Me pranga në Rinas: Kush janë personat e lidhur këmbë e duar dhe me ngjyrë që zbresin nga avioni?

22 October 2026, 10:21 / AKTUALITET ALFA PRESS

Me pranga në Rinas: Kush janë personat e lidhur këmbë e duar

Persona me pranga në duar, disa edhe në këmbë, zbresin nga një avion në Rinas, të shoqëruar nga persona të veshur civilë. Kush po i sjell në Shqipëri dhe ku po dërgohen? Identiteti i tyre dhe arsyeja e këtij transporti mbeten të pasqaruara.

Dalin pamjet e zbritjes së disa personave të prangosur nga një avion i kompanisë kroate “Trade Air” në aeroportin e Rinasit.

Ata shoqërohen nga persona të veshur civilë, ndërsa pranë shkallëve qëndrojnë efektivë të Policisë Shqiptare.
 
Në materialin e siguruar janë fiksuar të paktën pesë persona që duken të prangosur, disa prej tyre, sipas pamjeve të videos, edhe në këmbë. Shoqëruesit civilë ecin pranë tyre gjatë zbritjes dhe i drejtojnë drejt autobusit që shërben për transportin brenda aeroportit.

Kush janë këta persona, nga janë sjellë dhe ku po dërgohen? Deri tani nuk është siguruar një shpjegim zyrtar që përcakton identitetin, shtetësinë apo statusin e tyre ligjor. Mbetet e paqartë edhe se cilit institucion i përkasin shoqëruesit civilë dhe cili autoritet ka organizuar transportin.

Në fotografi dallohet qartë emri “Trade Air” në trupin e avionit. Kompania kroate kryen fluturime charter dhe ofron avionë me ekuipazh për kompani të tjera. Por emri i transportuesit nuk përcakton vendin nga është nisur ky fluturim.
 
Një fakt i dokumentuar është se “Trade Air” është përdorur më parë për deportime nga Gjermania. Në përgjigjen zyrtare të qeverisë gjermane për Bundestagun, të datës 19 mars 2020, kompania figuron me 432 persona të deportuar në rrugë ajrore gjatë vitit 2016. Dokumenti provon përfshirjen e saj në transporte deportimi, por nuk i lidh këto të dhëna me personat e filmuar në Rinas.

Ekzistojnë gjithashtu regjistrime publike të fluturimeve të “Trade Air” nga Tel Avivi drejt Tiranës, për llogari të kompanisë Israir. Megjithatë, pa datën e filmimit dhe regjistrimin e avionit, nuk mund të përcaktohet nëse pamjet lidhen me ndonjërin prej këtyre udhëtimeve.

Në klimën e tensionuar të protestave, pamje të tilla krijojnë terren për dyshime dhe teori konspirative. A janë persona të deportuar nga SHBA-ja? A janë sjellë nga Izraeli? Apo bëhet fjalë për një procedurë tjetër transferimi? Asnjëra prej këtyre hipotezave nuk është provuar për këtë rast. Nuk ka as prova që transporti lidhet me protestat.

Prangat nuk tregojnë vetë nëse personat janë të dënuar, të ekstraduar apo të deportuar për shkelje të rregullave të emigracionit. Këtë duhet ta sqarojnë autoritetet që kanë administruar mbërritjen. Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme duhet të japin përgjigje konkrete: cili ishte fluturimi, nga u nis, sa persona u transportuan, mbi çfarë procedure dhe kush i mori në dorëzim?

“MaShqip” publikon pamjet që dokumentojnë zbritjen e tyre në Rinas. Identiteti, arsyeja e transportit dhe destinacioni pas aeroportit mbeten ende për t’u zbardhur./MaShqip

 

Po ndodh...

ide