Çfarë nuk ua morën dot studentëve në auditor, po përpiqen t'ua marrin në shesh!

22 October 2026, 22:15 / IDE NGA ALBAN KORçA
Çfarë nuk ua morën dot studentëve në auditor, po

Pasi ua vodhën notën, duke e kthyer në mall tregu, pasi ua grabitën dijen, duke e zëvendësuar me diploma pa vlerë, dhe pasi ua morën të ardhmen, duke i përzënë drejt një tuneli pa dritë jashtë vendi, pedagogët u kujtuan më në fund të protestojnë, pikërisht kur e panë veten të zënë ngushtë. Tani, si për të plotësuar koleksionin e grabitjeve akademike, duan t'u rrëmbejnë të rinjve edhe votën, edhe të drejtën për të protestuar. Se çfarë nuk u morën dot studentëve në auditor, po përpiqen t'ua marrin në shesh!

Në një Shqipëri që po zbrazet nga të rinjtë dhe ku universitetet po shndërrohen në muze të diplomave e të titujve akademikë, pensionistët dhe të rinjtë e ardhur nga Bangladeshi duket se po shihen si shpëtimtarët e statistikave të regjistrimit. Mjafton të mbushen listat, të justifikohet ekzistenca e departamenteve dhe të sigurohen pagat e pseudoakademikëve me tituj të fryrë, por me kontribute intelektuale që shpesh duhen kërkuar me mikroskop.

Madje, të qenit pedagog është kthyer në një sport më vete, me disiplina nga më të larmishmet! Për disa, si perversë seksualë, për të tjerë, si biznes fitimprurës ku nota ka çmimin e vet. Ka edhe nga ata që pedagogjinë e kanë punë të dytë, të tretë apo thjesht një dekor elegant në CV. Se, në fund të fundit, ç'rëndësi ka studenti, kur titulli akademik të jep prestigj, rrogë dhe mundësi për të bërë moral publik apo politikë?

Pasi kontribuan në rrënimin e sistemit akademik, pasi heshtën përballë korrupsionit, mediokritetit dhe degradimit të universiteteve, madje edhe përballë çështjeve penale që kanë përfshirë institucione akademike, si rasti i Universitetit Bujqësor, pedagogët na u shfaqën papritur si shpëtimtarë të studentëve! Sa prekëse kjo rilindje e ndërgjegjes akademike! Tani, përmes nismës së quajtur FORUMI I DIALOGUT POLITIK, të lidhur me emrin e Ermal Hasimja, ngrihet një pyetje që nuk mund të shmanget: a synon ky forum mbështetjen e vërtetë të studentëve, apo kanalizimin e revoltës së tyre drejt interesave të politikës tradicionale ku ky i fundit bën pjesë?

 Duke pasur parasysh pretendimet për afërsitë e Hasimjes me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike, lind dyshimi se, nëse protesta nuk mund të përvetësohet politikisht, të paktën mund të zbutet, të kontrollohet dhe, mundësisht, të shuhet me dialog nën tryezë.

Dhe këtu nuk është çështja thjesht te individi Ermal Hasimja, por te mendësia që përfaqësojnë qëndrime të tilla. Kur shqiptarët i përshkruan si të pakulturë, studentët si të pagdhendur dhe vendosmëria e të rinjve trajtohet si kulturë e të fortit, duket sikur po na jepen leksione qytetarie nga ndonjë auditor i Stokholmit, jo nga realiteti i ashpër shqiptar ku jetojmë. Sipas kësaj logjike, qytetari ideal duhet të jetë i bindur, i përmbajtur dhe, mundësisht, të protestojë pa shqetësuar askënd!

Ndërkohë, pyetjet mbi marrëdhëniet e politikës me bizneset e tij, shoqatat, fondet publike dhe aktivitetet shtetërore kërkojnë transparencë. Sepse është shumë komode të përfitosh nga sistemi dhe pastaj të shfaqesh si moderator i revoltës kundër tij.

Prandaj, kujdes nga hipokritët akademikë dhe intelektualët e oborrit! Nga ata që i ndajnë njëri-tjetrit çmime letrare, tituj nderi dhe lavdërime në rrethe miqsh, për t'u ngjitur më pas në podium e për të na shpjeguar me solemnitet se sa mediokre është shoqëria shqiptare. Kujdes nga ata që për vite me radhë e kanë ushqyer këtë sistem, kanë heshtur kur duhej të flisnin dhe sot riciklojnë idetë e të tjerëve si zbulime të mëdha intelektuale.

Sepse hipokrizia më e rrezikshme nuk është ajo e politikanit që kërkon pushtet, por ajo e pseudo-intelektualit që, pasi i ka shërbyer pushtetit, kërkon të na shitet si ndërgjegjja morale e kombit!

Po ndodh...