Kërcënimet për bombë në institucionet shqiptare, Policia: Emaili u dërgua nga një adresë në Arabinë Saudite

19 October 2026, 12:01 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kërcënimet për bombë në institucionet shqiptare,

Policia ka reaguar lidhur me mesazhin elektronik kërcënues që mbërriti në disa institucione në Shqipëri, ku pretendohej se ishin vendosur lëndë shpërthyese dhe paralajmëroheshin akte terroriste.

Sipas njoftimit zyrtar, nga verifikimet paraprake rezulton se emaili është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.

Autoritetet bëjnë me dije se mënyra e dërgimit të mesazhit paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme ishin dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.

Mesazhi kërcënues u dërgua në disa adresa të institucioneve shtetërore, mes tyre Kryeministria, ministritë, institucionet e drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë. Pas marrjes së tij, në Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit u morën masa sigurie, duke përfshirë evakuimin e ambienteve.

Policia e Shtetit bën të ditur se strukturat përkatëse po vijojnë verifikimet dhe veprimet hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, si dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.

 

Po ndodh...