Rama si Kolombi me indianët e Amerikës, i shkreti ofron Pasqyrë për të mashtruar shqiptarët!

24 August 2026, 19:26 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Rama si Kolombi me indianët e Amerikës, i shkreti ofron Pasqyrë

Nga Indrit Gjyzeli

Thirrja e Diellës në "audiencë" nga Edi Rama për të gjykuar ministrat dhe ngrirja e "Pasqyrë Albania" janë dy hapat më qesharakë, por edhe më të vërtetë që ka hedhur ai si kryeministër në këto 13 vite qeverisje. 

Asgjë nuk është shaka. Ky komunikim është modeli se si ai gjykon qytetarët dhe problemet që hasen me to. 

Me të vetët, duke qenë se ka humbur çdo moral për t'u folur për një qeveri që zbaton ligjin, pasi më së shumti identifikohet me "Vendimet Agasi", apo të disa oligarkëve të emëruar prej tij, Rama zgjedh poshtërimin dhe frikësimin. Duke krijuar distancë njerëzore, pasi ja ka ngarkuar Diellës gjykimin, ai e kthen kabinetin e tij, edhe më larg çdo gjykimi njerëzor. Të marrë në pyetje dhe nën gjykim nga Diella, ministrat tani janë numra, jo emra.

Me shumë gjasë, këtë kulturë antihumane ministrat e tij do e përcjellin shumë shpejt në çdo degë të administratës, ku qytetari do gjendet si në një situatë fantastiko-shkencore, ku më kryesorja do jetë të dalë nga dera ku ka hyrë për hallin, se sa ta zgjidhë atë.

Ky komunikim, jo qesharak por poshtërues përmes Diellës, u parapri nga krijimi i "Pasqyrës së Flamingove", e cila duket sikur i kthen qytetarët në kohën e zbulimit të kontinentit amerikan nga Kristofor Kolombi, ku evropianët këmbenin pasqyrë me arin e vendasve.

Dyshja "Diella-Pasqyrë Albania", është gjithashtu oferta ndaj kontestimeve të qytetarëve ndaj politikave qeverisëse, korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies. 

Nën këtë komunikim më shumë fantastik se sa real, Rama i shkretë beson se do gjejë "indianët e tij" në Shqipërinë e vitit 2026, të cilët ai beson se janë gati të japin gjithçka që të shihen në pasqyrën që sugjeron Rama.

Kështu, kushdo që besoi se Rama deshi të thoshte diçka për qeverisjen e tij, për një marrëdhënie të re me qytetarët, e ka tashmë- ai duhet të besojë atë që sugjeron Rama e jo atë që qytetarët shohin me sytë e tyre. 

Më qesharake se kaq zor se të kemi një marrëdhënie tjetër, ku qytetarët të duken kaq të papërfillshëm për qeverisjen.

Si për t'i vënë qershinë mbi tortë situatës absurde me qytetarët shqiptarë, del edhe Berisha që deklaron se, PD ka probleme me qasjen në rrjetet sociale. Pra, sipas tij, PD është bë rrugën e duhur, po bën atë që duhet, që ka ekipin e duhur me të në krye, por nuk ka gjetur rrugën e t'ua rrëfejë dhe qytetarëve. Pastaj, në të njëjtën ditë akuzon Ramën se thjesht i bën tualet faqes së halleve të qytetarëve...

Pra, kjo e hënë nisi me një koordinim Rama-Berisha për t'u tallur me qytetarët- një koordinim që Protesta ka tre muaj që ua ka treguar çdo shqiptari, e që tashmë as krerët e PS e PD nuk e fshehin dot, por e tregojnë ditë pas dite./Alfapress.al

Po ndodh...