Telefonatë nga Washingtoni (Trump këshillon Ramën)
…
Rama sapo kishte përfunduar një monolog me Lindën, kur i ra telefoni.
Në ekran shkruante: Washington.
Rama u ngrit menjëherë në këmbë.
Rama: Hello, Mister President! Edi Rama speaking!
Trump: Kush?
Rama: Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë.
Trump: A është Shqipëria ai vendi ku para dy javësh e ndala luftën qytetare?
Rama: Në Shqipëri nuk ka pasur luftë qytetare, Mister President.
Trump: E di. Sepse e ndala unë.
Rama: Por nuk kishte filluar.
Trump: Pikërisht. E ndala para se të fillonte.
Kjo është diplomacia më e mirë.
Të tjerët i ndalin luftërat pasi fillojnë.
Unë i ndal para se të fillojnë.
Rama: Fantastike, Mister President!
Trump: Si the që e pate emrin?
Rama: Edi.
Trump: Edi. Mirë. Ti je humorist i shkëlqyer.
Nuk e kuptoj pse të marrin seriozisht.
Rama: Unë jam edhe artist.
Trump: Artist? Sa paguhet kjo? Po më thonë se je kryeministër.
Rama: Jam kryeministër që nga viti 2013.
Trump: Trembëdhjetë vjet! Dhe akoma nuk e ke kryer punën?
Rama: Populli më do.
Trump: Edhe mua më do populli. Por unë nuk pres trembëdhjetë vjet për ta kuptuar.
Rama qeshi.
Trump: Pse po qesh?
Rama: Sepse je gjeni!
Trump: E di. Ma kanë thënë shumë veta. Edhe ata që nuk më duan.
Rama: Mister President, unë jam miku yt më i madh në Ballkan.
Trump: A je ti ai që më kërkoje publikisht ta thërras në telefon gjykatësin e Hagës dhe t’i them t’i lirojë shokët e Ramës?
Apo si e pate emrin?
Rama: Edi Rama.
Trump: Po, Edi. Çfarë lidhjeje ke me gjykatësin?
Rama: Nuk kam lidhje me gjykatësin. Kam lidhje me të akuzuarin.
Trump: Atëherë pse nuk i telefonon vetë?
Rama: Sepse gjykata është e pavarur.
Trump: Dhe ti kërkon që unë ta telefonoj?
Rama: Pikërisht.
Trump: Domethënë, prej teje është e pavarur. Prej meje jo?
Po SPAK-u, i yni është apo i yti?
Dëgjova se e ke privatizuar.
Rama: SPAK-u është… Ti je presidenti më i fuqishëm në botë.
Trump: Këtë e di. Po ti çfarë je?
Rama: Kryeministri i Shqipërisë.
Trump: Prapë Shqipëria!
Ta kanë parë emrin në dosjen e Charles McGonigalit, ish-zyrtarit të lartë të FBI-së. Ai kishte edhe një çështje për pastrim parash.
Ti pse e ke futur buçkën në dosjet e tij?
Rama: Mister President, unë kisha lidhje miqësore me të.
Trump: Ti e paske pasur mik. Po ai çfarë të ka pasur ty?
Rama: Mik më ka pasur. Ish-mik… Betohem.
Shqipëria është vendi më proamerikan në botë, Mister President.
Trump: Këtë ma kanë thënë edhe shqiptarët e Kosovës.
Rama: Ne jemi një komb.
Trump: Atëherë pse keni dy kryeministra?
Rama heshti.
Trump: Po veriun e Kosovës pse s’e zgjidhët?
E dinit që ne kemi simpati për Trepçën, Kopaonikun, apo si e quani, dhe për liqenin e Ujmanit, që shpirtërisht e mban emrin tim.
Rama: Ishte një ide për paqen. Por…
Trump: Paqja është ideja ime. Ti pse merresh me idetë e mia?
Rama: Unë të admiroj.
E humbëm një zgjidhje historike. Patëm rastin ideal t’ia kthenim dhuratën Rankoviçit.
Trump: Pse dështuat?
Please don’t feel so stupid or insecure, it’s not your fault.
Rama: …Grenelli…
Trump: Për të kam edhe unë pyetje. Kujt ia shiti Amerikën?
Të ka treguar?
Rama mori frymë thellë.
Rama: Mister President, unë gjithmonë kam folur mirë për ty.
Trump: A je ti ai që ka thënë se jam i çmendur?
Rama: Ishte në një kontekst tjetër.
Trump: Këtu ke pasur të drejtë.
Rama mbeti pa fjalë.
Trump: Për të bërë atë që bëj unë, duhet të jesh pak i çmendur.
Por çmenduria ime është shumë e suksesshme.
E jotja si po shkon?
Rama: Unë kam fituar disa zgjedhje.
Trump: Po dëgjoj se njerëzit po dalin në rrugë.
Po vetëdigjesh…
Mbylli kufijtë.
Rama: Opozita po i manipulon.
Trump: Kurse ti po e shpërblen policinë që t’i rrahë?
Fantastike, Kim!
Populli yt e paguan vetë dajakun!
Ti i rreh me paratë e tyre.
Ide e Ballukut kjo?
Dhe për një gjë jam kureshtar: pse Balluku ka më shumë apartamente se unë?
Ma jep numrin e saj.
Rama: Unë dua vetëm ta bëj Shqipërinë madhështore.
Trump: Këtë fjali e kam dëgjuar diku.
Rama: Jam frymëzuar nga ti.
Trump: E kuptova. Po pse nuk e bën?
Rama: Çfarë?
Trump: Shqipërinë madhështore.
Rama: Po e bëj.
Trump: Atëherë pse më telefonon?
Rama: Ti më telefonove mua!
Trump: Vërtet?
Rama: Po!
Trump: Interesante. Kush ma dha numrin tënd?
Rama: Nuk e di.
Trump: As unë. Dhe nuk e mbaj mend pse të telefonova.
Rama: Ndoshta për të më këshilluar.
Trump: Për çfarë?
Rama: Për protestat. Për opozitën. Për të ardhmen time politike.
Trump: Je ende i ri. Mund të merresh me ngjyrosje.
Me kusht që të mos i përdorësh ngjyrat si i pastrehi bukën.
Me shumicë.
Rama: Por unë dua të vazhdoj të jem kryeministër.
Trump: E kuptoj. Edhe unë dua të jem president.
Rama: Çfarë më këshillon?
Trump: Mos u mundo të jesh unë.
Rama: Nuk po mundohem.
Trump: Atëherë pse ma ke marrë fjalinë, gjestet dhe idenë e madhështisë?
Rama: Sepse të admiroj, Donald!
Trump: Më thanë se mbajte një gur në dorë dhe fjalinë e Niçes në gojë. Pa ia përmendur emrin.
Mua më vjedh idetë, atij fjalitë. Nuk vjedhet pasuria e të vdekurit.
Lëre gjermanin rehat.
Ke ngelur te fjalia e tij e konsumuar: “Ajo që s’të vret, të bën të fortë.”
Kujdes kë citon. Niçen e vrau… dashuria.
Rama: Mister President! Më fal…
Trump: …dhe të siguroj: ke përkrahjen time të strehohesh kudo… në Serbi ose në Shqipëri!
Rama: Kujt t’ia jap dorëheqjen?
Trump: Netanjahut. Ose, më mirë, mua.
Do të të shpall çlirimtar të Shqipërisë.
Rama: Unë nuk jap dorëheqje!
Trump: I beg your pardon!
Heshtje.
Rama: Ama… studentët që kërkojnë dorëheqjen time janë injorantë, të paaftë, që s’dinë të lidhin dy fjalë.
Trump: Por dinë të të largojnë.
Nuk po protestojnë për gramatikë.
Skënderbeu nuk i priti oratorët që t’i ndreqnin fjalimin.
Po t’i priste, Shqipëria ende do të ishte nën pushtimin osman.
Heshtje.
Trump: Edhe një herë… emrin!
Rama: Edi Rama!
Trump: Mirë, Ramë. Mos harro një gjë.
Rama: Të dëgjoj me vëmendje!
Trump: Nëse dëshiron të hysh në histori, duhet së pari të sigurohesh që njerëzit ta mbajnë mend emrin.
Rama: Unë jam në histori!
Trump: Mirë. Atëherë ç’bën ende në qeveri? Kthehu në histori.
Rama: Po unë s’kam si të dal nga historia!
Trump: I’ve never seen a thin person drinking Diet Coke.
…
Telefonata përfundoi.
Rama mbeti me telefonin në dorë.
Linda hyri në dhomë.
Linda: Kush ishte?
Rama: Trumpi.
Linda: Çfarë të tha?
Rama: Më dha disa këshilla historike.
Linda: A të njohu?
Rama: Natyrisht.
Linda: Po emrin ta dinte?
Rama: Ma përsëriti disa herë.
Linda: Ti atij, apo ai ty?
Rama nuk u përgjigj.
Linda: Edi?
Rama: Mos ma përsërit edhe ti emrin!
(Linda doli nga dhoma me vrap.)
…
P.S.
Telefonata e radhës:
S’ka më.
...
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
