Policia blen 650 mijë euro gaz lotsjellës, 6 makina bëhen gati për përballje me turmat

6 July 2026, 13:52 / POLITIKË ALFA PRESS

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka shpallur fituesin e tenderit për blerjen e gazit lotsjellës që do të përdoret nga automjetet speciale të menaxhimit të turmave.

Sipas dokumenteve të konsultuara nga skyweb.al, fituese e procedurës është kompania “RO. GAT SECURITY” sh.p.k, me një ofertë prej 58.5 milionë lekë me TVSH (~650 mijë euro).

Kompania “RO. GAT SECURITY” rezulton në pronësi të Begator Mane dhe Marsel Mane. Ajo është e njohur në tregun e sigurisë edhe për aktivitetin në fushën e shitjes së armëve, municioneve dhe administrimin e një poligoni qitjeje në Tiranë.

Objekti i kontratës është “Pajisje për përdorim policor”, konkretisht “OC Gas Solution”, me bazë Oleorezinë Capsicum, një substancë irrituese që përdoret nga policitë për shpërndarjen e turmave, neutralizimin e përkohshëm të personave të dhunshëm dhe kontrollin e trazirave.

Kontrata parashikon furnizimin me gaz lotsjellës brenda 60 ditëve nga lidhja e saj.

Sipas dokumenteve që ka konsultuar skyweb.al, tenderi është shpallur që në prill 2026, megjithatë blerja vjen në një moment të ndjeshëm, kur protestat janë rikthyer në bulevard dhe përplasjet me policinë kanë shënuar javët e fundit të jetës politike në Tiranë.

Në dokumentet e tenderit, Policia e Shtetit e cilëson blerjen si pjesë të rritjes së kapaciteteve operacionale të Forcës Kombëtare të Sigurisë.

Pjesa më e fortë e dokumentacionit lidhet me arsyetimin e urgjencës. Autoriteti kontraktor ka argumentuar se ndodhet në “kushtet e emergjencës”, pasi automjetet speciale që përdoren për menaxhimin e turmave nuk janë të furnizuara me gaz lotsjellës.

Policia ka aktualisht në përdorim 8 automjete speciale për menaxhimin e trazirave, por sipas dokumenteve, 6 prej tyre janë gati për t’u furnizuar me lëndën OC Gas Solution.

Kjo lëndë përdoret në makinat e ujit dhe lëshohet në formë “shiu”, e përzier me ujin në raport 5 deri në 10 për qind.

Pra, nuk bëhet fjalë për spray dore që mbahet nga efektivët individualisht, por për gaz lotsjellës që përdoret në automjetet speciale kundër turmave.

Oleoresin Capsicum është përbërësi aktiv i njohur ndryshe si lëndë me bazë speci djegës. Ekspozimi ndaj saj mund të shkaktojë djegie të fortë në sy, lotim, mbyllje të pavullnetshme të qepallave, kollë, vështirësi në frymëmarrje, acarim të lëkurës dhe irritim të rrugëve të frymëmarrjes.

Në raste ekspozimi të gjatë, në sasi të madhe apo në ambiente të mbyllura, efektet mund të jenë më serioze./skyweb.al

Po ndodh...