Ferenc Molnar, një emër që na kujton fëmijërinë

Duke ndjekur kalendarin enciklopedik për datën e sotme m'u ngacmuan kujtimet e mbi një gjysmë shekulli të shkuar. Në këtë ditë ndërroi jetë shkrimtari aq i njohur dhe i dashur për fëmijë – Ferenc Molnar. Për fëmijët e brezit tim emri i tij është lidhur pazgjidhshmërisht me librin e tij aq të ngrohtë e mbresëlënës - “Djemtë e rrugës Pal”.

Historia zhvillohet në një qytet hungarez dhe tregon aventurat e një grupi fëmijësh, 12-14 vjeçarë. Boka, është lideri i "bandës", e cila përfshin Kselin, Nemeckeun, Ksonakosin, Gereb, Kolnin, Veisin, të njohur si “Djemtë e rrugës Pal”. Në lagjen e tyre ishte një shesh plot me kolona druri, me shtigje që përngjasojnë me një labirint të vërtetë. Në qendër të sheshit ishte një shtëpi e vogël. Djemtë e kishin kthyer këtë shesh në tokën e tyre, ku ata luanin me njëri tjetrin. Secili prej tyre kishte “gradë ushtarake”, përveç më të voglit –Nemecek. Ai ishte i vetmi “ushtar” i thjeshtë dhe të gjithë e komandonin duke i dhënë urdhra. Çdo ditë, pas shkolle, djemtë shkonin tek fusha, që ishte gjithë bota e tyre. Mirëpo, djemtë kishin një armik shumë të fortë. Ky ishte Çeko Aci dhe banda e tij. Ata ishin ca djem trupmëdhenj, e në moshë më të madhe se ta. Çeko Aci kërkonte t'u merrte fushën e t'a bënte të tijën dhe të shokëve të vet. Por, për djemtë e vegjël, fusha ishte “atdheu” i tyre. Për t'a mbrojtur atë djemtë kaluan shumë aventura e peripeci. Ky qe shkaku që vogëlushi Nemecek u sëmur keq. Djemtë e rrugës Pal dhe banda e Çeko Acit zhvilluan një betejë dhe ai që do ta fitonte do të mbante fushën. Djemtë e fituan këtë betejë vetëm falë zemrës të tyre trimërore. Në fund të romanit, i gjori Nemcek vdes dhe sheshi për të cilën ai u sëmur dhe kaloj kaq çaste të vështira u prish sepse aty do të ndërtohej një pallat !
Sa e ngjashme është kjo histori me fëmijërinë tonë, në Korçën e atyre viteve. Fëmijët e çdo mëhalle, ishin organizuar në grupe, që formonin shoqëri, të emërtuara me emra karakteristike. Ajo e jona quhej shoqëria “Tigri”, emër që ish shkruar me bojë të kuqe në fasadën e një shtëpie, përballë Kinema Verores. Nuk di pse e kish atë emër, por si tani kujtoj “ndeshjet” që bënim me shoqëritë e tjera, herë miqësore, por shpesh edhe të dhunshme, duke përdorur si mjete “lufte”, llastikat, gurët apo shkopinjtë. Shoqëritë organizonin lojërat që, si me një “urdhër” magjik, i linin vendin në kohë njëra tjetrës. Me fillimin e pranverës, fillonin me cinglat, kaladibrançet, gllomkat, llastikat, fugat, ashiket….e sa e sa të tjera.
Edhe ne e kishim atë sheshin tonë, si djemtë e rrugës Pal - ai quhej “Konsulli”, një fushë sportive ngjitur me kinema Veroren. Sot ai shesh nuk ekziston më, aty janë ndërtuar, qe para viteve ’90, pallate banimi. Edhe ne kishim Bokan tonë, ai ishte Memeci. Disa vjet më i madh se ne, ai ishte vërtet memec, por me të merreshim vesh më mirë se me fjalë, nëpërmjet gjesteve të tij. Ai na mbronte nga Çeko-ja ynë, një djalë shumë agresiv, i mëhallës fqinje –Becoja. Pas shume vitesh, Memeci përfundoi në burg, si hajdut profesionist, ndërsa Becoja u bë kuadër i devotshëm i Sigurimit të Shtetit.
Do të desha, njëherë tjetër, të ndalesha me hollësi, për të përshkruar jetën e fëmijëve 10-12 vjeçarë të fundviteve ’50, botën e tyre emotive, lojërat dhe interesat e tyre, por këto që kujtova më sipër ishin vetëm impresione momentale të ngacmuara nga emri aq i dashur për mua i Ferenc Molnarit dhe librit të tij “Djemtë e rrugës Pal”. /Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
