“Uzurpator, po bllokon institucionet”/ PDK dhe Aleanca “i zënë pritë” Kurtit: Mos u struk në zyrë!

25 August 2026, 12:43 / KOSOVA ALFA PRESS
“Uzurpator, po bllokon institucionet”/ PDK dhe Aleanca “i

Vijon aksioni opozitar në Kosovë në kryeministri. Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, këshilltarë komunalë, drejtorë e aktivistë të këtij subjekti politik në Prishtinë, por edhe deputetë të Aleancës kërkuan që kryeministri në detyrë, së bashku me ministrat ta lirojë objektin, pasi sipas tyre janë uzurpatorë.

Ata kanë kërkuar nga Albin Kurti që mos ta shkelë Kushtetutën por të shkojë në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive.

Megjithatë nga Vetëvendosje dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka heshtje të plotë dhe asnjë datë se kur mund të përfundohet konstituimi i legjislaturës së re. Deputetët e PDK-së dhe Aleancës theksuan se qytetarët po i ndjejnë efektet e krizës së tejzgjatur politike dhe institucionale.

Blerta Deliu, deputete e PDK: “Jemi këtu për të përsëritur edhe një herë kërkesën tonë për kthim të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Pra, ne po i themi sot troç, Albin Kurtit dy gjëra. E para që ai dhe ministrat e tij, të cilët janë në këtë objekt, janë uzurpatorë dhe duhet ta lirojnë këtë objekt. Dhe e dyta ata duhet të kthehen në Kuvend e t'i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit. Pra, Kosova po stagnon dhe me të drejtë e tha sot edhe asamblistja e komunës së Prishtinës sepse pasojat po i ndjejnë qytetarët e Republikës.”

Besnik Tahiri, deputet i Aleancës: “Porosia është shumë e thjeshtë që shkelësi recidivist i Kushtetutës vazhdon të struket në zyrën e vet. Ai 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ua ka marrë mandatin që ja ka dhënë populli. Ai një njeri i vetëm nuk lejon që të ushtrojmë detyrën tonë si të zgjedhur të popullit, të votuar nga sovrani në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me të vetmin qëllim me e gjet diku një derë në mënyrë që edhe pozicionin e presidentit me e kap për partinë e vet dhe me e kthyer logjikën e partisë që e udhëheq parti shtet. Mandati është i yni, i deputetëve që na ka dhënë populli. Këtë mandat nuk guxon as Albin Kurti as askush tjetër na e merr.”

Po ndodh...