Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimum të ri historik pranë 92.4 lekëve
Kursi i këmbimit të Euros me Lekun nuk po e ndal rënien as këtë javë dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.9%. Të dhënat tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpejtuar sidomos gjatë vitit 2026.
Oferta e lartë e valutës e lidhur me sezonin veror e ka thelluar akoma një tendencë rënëse të Euros që ishte shfaqur qysh në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë e shpjegon këtë tendencë kryesisht me përmirësimet e Bilancit të Pagesave.
Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.
Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.
Ndërkohë, duke pasur parasysh tendencën e zakonshme të rritjes së prurjeve valutore në tremujorin e dytë dhe veçanërisht në atë të tretë, duket se një ecuri e tillë mund ta shpjegojë shpejtimin e zhvlerësimit të Euros në kursin e këmbimit me Lekun.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Rënia e Euros duket se po shpejtohet përsëri këtë vit, pasi ishte ngadalësuar disi vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë vazhdon të jetë e pranishme në tregun valutor, duke blerë rregullisht Euro, me qëllim për ta ngadalësuar këtë tendencë. Vetëm për tremujorin e parë, Banka Qendrore bleu rreth 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Monitor

Po ndodh...
ide
Kur pushteti ankohet se po demaskohet!
PS dhe PD kanë krijuar një ekuilibër të palëkundshëm Nash
Insistimi tek krimi, arësyeja përse kryeministri Rama duhet të dorëhiqet
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128