Çim Peka siluron ambasadorin e SHBA, Eric Wendt: Je Sherifi i ri, apo CEO i ri i "Zvërnecit"?

19 October 2026, 14:50 / POLITIKË ALFA PRESS
Çim Peka siluron ambasadorin e SHBA, Eric Wendt: Je Sherifi i ri, apo CEO

Drejtuesi, gazetari dhe analisti i medies "Syri" Çim Peka, nëpërmjet një shënimi në faqen e tij në FB, ka hedhur dyshime për rolin e ambasadorit të ri të SHBA në Shqipëri, Eric Wendt. Në kontekstin e protestave të forta gjatë këtyre 7 ditëve në Tiranë, Peka, i bën një pyetje retorike gjeneralit: Je Sherifi i ri, apo thjesht një CEO i resortit të Zvërnecit që synohet të ngrihet në nga invstitorë nga Katari, në bashkëpunim me dhëndrin e presidentit Trump, Kushner.

Peka këshillon gjithashtu PD e udhëhequr nga Sali Berisha, që të heqë dorë nga pritja e sinjaleve prej ambasadave, pasi mandatet i ka nga shqiptarët!

Shënimi i plotë i Çim Pekës:

Një kryeministër që i paraqet gazetarët si armiq të policisë po përgatit alibinë për çdo abuzim ndaj tyre. Mesazhi është i rrezikshëm: problemi nuk është çfarë bën pushteti, por kush guxon ta tregojë.

Denoncimet për dhunë ndaj gazetarëve të SYRI-t dhe News24 kërkojnë hetim të pavarur. Uniforma nuk është pronë e kryeministrit. Buxheti nuk është fond besnikërie. Dhe shpërblimet për policët nuk mund të shërbejnë si mburojë ndaj përgjegjësisë.

Këtu fillon edhe prova e ambasadorit të ri amerikan.

Nëse ke ardhur të përfaqësosh Amerikën, mirë se vjen. Por mbrojtja e investimeve amerikane nuk të përjashton nga përgjegjësia për të folur kur cenohet shtypi. Përkundrazi: heshtja e bën çdo fjalim për demokracinë të tingëllojë si reklamë.

Zvërneci mund të jetë projekt biznesi. Shqipëria nuk është.

Nëse zëri diplomatik dëgjohet vetëm kur flitet për investime, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin kë përfaqëson ai zë. Titullin “sherif” nuk ta jep emërimi. Autoritetin ta jep qëndrimi.

Edhe opozita duhet të heqë dorë nga pritja e sinjaleve prej ambasadave. Mandatin e ka nga shqiptarët. Nuk mund të kërkojë besimin e tyre dhe lejen e diplomatëve për të vepruar.

Ndërsa ata që në media presin të shohin nga anon peshorja, po bëjnë llogari me lirinë e kolegëve. Sot heshtin për tjetrin. Nesër mund të kërkojnë që dikush të flasë për ta.

Për Ramën, mesazhi është i qartë: çdo abuzim që dokumentojmë do ta publikojmë. Çdo dhunë do të kërkojë përgjegjësi.

Gazetarët nuk janë punonjësit e tu. Shqipëria nuk është kompania jote. Dhe e vërteta nuk merr urdhra nga zyra jote./Alfapress.al

Po ndodh...