Transportonte kallashnikov dhe pistoletë me taksi, arrestohet 30-vjeçari në Dibër, dyshohet se do t’i dërgonte në Maqedoninë e Veriut

18 October 2026, 11:41 / AKTUALITET ALFA PRESS
Transportonte kallashnikov dhe pistoletë me taksi, arrestohet

Një 30-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Dibër, pasi transportonte me automjet taksi dy armë zjarri dhe municion luftarak. Nga hetimet paraprake dyshohet se armët i kishte marrë në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim dërgimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut përmes kufirit të gjelbër.

Operacioni policor i koduar “Taksia” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër. Në pranga u vu shtetasi A. T., banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të automjetit taksi, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bllatës”, efektivët gjetën në sediljen e pasme një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër.

Dy armët e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

Sipas veprimeve të para hetimore, 30-vjeçari dyshohet se i kishte marrë armët në Tufinë, në Tiranë, dhe synonte t’i transportonte drejt Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit të gjelbër.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

 

Po ndodh...