Si nisën “Ethet e Arit”: Gara e mijëra njerëzve për t’u pasuruar shpejt

1 Qershor 2025, 15:48 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Si nisën “Ethet e Arit”: Gara e mijëra njerëzve

Më 16 gusht 1896, 3 eksplorues, 2 indianë dhe 1 kalifornian, zbuluan një sasi të konsiderueshme ari në dy lumenjtë kanadezë, Jukon dhe Klondajk. Lajmi u përhap me shpejtësi në zonat përreth, por nuk arriti në Shtetet e Bashkuara deri në korrikun e vitit 1897, kur minatorët e parë të arit u kthyen në San Françisko dhe Siatëll, pasi u bënë të pasur me arin që kishin gjetur.

Kështu filluan “Ethet e Arit”, periudha e një gare të çmendur për para “të kollajshme”, që nxiti mbi 100.000 njerëz të provonin fatin e tyre në Veriun e Madh. Në fundin e shekullit XIX-të, në Klondajk u gjetën mbi 400.000 kilogram ar. Në mesin e kërkuesve, kryesisht ish-profesionistë të lirë dhe nëpunës, kishte edhe personalitete, si për shembull ish-kryebashkiaku i Siatëllit, i “infektuar” edhe ai nga “ethet e arit”.

Për shkak të racizmit të madh që ekzistonte në atë kohë ndaj indianëve të Amerikës, gazetat e kohës ia atribuan zbulimin kalifornianit Xhorxh Karmak, i vetmi i bardhë i grupit të parë të kërkuesve në zonë. Por sot historianët bien dakord që t’ia atribuojnë zbulimin Skokum Xhim Mejsën, nga populli Tagish që banonte në Jukon.

Douzën Siti, qyteti simbolik i “etheve të arit” i vendosur në brigjet e lumit Jukon, ishte një fshat i qetë para ardhjes së mijëra kërkuesve. Në vitin 1898 ai kishte 40.000 banorë dhe sallone të shumta ku ndodhte gjithçka.

Ardhja e kaq shumë njerëzve favorizoi gjithashtu edhe krimin, të cilin qeveria u përpoq ta frenonte duke dërguar Mounties, policët kanadeze që lëviznin hipur mbi kuaj. Në vitin 1899, me shterimin e rezervave të metalit të çmuar, popullsia e qytetit ra në 8.000 banorë. Në vitin 2016, Douzën kishte vetëm 1.375 banorë.

Ndër kërkuesit më të famshëm mund të përmendim shkrimtarin e njohur Xhek London, që bazuar në përvojën e Jukon shkroi romanet “Thirrja e pyllit” (1904) dhe “Zana e bardhë” (1906). Aventura e London nisi në korrik 1897, së bashku me kunatin e tij, por nuk ishte shumë frytdhënëse. I keq-ushqyer si shumë kërkues të tjerë, ai u sëmur rëndë nga sëmundja e skorbutit, por ia doli të mbijetojë. Në vitin 1898 u kthye në shtëpi me një qese të vogël me pluhur ari, nga shitja e të cilit fitoi vetëm disa dollarë.

Shumëkujt iu duk diçka e lehtë!

Megjithëse mijëra njerëz që u dyndën në Jukon u tërhoqën nga ëndrra e parave të kollajshme, kërkimi i arit nuk ishte diçka e lehtë. Ligji i detyronte kërkuesit të mbanin me vete furnizime ushqimore për 1 vit, dhe për t’i transportuar ato duheshin 20 ose 30 udhëtime.

Përgjatë Shtegut Çilkot, një nga rrugët kryesore të hyrjes në fushat e arit të Jukon, shumë kërkues vdiqën nga hipotermia, u mbytën nga ortekët e dëborës dhe nëse mbijetuan, u detyruan të ngjiteshin në shpate të pjerrëta me pesha të mëdha mbi supet e tyre.

Në fund të 3 viteve të kërkimit për ar, vetëm disa qindra njerëz u pasuruan vërtet. Shumë të tjerë e rikthyen në shtëpitë e tyre me xhepat bosh, por me kokën plot aventura për t’ua treguar të afërmve./Bota.al