Largimi pa lavdi i Bashkimit Sovjetik nga Afganistani

15 Shkurt 2022, 07:40 / DOSJE ALFA PRESS
Largimi pa lavdi i Bashkimit Sovjetik nga Afganistani

33 vjet më parë, më 15 shkurt 1989, ushtari i fundit sovjetik kaloi kufirin afgano-sovjetik duke shënuar fundin e një prej konflikteve më të përgjakshme të zhvilluara ndonjëherë në historinë e Afganistanit. Tërheqja sovjetike nga Afganistani nga maji 1988 deri në shkurt 1989 ishte një  rrugëdalje nga qorrsokaku. Ajo ishte një operacion  i ekzekutuar mirë dhe i planifikuar me kujdes që do t’i lejonte Republikës Demokratike të Afganistanit (RDA) të mbijetonte edhe për tre vjet të tjerë pas përfundimit të pushtimit sovjetik. Megjithatë, shpallja publike e një afati kohor të ngurtë për tërheqjen ngushtoi opsionet sovjetike për t’iu përgjigjur situatës me ndryshim ushtarak dhe politik në vend.

Gjithçka filloi në nëntor 1986 kur udhëheqja sovjetike nën Mikhail Gorbachev mori vendimin për të tërhequr të gjitha trupat luftarake sovjetike deri në fund të vitit 1988 nga vendi. Afganistani ishte bërë “një plagë që rrjedh gjak” sipas fjalëve të Gorbaçovit. Gjatë gjithë vitit 1985, sovjetikët u përpoqën të impononin një zgjidhje ushtarake – viti u bë më i përgjakshmi në historinë e luftës – por në fund nuk arritën të thyejnë kryengritjen.

Si rezultat, Gorbaçovi thirri anëtarët kryesorë të Partisë Popullore Demokratike të Afganistanit (PPDA) duke përfshirë Sekretarin e ri të Përgjithshëm, Muhamed Najibullah, në Moskë në fund të vitit 1986 dhe informoi komunistët afganë se kishin dy vjet për t’u përgatitur për tërheqjen e trupave sovjetike dhe për të zbatuar një politikë të pajtimit kombëtar të mbështetur nga ndihma masive ekonomike, financiare dhe ushtarake sovjetike.

Nënshkrimi i të ashtuquajturës Marrëveshje të Gjenevës, më 14 prill 1988, midis Afganistanit, Pakistanit, me garantues të Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, më në fund i hapi rrugën tërheqjes sovjetike nga Hindukushi, ndërkohë që rriti edhe shpresën e Moskës për ekzistencën e ardhshme të një qeverie miqësore, neutrale në Kabul nën udhëheqjen e Muhamed Najibullah.

Marrëveshja e Gjenevës përcaktoi një afat kohor të rreptë për tërheqjen sovjetike.

Tërheqja u krye në dy faza. Faza e parë zgjati nga 15 maji deri më 15 gusht 1988. Faza e dytë filloi në janar dhe përfundoi më 15 shkurt 1989. Rrugët e tërheqjes në gjysmën perëndimore të vendit shkonin nga Kandahar përmes Shindadit dhe Heratit deri në Kushka. Rruga lindore shkonte nga Kabuli në kalimin Salang (dhe përmes tunelit Salang) në Khairaton dhe përmes të ashtuquajturës urë të Miqësisë në Termez në Uzbekistan. Në fazën e parë të tërheqjes, 50,000 ushtarë u tërhoqën nga 10 garnizone kryesore. Armata e 40-të ia dorëzoi ushtrisë afgane të gjitha bazat në qytetet Jalalabad, Ghazni, Gardez, Faizabad, Farahrud, Lashkargah, Kunduz dhe Kandahar. Kjo i ndau forcat sovjetike në një korridor lindor dhe perëndimor që shtrihej nga Kabuli në Lindje dhe qyteti i Shindadit në Perëndim deri në kufirin sovjetik. Boshllëqet në mes duhej të plotësoheshin nga njësitë ushtarake të RDA.

Faza e dytë filloi në janar 1989 në mes të dimrit pas një vonese dy mujore për shkak të konsultimeve midis Moskës dhe regjimit Najibullah se çfarë të bënin për të frenuar valën në rritje të paqëndrueshmërisë në vend. Ndër të tjera, Kabuli u përpoq t’i bënte presion Moskës për të drejtën për të kërkuar mbështetjen ajrore sovjetike edhe pas tërheqjes. Ndërsa Moska, pranoi shumë prej kërkesave të Najibullah-ut, sovjetikët donin t’i përmbaheshin agjendës të tërheqjes, siç përshkruhet në marrëveshjen e Gjenevës.

Megjithatë, si rezultat i shqetësimeve të komunistëve afganë dhe pavarësisht nga një marrëveshje për kalim të sigurt, sovjetikët u detyruan të sulmonin forcat e Ahmed Shah Masud, i cili kontrollonte Luginën e Panxhirit  dhe i cili ishte një nga udhëheqësit rebelë nga të cilët Najibullah kishte më shumë frikë. Sovjetikët kryen mbi 1000 fluturime kundër objektivave të muxhahedinëve. Operacioni i quajtur ” Typhoon”, vrau mbi 600 luftëtarë të Masud, sipas vlerësimeve sovjetike.

Sovjetikët përfundimisht tërhoqën të gjithë 50,000 ushtarët e mbetur gjatë fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit 1989. Avioni i fundit sovjetik u largua nga fusha ajrore e Bagramit më 3 shkurt. Më 4 shkurt, trupat e fundit tokësore u larguan nga Kabuli. Herati u braktis dhe iu dorëzua forcave të RDA më 8 shkurt. Kontigjenti i fundit i madh i trupave sovjetike kaloi kufirin në Bashkimin Sovjetik nga 11-14 shkurt, nën komandën e drejtuesit të Armatës së 40-të, gjeneralin Boris Gromov, duke kaluar kufirin më 15 shkurt.

Sipas gjeneralit Makhmut A. Gareev, këshilltarit të fundit të lartë ushtarak sovjetik për Ushtrinë RDA, Armata e 40-të transferoi rreth 990 automjete të blinduara, rreth 3000 kamionë, 142  gryka artilerie,  82 mortaja, 43 raketahedhës të shumëfishtë, 321 sisteme të mbrojtjes ajrore, mbi 14,000 armë të vogla dhe rreth 1,706 raketahedhës për ushtrinë afgane. Ndërsa tërheqja u krye profesionalisht me humbje minimale jetësh dhe materialesh nga pala sovjetike, shpallja e një plani zyrtar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Gjenevës në 1988 i detyroi sovjetikët të dorëzonin autoritetin në disa provinca para kohe, gjë që krijoi vakum, pasi ushtria RDA ishte e stërngarkuar dhe kjo që  kontribuoi në mënyrë thelbësore që kryengritësit të kontrollonin  pjesë gjithnjë e më të mëdha të terrenit, veçanërisht në Afganistanin Lindor.

Plani i tërheqjes inkurajoi gjithashtu kundërshtarët e Bashkimit Sovjetik – kryesisht Shtetet e Bashkuara, Pakistanin dhe Arabinë Saudite – që të rrisin mbështetjen e tyre për kryengritësit. Ndërsa Moska e kërcënoi Islamabadin më shumë se një herë me pezullimin apo edhe anulimin e tërheqjes, respektimi i rreptë i orarit nga ana e Bashkimit Sovjetik ua bëri të qartë kundërshtarëve të tij se ai nuk kërkonte në asnjë rrethanë të shkelte kushtet e Marrëveshjes së Gjenevës. (Shumë burime konfirmojnë se Byroja Politike Sovjetike kishte vendosur  të tërhiqej në 1988/1989 edhe pa Marrëveshjet e nënshkruara të Gjenevës .)

Pas përfundimit të tërheqjes në shkurt, sovjetikët filluan një transport masiv ajror të armëve dhe furnizimeve në Kabul në mars 1989. Vetëm në vitin 1990, Bashkimi Sovjetik furnizoi qeverinë afgane me “54 aeroplanë ushtarakë, 380 tanke, 865 transportues të blinduar, 680 armë kundërajrore, 150 raketahedhës R-17 dhe mijëra tonë karburant”,  dëshmi të një diplomati rus.

Që nga momenti i tërheqjes së tij deri në dhjetor 1991, Bashkimi Sovjetik vlerësohet të ketë shpenzuar 3-4 miliardë dollarë në ndihmë ekonomike dhe ushtarake në vit për të mbështetur regjimin Najibullah në Afganistan. Qindra këshilltarë ushtarakë dhe kontraktorë civilë mbetën në vend deri në rënien e Bashkimit Sovjetik. Ishte ndërprerja e mbështetjes financiare dhe ushtarake të Moskës që përfundimisht e e çoi drejt rënies regjimin Najibullah, në vend të sukseseve të zgjeruara në fushën e betejës të muxhahedinëve kundër forcave qeveritare.

Po ndodh...