Përplasje me armë në Laprakë, 37-vjeçari godet 47-vjeçarin me qytën e pistoletës

25 August 2026, 13:46 / AKTUALITET ALFA PRESS

Sherr me armë në Laprakë, 37-vjeçari godet

Një konflikt mes dy personave në Laprakë përfundoi me arrestimin e një 37-vjeçari, pasi dyshohet se ka përdorur një pistoletë që e mbante pa leje për të goditur një 47-vjeçar.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit, rreth orës 21:45, në rrugën “Eshref Frashëri”. Pas marrjes së njoftimit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, mbërritën në vendngjarje dhe ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Sipas hetimeve paraprake, 37-vjeçari I. K., banues në Krujë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me qytën e pistoletës 47-vjeçarin A. M., banues në Laprakë.  

Gjatë veprimeve policore u sekuestrua arma e zjarrit, së bashku me krehrin dhe fishekët. 37-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për veprat penale që lidhen me ngjarjen dhe mbajtjen pa leje të armës.

Ndërkohë, 47-vjeçari është proceduar në gjendje të lirë për “Moskallëzim të krimit”.

 

Po ndodh...