Piktori ka dhënë dorëheqjen, por nuk ja miraton "Aleanca e qelbësirave"!

5 July 2026, 23:56 / IDE NGA KIM MEHMETI
Piktori ka dhënë dorëheqjen, por nuk ja miraton "Aleanca e

Nga Kim Mehmeti 

Mbrëmë mora pjesë në protestën e rinisë shqiptare në Tiranë.

Është një ndjenjë e çuditshme kur ndodhesh mes atij vorbulli të mllefit rinor, një vorbull që është thelluar përgjatë tridhjetë e gjashtë viteve, aq sa ka zgjatur edhe neokomunizmi që ende e sundon Shqipërinë.

Në atë det të dallgëzuar mllefi dhe mosdurimi ndaj një plehu politik tredekadësh, protestuesit më të veçantë më dukeshin ata të punësuar në administratën publike, të cilët, si kalimthi, kërkonin dorëheqjen e "Enverit të Dytë" – Piktorit, për të vazhduar më pas rrugën sikur të mos kishin marrë fare pjesë në protestë.

Duke qenë pjesë e asaj ngjarjeje më të bukur që i ka ndodhur Shqipërisë, nuk munda ta shmang pyetjen: Çfarë njeriu dhe çfarë shqiptari duhet të jesh që të mos e ndjesh atë mllef rinor që nuk të do, që nuk të beson, të cilit ia ke vrarë ëndrrat, e megjithatë të mos japësh dorëheqje?

Pastaj, duke dashur sadopak ta arsyetoj Piktorin dhe të mos e vendos mes pushtetarëve të etur edhe për pak gjak protestuesish, duke i provokuar ata të bëhen ajo që assesi nuk duhet ta lejojnë të bëhen – të dhunshëm – i thashë mikut tim, me të cilin po merrja pjesë në protestë:

"Nuk më besohet Piktori të mos ketë dhënë dorëheqje, por me siguri atë nuk ia miraton 'Aleanca e Qelbësirave'."

Edhe pse prej dhjetë vitesh jam në një luftë të hapur kundër Piktorit, mbrëmë doja të besoja se atij nuk i është trashur aq shumë lëkura e fytyrës, sa të mos ndihet keq kur dëgjon se rinia shqiptare e mallkon dhe e trajton si simbolin e elitave politike që e zhvatën dhe e shkatërruan Shqipërinë.

Po, mbrëmë isha mes protestuesve në Tiranë dhe përfundimisht e kuptova se kjo protestë nuk do të dështojë, sepse ajo, edhe me aq sa ka bërë deri tani, u tregoi shqiptarëve se si mbrohet atdheu nga ata që dinë ta sundojnë popullin, por nuk kanë pushtet mbi hajdutin brenda vetes.

Pra, mbrëmë u binda se Piktori ka rënë, por ende nuk e kanë lajmëruar; se ai ka dhënë dorëheqje, por ‘Aleanca e Qelbësirave’, e përbërë nga kriminelë, nga narkomafia, nga pronarë mediash, nga oligarkë, nga "debatues të pavarur", nga matrapazë dhe nga arkitektë ndërkombëtarë që kërkojnë "shkretëtirën" për të eksperimentuar..., nuk ia miraton dorëheqjen.

Andaj, sado që e di se shumkush do të mendojë se dua t'i jargavitem, mbrëmë m'u dhimbs Piktori.

Dhe andaj pyesja vetveten: Si nuk u gjet qoftë edhe një dashamirës i tij nga radhët e ‘Rilindjes’ që t'i tregojë se jo pse atë e duam ne që e kritikojmë, e as pse ia thotë rinia që proteston, por ai vetë zgjodhi të plaket me fytyrën e turpit. (Kim Mehmeti)

Po ndodh...