Kur pushteti ankohet se po demaskohet!
Nga Eva Idrizllari
Deklarata e grupit të deputeteve socialiste për "dhunën" me vezë të makinave, "linçimin" e tyre publik dhe nevojën për "mbrojtje të veçantë" gjatë hyrjes e daljes nga Kuvendi, do të tingëllonte si një apel normal demokratik, nëse nuk do të vinte në një moment kur përplasja reale mes qytetarëve dhe pushtetit është shumë më e thellë se disa incidente në rrugë.
Askush nuk duhet të justifikojë dhunën fizike. Por po aq e papranueshme është që çdo protestë qytetare të reduktohet në "dhunë" ndërsa arsyet që e kanë prodhuar këtë revoltë të fshihen me një "deklaratë patetike" për protokollet e sigurisë. Është më mirë që këto deputete t'i bëjnë pyetjen vetes:
Pse na kundërshtojnë?
Mbi të gjitha: Pse kaq shumë qytetarë nuk na besojnë më?
Në kohën kur SPAK vijon hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe ka vendosur edhe sekuestrime të tjera pasurish në proces hetimi të kësaj dosjeje, ndërsa akuzat lidhen me procedura tenderimi, korrupsion dhe pastrim parash, grupi i deputeteve socialiste ka zgjedhur ta mbrojë politikisht mandatin e saj parlamentar.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i revoltës.
Nuk mund të kërkosh respekt për institucionin, dhe pozitën parlamentare, ndërkohë që qytetarëve u kërkon të mos shohin çfarë ndodh brenda tij.
Nuk mund të kërkosh që protestuesit të jenë "të urtë", ndërkohë që parlamentaret socialiste votojnë si një trupë politike për të mbrojtur një kolege të përfshirë në një proces penal.
Nuk mund të kërkosh standarde të larta qytetarie vetëm kur protestuesi bërtet, ndërkohë që përballë aferave të dyshuara me paratë publike standardi parlamentar bëhet heshtja, bindja dhe vota në grup. Një vezë, një sharje apo një pankartë, janë shprehje simbolike të revoltës. Jo armë krimi, ashtu siç është korrupsioni për shtetin.
Dhe këtu deklarata e deputeteve bëhet groteske.
Ato flasin për "linçim publik”, por nuk flasin për linçimin e besimit publik. Flasin për "intimidim", por nuk flasin për intimidimin që ndien qytetari kur përballet me abuzimin e pushtetit politik të paprekshëm.
Flasin për "të drejtat e grave", por harrojnë se mbrojtja e një gruaje politikane nuk mund të përdoret si mburojë për të shmangur llogaridhënien politike.
Të jesh grua në politikë nuk të jep të drejtën për të mos u kritikuar. Nuk të jep imunitet moral nga pyetjet e qytetarëve. Dhe aq më pak nuk të jep të drejtën të votosh ligje që dëmtojnë interesin publik.
Kjo është diferenca që këto deputete duket se nuk duan ta kuptojnë:
Dhuna fizike duhet dënuar. Por kritika nuk është dhunë. Protesta nuk është dhunë. Fishkëllima nuk është dhunë. Demaskimi politik nuk është dhunë.
T'u thuash deputetëve se po mbrojnë një pushtet të korruptuar nuk është "linçim", është pjesë e llogaridhënies publike.
Nëse një protestues kalon në dhunë fizike të prekshme (duke të goditur në trup), duhet të mbajë përgjegjësi individuale. Por edhe çdo deputet që voton duhet të mbajë përgjegjësi politike për votën e tij.
Këtu nuk mund të ketë standard të dyfishtë.
Sepse nëse këto deputete mendojnë se po "mbrojnë demokracinë" duke mbështetur njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit, ndërsa qytetarët që protestojnë jashtë trajtohen vetëm si problem sigurie, atëherë problemi është shumë më i madh se një protestë.
Problemi është degjenerimi i marrëdhënies mes përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit.
Dhe është vërtet e paturpshme që disa prej atyre që janë pjesë e një mazhorance që merr vendime për pasuritë publike dhe paratë e taksapaguesve, të dalin sot e të na shpjegojnë se problemi kryesor i demokracisë është fakti që qytetarët po i demaskojnë publikisht.
Jo, zonja deputete!
Problemi nuk është se qytetarët po ju shohin. Problemi është se ju nuk doni të shihni më veten në pasqyrën që po ju vendos përpara shoqëria. Dhe sa më shumë të kërkoni ta quani revoltën "folklor", "linçim" apo "intimidim", aq më shumë do ta thelloni hendekun mes Kuvendit dhe qytetarëve.
Demokracia nuk mbrohet duke i mbyllur veshët ndaj revoltës.
Mbrohet duke i dhënë përgjigje arsyes që e ka prodhuar atë. Dhe nëse përgjigjja është se qytetarët duhet të heshtin, ndërsa pushteti duhet të vazhdojë të votojë në bllok kundër interesit publik, atëherë problemi nuk është protesta.
Problemi është pushteti që ka harruar kujt i shërben!
Po ndodh...
ide
Kur pushteti ankohet se po demaskohet!
PS dhe PD kanë krijuar një ekuilibër të palëkundshëm Nash
Insistimi tek krimi, arësyeja përse kryeministri Rama duhet të dorëhiqet
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128