Pse ne dhe universi ekzistojmë?

11 Janar 2023, 19:19 / MISTERE ALFA PRESS

Pse ne dhe universi ekzistojmë?

Universi ka ekzistuar prej miliarda ose më saktë qindra miliarda vitesh, të cilat mund të shkojnë drejt infinitit

“Sekreti i misterit të krijimit vjen deri në ditët tona. Çdo njeri është një mikrounivers. Tek ai janë të lidhura, gërshetuara e të shkrira tri botë: bota inorganike, bota organike dhe ajo shpirtërore duke formuar shkallën më të lartë të lëvizjes e të përsosmërisë së materies...”

Stephen W.Hawking, një ndër nobelistët, matematicienët dhe kozmologët më të famshëm të shekullit njëzetë, pas një pune hulumtuese shkencore të jashtëzakonshme, në përfundim të librit tij “ NJË HISTORI E SHKURTËR E KOHËS” shprehë bindjen që një ditë “të gjithë ne, filozofë, shkencëtarë madje edhe njerëzit e thjeshtë do të jemi në gjendje të marrin pjesë në diskutimin e problemit : PSE NE DHE GJITHËSIA EKZISTOJMË” dhe vazhdon:” Në qoftë se e gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje, ky do të jetë triumfi përfundimtar i arsyes njerëzore...”

Në shërbim të kësaj bindjeje dëshiroj, sigurisht me buon sens, të jap disa mendime, të cilat ndoshta mund të kenë një vlerë qoftë sado të vogël në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të pikëpamjeve filozofike veçanërisht në lidhje me gjenezën dhe të ardhmen e Universit.

Shpresoj në mirëkuptimin dhe dashamirësinë e bashkudhëtarëve të shumtë.

Në një kënd vështrimi Gjithësia ekziston sepse jemi ne. Pa njerëzit, qeniet e vetëdijshme e të ndërgjegjshme nuk do të kishte kuptim koncepti i ekzistencës së Universit.

E thënë ndryshe ajo do të ishte baras me një realitet objektiv të pa përceptueshëm nga askush dhe i rrethuar nga të katër anët me“vellon”magjepse të mrekullisë e të misterit.

Shtrohet pyetja: Kanë kaluar disa mijëra breza dhe shpresojmë të vijnë me qindra mijëra të tjerë. Si mund të imagjinohet Universi para lindjes së Njerëzimit, të çdo njeriut dhe pas fundit respektiv të tyre? Në kuadrin e një jete kur shuhet, sidomos të një qenieje të arsyeshme, a mundët Gjithësia, e cila nuk varet absolutisht nga ne, të barazohet me mungesën e vlerësimit për ekzistencën e saj?!

Pse ne ekzistojmë? Natyrisht, sepse ekziston Universi. Pa sistemin tonë diellor, që është një pjesëze tej mase e vogël e Universit, nuk do të kishte jetë. Ne jemi produkt, në një moment të caktuar të kohës, të kombinimit ideal dhe të përsosur të kushteve e të rrethanave favorizuese tepër të veçanta, të cilat kushtëzuan lindjen e jetës organike dhe shumë vonë të njeriut si krijesa më e përsosur e Natyrës.

Universi ka ekzistuar prej miliarda ose më saktë qindra miliarda vitesh, të cilat mund të shkojnë drejt infinitit... Shumica e shkencëtarëve pranojnë që fillimi i Universit zë fill me Big Bengut ose Shpërthimin e Madh që ndodhi para rreth 20 miliard viteve.

Zanafilla e jetës në planetin tonë llogaritet 3 miliard vite, së pari në formën e një qelize të vetme dhe më vonë u shfaqën organizmat e para të thjeshta në tipe të ndryshme bakteresh etj.

Ndërsa prezenca e njeriut mbi Tokë ka ardhur tepër vonë 1 deri 3 milion vite të shkuara. Universi në shumicën dërmuese të kohës ka vazhduar dhe do të vazhdoj të ekzistoj pa patur vetëdijen, ndjeshmërinë dhe përfytyrimin për vlerësimin konkret të kësaj ekzistence!

Jetojmë në procesin e zgjerimit të pandërprerë të Universit, i cili një ditë shumë të largët patjetër do të ndalohet duke filluar tkurrjen e tij, e cila mund të zgjasë përafërsisht aq sa llogaritet koha që solli Big Bengun ose Shpërthimin e Madh.

Sipas shkencëtarëve dikur në Gjithësi ka patur një pikë jashtëzakonisht të vogël dendësimi të materies e quajtur”singularitet” ku të gjitha teoritë shkencore shemben.”Kjo do të thotë se edhe sikur të ketë patur ngjarje përpara Big Bengut, ato nuk mund të përdoreshin për të përcaktuar çfarë do të ndodhte më vonë, sepse të gjitha parashikimet do të asgjësoheshin tek Big Beng.

Për pasojë, në qoftë se, sikurse ndodh në rastin tonë, ne dimë vetëm atë që ka ndodhur nga Big Bengu e këtej, ne nuk mund të përcaktojmë çfarë ka ndodhur më parë. Për sa na përket, ngjarjet para Big Bengut mund të mos kenë ndonjë pasojë, kështu që ato nuk mund të konsiderohen si pjesë përbërëse e një modeli shkencor mbi Gjithësinë.

Kështu që ne duhet t’i heqim ato nga modeli dhe të themi se koha ka filluar me Big Bengun.”Një Histori e Shkurtër e Kohës”f.46

Ngjeshja e jashtëzakonshme e Universit në një pikë kondensimi me dimensione tmerrësisht të vogla, në mbështetje të nivelit të lartë të zbulimeve shkencore të arritura, mund të imagjinohet se ka ardhur nga tkurrja e tij si pasojë e zgjerimit për miliarda vite para Big Bengut ose si mrekulli e krijimit nga një fuqi e mbinatyrshme.

Në këtë kuadër të rrethuar plot mister lindin disa pyetje: A mund të ketë singularitete të tjera? Më saktë çfarë do ti ndodhi Universit pas 10-20 miliard vite. Mos do vijë fundi i tij?!

Po pas 100, 200 dhe 2000 miliard e më shumë vite, të cilat na inkuadrojnë në “ingranazhet” e infinitit të kohës. Së fundi, a ka fillim dhe fund ndonjëherë Universi?

Theksojmë që rezervat e hidrogjenit në Diell, që digjen me 564 milion ton në sekondë, mjaftojnë për jetën në Tokë vetëm për rreth 5 miliard vite, ndërsa tkurrja e Universit mendohet të filloj pas 10 miliard viteve.

Për pasojë ka të ngjarë që Zgjerimi e Tkurrja e Gjithësisë, si domosdoshmëri e lëvizjes së përjetshme të materies, të sjellë pas disa dhjetëra e qindra miliarda vitesh edhe Big Benga të tjerë. Sa?Natyrisht shumë! Ndoshta pa fund! E thenë ndryshe Universi është i përjetshëm!

Sidoqoftë është shumë vështirë të mendohet që Bing Bengu është fillimi i Universit.” ...Shumica e shkencëtarëve e gjejnë burimin e Universit në një fillim shumë të vogël të dendur( një veçanti), ne nuk mund të shmangim këtë çështje kyçe:” Nëse në ndonjë pikë në të kaluarën, Universi ishte më parë afër një gjendje veçantie, me përmasa marramendësisht të vogla e dendësi të pakonceptueshme, ne duhet të pyesim se çfarë kishte më përpara dhe çfarë gjendej jashtë Universit... Ne duhet të përballojmë problemin e fillimit.- Ser Bernard Lovell.

Çfarë kishte para krijimit të Universit?! Kjo pyetja është dilema më e madhe para shkencëtarëve, filozofëve dhe teologëve të kësaj bote! A ka mundësi që Universi të mos ketë fillim dhe as fund në hapësirë dhe në kohë?! Me një fjalë të jetë i përjetshëm!

Dhe, si mund të përfytyrohet hapësira pa kufi në një gjendje krejtësisht boshe, pa materie dhe asgjë tjetër?!

Apo kishte një lloj jashtëzakonisht të veçantë të ekzistencës së materies, në përmbajtje e formë krejtësisht të pa njohur nga ne, e cila me karakteristikat, veçoritë, cilësitë dhe treguesit e saj ishte e lidhur dhe në vartësi të plotë me Qendrën Spirituale të Mrekullive Supreme që në zbatim të vullnetit të saj sovran, të një dëshire extra dhe të një“urdhri” të kompletuar e perfekt krijoj nga ajo Universin. Sekreti i misterit të krijimit vjen deri në ditët tona.

Çdo njeri është një mikrounivers. Tek ai janë të lidhura, gërshetuara e të shkrira tri botë: bota inorganike, organike dhe ajo shpirtërore duke formuar shkallën më të lartë të lëvizjes e të përsosmërisë së materies.

Zbulimi i madhështisë së Frymës Hyjnore, e cila si mrekulli e pa përsëritshme krijoi Universin ka qenë domosdoshmëri, kërkesë dhe fat i madh për Njerëzimin. Si banorë dhe kalimtar të përkohshëm kurdoherë kemi nevojë për humanizëm, inkurajim, lutje, mëshirë, pendesë, dashuri dhe shpresë, të cilat zbusin, pasurojnë e fisnikërojnë ndërgjegjen dhe zemrat e njerëzve. Zhdukja e shumë zotave të egër dhe monoteizmi ishte fitore e madhe e njerëzimit.

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128