Ata mendojnë se nuk do bien duke kërkuar mëshirë, të gjorët!
Jemi mbërthyer nga një grup politikanësh drejtues qeverie dhe drejtues të opozitës, të cilët bashkë me shkatërrimin që po bëjnë vendit po shkatërrojnë edhe veten e tyre!
Përfundimi politik do të jetë shumë i keq për ta. Problemet me ta nisën që nga mënyra se si e kanë marrë pushtetin. Mënyra se si e merr, e ndikon drejtpërdrejt mënyrën se si e ushtron. Parimisht pushteti merret ose me trashëgimi, ose me aftësi dhe zgjuarsi, ose me grusht shteti apo me dhunë.
Aftësia dhe zgjuarsia kanë të bëjnë me zgjedhjet e lira, përdorimin e talentit dhe aftësisë për të fituar zgjedhjet, thotë Elliot Cohen. Ndërsa mënyra e tretë ka të bëjë me çdo lloj dhune, që nga bashkëpunimi me krimin, me korrupsionin e deri tek dhuna fizike e drejtpërdrejtë. Këta të tërë kanë përzier që në krye të herës dhunën, korrupsionin dhe bashkëpunimin me aftësitë dhe zgjedhjet.
Gjithnjë, gjatë gjithë historisë, të gjithë politikanët që përdorin dhunën, korrupsionin dhe mjetet e tjera të padrejta për të marrë pushtetin përballen me pasoja që nuk i parashikojnë dot. Mënyra se si një politikan, një kryetar apo kryeministër e mban pushtetin i paraprin mënyrës se si ai do ta lërë atë.
Mënyrat se si e lë atë janë largimi vullnetar, (Rasti i George Washingtonit, Cincinnatit, Adenauerit, Suarezit etj.), largimi nga humbja normale e zgjedhjeve dhe rënia e mbështetjes dhe largimi nga “marrëzia”, siç e quan Cohen. Marrëzia ka të bëjë me kryerjen e veprimeve të pazakonta deri në çdo lloj forme dhune, blerje, shitje, kërcënimi, krimi për të mos u larguar. Rastet janë pa fund.
Këta lloj politikanësh harrojnë, nuk duan ta pranojnë që çdo pushtet sado i fortë është i përkohshëm, është i brishtë dhe është kontingjent (varet nga rrethanat). Çfarëdo që do të ndodhë, nga pushteti do të largohesh. Ngaqë nuk e pranojnë ose nuk e kuptojnë këtë gjë sillen në mënyrë të tmerrshme, kapen me thonj, bëjnë çdo zullum dhe zgjedhin “marrëzinë” si mënyrë largimi.
Cohen e ilustron këtë gjë me rastin e kardinalit Wolsey, (përshkruar nga Shekspiri tek Henri VIII), që është sekretari i thesarit, njeriu më pushtetshëm i mbretit Henri në Angli. Wolsey është shumë i fuqishëm, bën çdo marifet dhe intrigë, bën çdo krim dhe as e ka mendjen fare se mund të largohet ose mund të bjerë. Por bie kur nuk e priste. Ai sheh pastaj që e vetmja gjë që i ka mbetur është të kërkojë mëshirë, asgjë tjetër. Ja çfarë thotë saktësisht Wolsey tek Henri VIII.
Kjo është gjendja e njeriut: Sot ai nxjerr gjethet e njoma të shpresave, nesër çel, dhe mbulohet dendur me nderet e tij të lulëzuara; ditën e tretë vjen një acar, një acar vdekjeprurës,
dhe, kur ai mendon, i gjori njeri i qetë, me bindjen e plotë se madhështia e tij po piqet, acari ia këput rrënjën, dhe pastaj bie, ashtu siç po bie unë.
Kjo po u ndodh, do u ndodhë me siguri këtyre lloj liderësh politikë që kemi ne. Ndryshe nga Thomas Wolsey i Shekspirit, ata nuk mendojnë se ju ka mbetur vetëm të shpresojnë tek mëshira. Ata nuk e mendojnë pushtetin të brishtë dhe të paqëndrueshëm, ata mendojnë se mund ta mbrojnë atë me gjithçka, duke bërë çdo zullum, pa rënë. Ata mendojne se nuk do bien. Të gjorët. Nuk është kështu. Ama vendit ia morën frymën!
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128