Elitat heshtin, Rama bën pazare, shqiptarët paguajnë!

19 October 2026, 12:30 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Elitat heshtin, Rama bën pazare, shqiptarët paguajnë!

Nga Indrit Gjyzeli

Cila është ajo forcë që e bën elitën tonë të heshtë sa herë Shqipëria ka nevojë, sa herë që qeveritë tregojnë se kanë humbur busullën për të qenë llogaridhënëse dhe që të mbajnë përgjegjësi?

A mund të jenë dakord elitat që një qeveri t'i etiketojë injorantë, ata që e kontestojnë?

Shpesh, në historinë botërore, heshtja e elitave i ka hapur rrugën vendosjes së sistemeve gjakatare, si komunizmi, fashizmi e nazizmi, duke prodhuar viktima dhe një dëm të pallogaritshëm në të ardhmen e përbashkët.

Të rinjtë në shesh më shumë se sa pa shkollë janë të injoruar. Shohin se si prindërit nuk janë aspak në shtëpi sepse duhet të bëjnë dy punë për të mbajtur një shtëpi, shpesh me qira të papërballueshme dhe me ushqime më të shtrenjta se sa shumica e vendeve europiane, që kanë një nivel jetese shumë më të mirë se sa Shqipëria.

Kryeministri i një vendi kurrë nuk mundet të fyejë një grup njerëzish, por duhet të ketë përulësinë t'i kuptojë, t'i dëgjojë edhe kur ata nuk ja shkruajnë letrarisht kërkesat.

Është edhe më fyese që në kulmin e përballjes t'iu shkosh policëve e t'u thuash se do i shpërblesh. Këtë praktikë e bëjnë vetëm kapot e lagjeve, krerët e grupeve kriminale, që rrisin shpërblim për mbrojtësit e tyre në kohën kur u rrezikohet pushteti. Ky inkurajim për të mbrojtur atë përballë qytetarëve është një fyerje për çdo njeri që kërkon ende të shohë se si kryeministri apo të zgjedhur të tjerë, të përdorin urtësinë në vend të forcës.

Padyshim që dhuna ndaj policëve, ndaj bizneseve, ndaj institucioneve nuk është zgjidhje. Por inkurajimi i policisë për konflikt me qytetarët është edhe më e poshtër, se sa ajo që bëjnë të rinjtë.

Nuk ka asgjë për t'u krenuar kur protestuesit godasin një polic, sidomos kur vijojnë dhunën teksa është i pambrojtur. Nuk ka asgjë për t'u krenuar në thyejen e dyqaneve. Por ka shumë për t'u trishtuar kur sheh kryeministrin që me megalomani shprehet se vetëm ai është shpëtimtari, se pa të nuk bëjmë hap. Një pretendim djallëzor, si në kohën e diktaturës- Po vdiq Enveri nuk ka jetë, nuk vjen askush!

Edhe më qesharak bëhet Rama kur betohet për mbi 800 mijë vota, të cilat ishin ditën e votimit, por që nuk janë garanci për një kryeministër që ka dhunuar gjithçka duke ja dorëzuar Gysit, Ermal Beqirit, apo të gjithë të fortëve.

Për më tepër ky vend ka pasur edhe një fitore me vota të Ramiz Alisë në mars 91, por që vetëm pas disa muajsh u rrëzua, apo një Berishë me 122 deputetë më 1996, por që nuk e mbushi dot vitin në pushtet. Ndaj 800 mijë votave u duhet t'i përulet që i gënjeu, sepse u tha se do bëjë një shtet me rregulla e përgjegjësi, por që në fakt, mbrojti Ballukun, rrëzoi Gjykatën Kushtetuese për Xhaçkën, rreshtoi zyrtarët në zyrën e Agasit dhe la shërbimin informativ që në vend që të informonte qeverinë, informonte njerëzit në arrati.

Në këtë aspekt Rama e ka humbur moralin për të numëruar votuesit e majit 2025. Aq më tepër, në momentin që i quan injorantë, ai nuk mundet asesi të drejtojë më as për një minutë më shumë këtë vend.

Është e vërtetë, ekuacionin e ndryshimeve ka kohë që e ka zhbërë Berisha, i cili vijon të jetë materiali i vetëm që i krijon alibi në marritë e tij politike, pasi njerëzit nuk po shohin askund një opozitë që di të lexojë realitetin.

Ndaj sot, kushdo që e konsideron veten pjesë të elitës, nuk mund të lejojë të vijojë një kryeministër që mendon se ka privatizuar qeverisjen, integrimin në BE, edukimin, të vërtetën. Sepse të tillë kryeministra, që e kanë identifikuar veten me të ardhmen e një vendi i kemi parë te Lenini e Stalini, te Hitleri, Musolini, Enveri, Kim Jongu, dhe e dimë fundin e të tillëve dhe popujve, sepse kemi qenë vetë nën një të tillë fat për mbi 45 vite./Alfapress.al

Po ndodh...