare, në Kuvendin malazez, me 41 vota pro dhe pa praninë e opozitës, u votuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit, të cilat parashikojnë një sërë dispozitash antikushtetuese.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb ‘Frontit Demokratik’, ‘Demokratët’, dhe URA duan që presidenti malazez Milo Gjukanoviç të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Meqenëse ligji është miratuar me procedurë urgjente, Gjukanoviç është i detyruar ta nënshkruajë atë brenda tri ditëve ose ta kthejë në Kuvend për rishikim.

Nëse e kthen ligjin në Kuvend dhe deputetët e votojnë sërish, presidenti i shtetit, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë ligjin e rimiratuar.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej kohësh, dhe deri atëherë mbetet e paqartë se çfarë rezultati ligjor dhe politik është i mundur nëse Gjukanoviç refuzon të shpallë Ligjin e ndryshuar për Presidentin për herë të dytë.

Po ndodh...

ide