Ju neveris
Ju neveris të gjithë juve që jeni kaq të kapur pas pushtetit, pas parave të fituara nga zhvatja!
Ju që nuk keni cak njerëzor për karrigen tuaj, jeni gati të vrisni këdo… edhe fëmijë, dhe më pas ju neveris edhe më shumë kur fshiheni pas neneve të Kodit Penal për të justifikuar aktet gjakatare të urdhëruara nga ju!
Ju neveris ju që, teksa shihni si nxihet mishi i protestuesve tanë, mendja ju ndez alarmin: “Bobo, po ramë nga pushteti, si do të pasurohemi ende?!”
E keni zëvendësuar humanizmin me urinë histerike për para dhe pushtet… Nuk ju intereson aspak sa skamje ka në jetën e familjeve të tjerëve, por pasuria që ekspozoni shëmtuar në shtëpitë tuaja.
Por tragjedia është se ju keni përballë binjakët tuaj, që janë njësoj vampirë si ju për pushtet dhe pasuri, por paaftësinë për t’ju mundur juve në luftën tuaj shkatërruese për pushtet, të quajtur garë elektorale, që vetëm e tillë nuk është, e kamuflojnë si skrupuj, si provë që nuk janë të lidhur me krimin dhe sistemin ekonomik si ju, por janë viktima të atij sistemi.
Ata i neveris edhe më shumë se ju! Ju përfaqësoni errësirën e sotme, ata përfaqësojnë errësirën që do të pllakosë të ardhmen tonë!
Ata përbindësha që duan që betejat e tyre t’i fitojnë me gjakun e pafajshëm të fëmijëve të varfër të Shqipërisë. Si mundet të instrumentalizojnë skamjen dhe varfërinë e fëmijëve për t’i ndërsyer përballë dhunës së policisë? Duan viktima në radhët e studentëve që të marrin karrigen që u ofron pasuri!
Bastardë që duan pushtet përmes mishit të nxirë dhe skuqur të vajzave tona të mitura, përmes djemve tanë plot ëndrra të burgosura që, me kurajën që buron nga pastërtia e tyre, përplasen me makinat e hekurta, shkopat e gomës dhe plumbat e gomës.
Hipokritë që kamuflohen pas gënjeshtrës: “Të bëhet garë e ndershme dhe le të fitojë më i miri më pas”.
Me cilën garë të pandershme janë përballur ata?
Bandat tuaja, me fiset plot vampirë të etur për pushtet të tyre?! Oligarkët tuaj përballë miliarderëve të tyre? Të korruptuarit tuaj përballë të korruptuarve të tyre, më të etur se ju për pushtetin e munguar prej vitesh?!
Ata janë njësoj të pasur si ju, njësoj të armatosur me keqbërës si ju në çdo qytet dhe njësoj të lumtur si ju, teksa blejnë jetesën më të shtrenjtë në Washington, Paris, Amsterdam dhe Londër!
Ata, si dhe ju, keni lobimet më të shtrenjta në Washington dhe Bruksel! Ata, si dhe ju, keni vilat dhe shtëpitë më të shtrenjta në Vjenë, Londër dhe çdo kryeqytet të Europës!
Ata humbin përballë jush, jo se ju u bëni padrejtësi në garë, por se janë më të shëmtuar, më të vegjël, më të paaftë se ju për të blerë votat e pazarxhinjve të Shqipërisë, që e shesin votën e tyre si në bursë, e kanë si tender influencën e tyre në vota!
Ata pazarxhinj që i kërkojnë me qiri lekët tuaja në këmbim të votës së tyre, që e kërkojnë me forcë fjalën e të fortëve të qyteteve për përfitime nesër, pasi të kenë mbushur kutitë e votimit me votat tuaja!
Ky sistem nuk jeton dot pa ata… dhe ju!
Varfëria është dinjitet, se kërkon të përballesh me miliona sfida për të ekzistuar, dhe varfëria në shumë popuj ka bërë të mundur revolucione që kanë përmbysur sisteme të korruptuara me fuqinë e moralit të tyre… Në Shqipëri, varfëria ka qenë një maskë për të lyer duart në pazar me ju, për të shitur shpirtin te djajtë si ju dhe binjakët tuaj!
Si shpjegohet ndryshe se prindërit rrinë në celular për të parë se si fëmijët e tyre përleshen me dhunën kafshërore tuajën?! E nuk dalin të mbrojnë fëmijët e tyre nga ju, por kënaqen me spektaklin dramatik të dhunës dhe përleshjes?!
Si shpjegohet që analistë dhe profesorë, gazetarë dhe moderatorë, bëjnë thirrje: “Nuk ikën Edi Rama në mënyrë paqësore, ndaj përballuni me dhunë”, dhe vetë… vetë vishen me kostume firmato, matin mijëra euro dhe lëvizin nga Rogneri në studiot televizive të këtij sistemi?!
Ata janë korbat e zinj, lajmëtarë të tragjedisë! Hipokritët më të mëdhenj që ka mbi tokë!
Ata që e dinë sa të pastra janë ëndrrat dhe revolta e fëmijëve dhe studentëve tanë, por dinë edhe sa të zeza dhe të korruptuara janë zgjidhjet dhe rrugët që ata u instruktojnë!
E në fund, dy fjalë për maskarenjtë e veshur nën rrobat e hoxhallarëve apo mjekrat e priftërinjve!
Ju do të përballeni më keq se askush me gjykimin e Krijuesit për manipulimin që po i bëni fjalës së Tij!
Ju që, të shitur te turku, bëni thirrje nga xhamitë tuaja për të zhdukur armikun që është aleat i sionistëve!
Ju që, nën rrobat e zeza të priftërinjve, bëni thirrje që të luftojmë për të mbrojtur mikun e Netanyahut!
Fëmijët në Gaza janë engjëj të pafajshëm, si fëmijët në Tel Aviv, në Damask, në Teheran dhe kudo tjetër! Të pafajshmit myslimanë janë njerëz që meritojnë gjithë dashurinë dhe mbrojtjen tonë, njësoj siç meritojnë të pafajshmit qytetarë hebrenj, budistë, të krishterë, ateistë… Njeriu meriton dashurinë dhe mbrojtjen tonë, pavarësisht se cilës feje apo race i përket!
Ju nuk predikoni këtë, ju predikoni luftë: “Turqia kundër izraelitëve, hebrenjtë kundër terroristëve” (dhe terroristë quani këdo që beson në Islam).
Ju po i fusni zjarrin e konfliktit edhe në keqshoqërinë tonë, dhe për këtë do të përgjigjeni një ditë!
E si gjithmonë, në këtë ferr, në mes të tij dhe luftës së demonëve me njëri-tjetrin, ndodhen viktimat e përhershme: qytetarët që kanë refuzuar të shesin votën, pavarësisht varfërisë së tyre; qytetarët që kanë refuzuar të bashkohen me dy përbindëshat e këtij ferri. Ata po bombardohen si kurrë më parë me propagandë dhe nxitje për të bërë betejë me viktima!
E në fund, ti që e lexon këtë shkrim dhe po thua: “Ky po e relativizon të keqen duke i bërë të gjithë njësoj”… për ty kam këto fjalë:
Në fund të gjithë të ligëve më sipër, je ti! Më i ligu dhe më i dëmshmi! Se ti ose je aq gënjeshtar sa arrin të bindësh edhe veten për gënjeshtrat e tua, ose je aq budalla sa nuk kupton dot realitetin ku jeton çdo ditë të jetës tënde! Të dyja bashkë nuk mund të jesh, por njëra nga këto je padyshim!
Po ndodh...
Edi Rama po thellon gropën e tij!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
