Masakra në Gjilan, 27-vjeçarja dhe vëllai i saj u qëlluan për vdekje nga bashkëshorti i saj/ Çfarë zbuloi Prokuroria për autorin e dyshuar

10 October 2026, 08:58 / KOSOVA ALFA PRESS
Masakra në Gjilan, 27-vjeçarja dhe vëllai i saj u qëlluan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje të reja për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 tetor në fshatin Livoç i Poshtëm, ku humbën jetën një 27-vjeçare dhe vëllai i saj 31-vjeçar, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 14:30. I dyshuari, V.R., nga Gjilani, dyshohet se për motive ende të panjohura, qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij, N.B., 27 vjeçe, dhe vëllain e saj, E.B., 31 vjeç, duke u shkaktuar vdekjen. Ndërkohë, M.B., 48 vjeç, djali i xhaxhait të bashkëshortes së të dyshuarit, mbeti i plagosur dhe po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Pas ngjarjes, në vendin e krimit mbërritën ekipet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, të cilët ndërmorën veprimet e para hetimore për zbardhjen e rrethanave.

Gjatë hetimeve, autoritetet sekuestruan një pistoletë të markës “Beretta”, e cila kishte leje të skaduar dhe dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale. Gjithashtu, janë kryer kontrolle në tri lokacione që lidhen me pronat e të dyshuarit, ku janë sekuestruar prova të tjera materiale. Prokuroria bëri të ditur se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk janë raportuar më parë raste të dhunës në familje.

Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, të parashikuara nga nenet 173 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

 

 

Po ndodh...