“U shtirën sikur po flisnin me Bashkim Ulajn”/ Ja si u mashtrua 70-vjeçari me inteligjencë artificiale dhe iu morën 100 mijë euro
Brian Serica dhe Skerdi Meta u arrestuan në Tiranë, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim pasi mashtruan një 70-vjeçar, i cili ishte pronar i një exchange-i, duke i marrë 100 mijë euro.
Mësohet se të rinjtë shkuan në biznesin e tij dje dhe i treguan në telefon sikur po bënte video-call me biznesmenin e njohur në Tiranë, Bashkim Ulaj, që shkëmbente shpesh vlera në këtë exchange.
Në video, personi i kërkoi t’ua jepte të rinjve paratë, pasi pas disa orësh ai do t’ia kthente.
Kur paratë nuk iu kthyen, sipas telefonatës, 70-vjeçari kontaktoi biznesmenin, i cili mohoi telefonatën dhe kuptoi që ishte mashtruar, duke denoncuar rastin.
Pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se video-telefonata ishte krijuar me inteligjencë artificiale.
Njoftimi:
DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër krimeve ekonomike për zbardhen e raste me pasoja në fushën e mashtrimit dhe të vjedhjes.
Në njërin prej rasteve, autorët kanë mashtruar një shtetas duke përdorur inteligjencën artificiale, gjatë komunikimit.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, si dhe nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të disa qytetarëve për raste mashtrimi dhe/ose vjedhjeje në subjektet e tyre, u finalizuan, në 24 orë, 2 operacione për zbardhjen e këtyre krimeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale. Konkretisht:
-Në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.
Këta shtetas, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70 vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e eurove, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
-Në kuadër të operacionit të koduar “Imazhi”, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, G. B., 37 vjeç, i cili dyshohet se:
-më datë 14.08.2026, ka marrë 20 000 lekë, në 2 biznese, në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke mashtruar punonjësit se ishte i njohur i pronarëve të subjekteve dhe se do t’ua kthente paratë menjëherë, ndërsa më datë 21.08.2026, ka vjedhur një çantë me 25 000 lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”.
Vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtaritë kriminale të 37-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe administratorët e subjekteve që të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit, si dhe që në asnjë rast të mos japin para ose të dhëna shtetasve të paverifikuar që i kontaktojnë në mënyra të ndryshme përfshi dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton për denoncim të menjëhershëm të çdo dyshimi, personi të dyshuar, indicieje apo rasti kur bien pre e veprave penale në këtë fushë, pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të shpejtë dhe të ngushtë mundësohet identifikimi dhe kapja e autorëve, si dhe mbrojtja e pronës dhe pasurisë së qytetarëve.
Po ndodh...
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128