Evropa që imagjinojmë dhe Shqipëria që duhet të evropianizojmë

22 August 2026, 21:25 / IDE NGA ADRI NURELLARI

Evropa që imagjinojmë dhe Shqipëria që duhet të

Pothuaj katër dekada më parë, në grahmat e fundit të regjimit diktatorial, kudo në Shqipëri shpërtheu parrulla “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Që atëherë, nëpër tranzicionin e stërzgjatur, përkatësia evropiane ka sunduar diskutimin publik.

Nga kafenetë e mbushura me tym duhani te studiot e ndriçuara televizive është folur për Evropën sikur ajo të ishte një shtëpi nga e cila historia na kishte nxjerrë me dhunë padrejtësisht dhe ku tani thjesht prisnim të na hapej dera.

Refreni “ne jemi evropianë” përsëritet me krenari të vetëkënaqur, sikur të ishte një e drejtë natyrore e patjetërsueshme, që nuk kërkon asnjë provë morale, institucionale apo etike.

Ky pohim paraqitet shpesh si një lloj kredenciali identitar, pak a shumë në linjat se ndodhemi në Evropë, jemi të lashtë, jemi të bardhë dhe të padallueshëm fizikisht nga ata, vishemi si ata, dëgjojmë muzikën e tyre, si një italian, një grek apo një gjerman — atëherë si mund të vihet në dyshim përkatësia jonë evropiane?

Është një nga keqkuptimet më të thella e më me ndikim të botës së sotme shqiptare: mjafton të jemi të ngjashëm në sipërfaqe për të qenë pjesë e një bashkësie vlerash që, në fakt, kërkon krejt tjetër gjë.

Në radhë të parë, evropianizmi është reduktuar në një akt të pastër konsumizmi dhe ngjashmërie fizike.

Në rrugët e Tiranës, por edhe të Prishtinës apo Shkupit, kultura e dukjes apo dënglave dominon çdo pore të jetës. Veshjet e markave më të shtrenjta ndërkombëtare, ndjekja fanatike e tendencave të fundit të markave të modës, celularët e teknologjisë më të fundit dhe ekspozimi i një stili jetese luksoz në rrjetet sociale përdoren si prova të pakontestueshme të “nivelit evropian”.

Ky fiksim pas racializmit dhe estetizimit të përkatësisë është një mbetje e thellë provinciale. Ai injoron krejtësisht faktin se Evropa moderne është, mbi të gjitha, një hapësirë politike e ndërtuar mbi qytetarinë universale, të drejtat themelore dhe pluralizmin, e jo një klub ekskluziv biologjik apo racor.

Po ashtu, fakti që ke blerë kostum të shtrenjtë nuk e fshin zakonin harbut për t’i zënë radhën tjetrit në sportel; muzika elektronike perëndimore që dëgjon nuk të mëson të respektosh këmbësorin në vijat e bardha dhe fakti që ke lëkurë të bardhë nuk të shpëton nga mendësia klanore, nepotizmi dhe korrupsioni i përditshëm.

Ky, pra, është evropianizimi i vitrinës, një makijazh i trashë që tenton të fshehë mungesën e një kulture funksionale qytetare.

Kur argumenti estetik rezulton i pamjaftueshëm përballë kritikave reale mbi funksionimin e institucioneve tona, shoqëria jonë aktivizon mekanizmin e dytë mbrojtës: narkozën e lashtësisë.

Diskutimet e pafundme mbi pellazgët, ilirët, autoktoninë mijëravjeçare, hulumtimet gjenetike dhe statusin tonë si “populli më i vjetër i gadishullit” shndërrohen në një lloj valute historike me të cilën pretendojmë të blejmë të ardhmen.

Në mungesë të laboratorëve shkencorë modernë, të universiteteve cilësore, të industrive inovative apo të gjykatave të pavarura, ne prodhojmë mitologji të së shkuarës për të ushqyer një krenari të zbrazët.

Ky kompleks për autoktoninë funksionon disi edhe si një alibi e rrezikshme psikologjike, sepse krijon idenë se, meqenëse, demek, ishim këtu përpara të tjerëve, merita jonë është e garantuar nga e kaluara dhe nuk kërkon asnjë përpjekje në të tashmen.

Për më tepër, kjo mani kolektive për histori zhvendos përgjegjësinë e brezit tonë për dështimet bashkëkohore te komplotet e historisë, duke e lënë shoqërinë në një gjendje pasiviteti fëminor.

Mirëpo, Evropa e shekullit XXI nuk pyet se cilat fise jetonin në këto troje para dymijë vjetësh. Ajo nuk është një kongres paleontologjik apo arkeologjik, por një realitet dinamik ekonomik, politik, teknologjik dhe ligjor.

Të krenohesh me paraardhësit e lashtë ndërkohë që toleron spitale pa ilaçe, shkolla pa ngrohje dhe një sistem drejtësie të kapur nga krimi, është njësoj si të mburresh me një pemë gjenealogjike fisnike ndërkohë që jeton mes rrënojave dhe borxheve të pashlyera, pasi e ke bërë pasurinë e familjes rrush e kumbulla.

Një nga shprehjet më flagrante të këtij keqkuptimi historik është mënyra se si elitat dhe shoqëria shqiptare përdorin figurën e heroit kombëtar Skënderbeut. Jo si simbol të qëndresës, të vizionit shtetformues dhe të shkëputjes nga Perandoria Osmane, siç e konceptonin rilindësit, por si një argument se Evropa na ka një borxh historik.

Nisur nga titulli i tij papal si Athleta Christi — Kampion i Krishtit — përpjekjet dhe periudha e Skënderbeut evokohen me krenari luftarake si dëshmi se “ne kemi mbrojtur Evropën”.

Por kjo qasje projekton një vizion thellësisht mesjetar dhe arkaik mbi identitetin evropian. Ajo e redukton konceptin e Evropës në një bastion të krishterë mesjetar që ende lufton kundër një bote të jashtme islamike, duke anashkaluar krejtësisht transformimet radikale që e kanë bërë Evropën kjo që është sot.

Evropa moderne nuk lindi nga kryqëzatat apo nga titujt kalorësiakë të Vatikanit, por nga Iluminizmi, nga revolucioni shkencor, nga mendimi kritik i Galileut, Dekartit, Monteskjës, Lokut e Kantit dhe nga një luftë e gjatë e përgjakshme kundër obskurantizmit fetar, dogmës kishtare dhe absolutizmit monarkik.

Armiku kryesor i Iluminizmit evropian nuk ishte bota islame, por errësira e brendshme intelektuale, fanatizmi fetar, inkuizicioni, mungesa e arsyes dhe përqendrimi i pushtetit. Evropa u bë e lirë dhe e zhvilluar pikërisht sepse arriti të ndante kishën nga shteti, të vendoste arsyen mbi besimin e verbër dhe shkencën mbi doktrinën.

Në këtë Evropë postiluministe ne rrekemi të integrohemi me mentalitetin e një llogoreje teokratike mesjetare.

Kjo mendësi sipërfaqësore, që e percepton qytetërimin si dekor dhe jo si vlerë shpirtërore dhe shoqërore, ka gjetur shprehjen e saj më brutale në arkitekturën urbane të hapësirës sonë rajonale.

Ajo ka ushqyer iluzionin se, nëse ndërton diçka që imiton stilin barok, neoklasik apo modernizmin abstrakt prej xhami, ke ndërtuar automatikisht Evropën. Kjo është formula e preferuar e autokratëve rajonalë, të cilët e përdorin estetikën arkitekturore si instrument për të maskuar kalbëzimin e institucioneve demokratike dhe shkatërrimin e ekonomisë së tregut.

Autokrati i parë që e aplikoi këtë formulë në rajon ishte ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski me projektin “Shkupi 2014”.

Vizioni i tij qe ndërtimi i godinave false baroke, kolonave të allçisë dhe statujave gjigante që synonin të jepnin iluzionin e një qyteti evropian, ndërkohë që synohej gjithashtu zhdukja e historisë autentike shqiptare dhe arkitekturës otomane të qytetit.

 

E gjitha kjo shoqërohej paralelisht me korrupsion masiv, kriminalizim, kapjen e shtetit, polarizim të urrejtjes etnike e fetare, si dhe shkatërrimin e lirisë së medias.

Pas Gruevskit, stafetën në Ballkan e mori Rama me ballina shumëngjyrëshe, kulla të larta xhami, resorte dhe qendra futuriste të reklamuara ndërkombëtarisht.

Këto ndërtime fasadë financohen me paratë e krimit dhe trafiqeve, zhdukin trashëgiminë historike, betonizojnë qytetet dhe përqendrojnë pushtetin në një dorë.

Lideri tipik lindoro-ballkanik e di mirë se qytetari i tij është i etur për dukje, për vanitet. Prandaj, i ofron kulla të shndritshme ose kolonada allçie, ndërkohë që në prapaskenë ushqen klientelizmin dhe korrupsionin, rrëmben të gjitha pushtetet dhe mbyt çdo zë kundërshtues.

Ky është evropianizimi fasadë, një butafori e një metropoli evropian, që pas skenës fsheh një sulltanat modern ku ligj është vullneti i një njeriu të vetëm.

Të ngatërrosh kullat e xhamit apo gipsin e stilit neoklasik me demokracinë liberale është naiviteti më i madh që mund të bëjë një shoqëri.

Prandaj, para këtij teatri të dukjes dhe iluzioneve groteske estetike, shpjegimi se çfarë do të thotë të jesh evropian është një nga nevojat më të mëdha që ka shoqëria jonë sot.

Siç kanë argumentuar disa nga vëzhguesit e hulumtuesit më të mprehtë politikë evropianë, evropianizimi nuk arrihet duke kopjuar ligjet në letër, por kërkon socializim dhe përvetësim të vlerave nga brenda, duke i bërë ato pjesë të kulturës së përditshme.

Evropianizimi është ndryshim i thellë mendor dhe kognitiv, pasi, nëse nuk ndryshon mënyra se si shoqëria koncepton pushtetin, ligjin dhe interesin publik, fasadat mbeten thjesht iluzion.

Evropianizimi i vërtetë nënkupton pluralizmin tolerant, shtetin e së drejtës, barazinë para ligjit, tregun e mbështetur te konkurrenca e lirë dhe përgjegjësinë qytetare.

Evropianizimi nuk dështon vetëm sepse politikanët vjedhin, por edhe sepse qytetari është i gatshëm t’i japë “kafe” mjekut, të kopjojë në provim, të kërkojë mik për një vend pune në shtet apo të shkelë rregullat sapo nuk e sheh polici.

Për sa kohë shoqëria dënon korrupsionin e madh në televizor, por praktikon dhe justifikon mikrokorrupsionin e përditshëm si “rrugë të shkurtër”, shteti evropian do të mbetet një iluzion.

Nëse një shoqëri beson se ryshfeti është “zgjidhje e shpejtë e duhur”, se lidhja me partinë është më e rëndësishme se meritokracia, se problemet zgjidhen me një “dorë të fortë” dhe jo me institucione të forta dhe se e kaluara e largët të jep të drejtë të shkelësh rregullat sot, atëherë nuk ka ndodhur asnjë evropianizim real.

Shoqëritë që mendojnë kështu thjesht kanë mbetur mendërisht në strukturat e vjetra, pavarësisht se kanë adoptuar telefonat më të fundit dhe markat më të shtrenjta milaneze apo pariziene.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë ta kërkojë Evropën me mendësinë e turistit që admiron vitrinat, por nuk interesohet për atë që e bën të mundur mirëqenien pas tyre.

Ne duhet të çlirohemi nga mitologjitë ngushëlluese të së shkuarës, nga mburrjet me gjakun ilir dhe lavditë mesjetare, por edhe nga vetëkënaqësia sipërfaqësore e markave vezulluese dhe kullave prej xhami.

Evropianizimi duhet të bëhet një projekt i brendshëm emancipimi dhe evoluimi.

Duhet të ndërtojmë institucione që nuk varen nga vullneti i një lideri; të edukojmë breza me mendim kritik, racional dhe shkencor; të refuzojmë autokratët që na shesin beton, spektakël dhe dekor në vend të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.

Duhet të kuptojmë se dinjiteti i një kombi matet me lirinë, sigurinë dhe mundësitë që gëzon qytetari i zakonshëm, jo me madhështinë e statujave apo lartësinë e kullave.

Derisa ky transformim të ndodhë, rrezikojmë të mbetemi ajo që kemi qenë gjatë pjesës më të madhe të tranzicionit: gjeografikisht në Evropë, estetikisht të magjepsur prej saj, por realisht shumë larg saj.

Sepse Evropa nuk është thjesht një destinacion ku duhet të mbërrijmë, por një mënyrë se si duhet të ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë tonë.

Brukseli mund të na hapë derën e BE-së, por pragun e evropianizimit duhet ta kalojmë vetë.

 

Po ndodh...