Kriza institucionale në Kosovë/ PDK dhe Aleanca: Kurti po mban peng Kuvendin

Situata institucionale në Kosovë vijon të jetë në qendër të përplasjeve politike, teksa deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PDK-së, Sala Jashari, i bëri thirrje kryesuesit të seancës, Avni Deharit, që të rikthejë procesin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës.
Jashari tha se deputetët nuk duhet t’i shmangen përgjegjësisë që u kanë dhënë qytetarët, duke kërkuar vijimin e seancës konstituive.
“Mos hiqni dorë nga mandati që ju kanë dhënë qytetarët. Po ju kërkoj ta respektoni atë. Kthejuni përgjegjësisë. Kthejuni institucioneve. Kthejuni punës. Sepse Kosova ka nevojë për më shumë besim mes duarve që e ndërtojnë atë. Dhe Kosova nuk ka kohë për të pritur”, deklaroi ajo.
Deputetja e PDK-së ngriti akuza edhe ndaj Kurtit dhe LVV-së, duke pretenduar se pushteti qendror po merr gjithnjë e më shumë kompetenca dhe po tenton të zgjerojë ndikimin edhe në nivelin lokal.
“A është kjo mungesë besimi ndaj institucioneve lokale, apo është dëshirë për të pasur gjithnjë e më shumë pushtet?”, pyeti Jashari.
Ajo bëri të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet sërish kryesuesit të seancës me kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të thirret brenda 48 orëve.
Aleanca: Kuvendi po mbahet i bllokuar
Kritika ndaj LVV-së dhe Kurtit erdhën edhe nga deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu.
Ajo e akuzoi kryeministrin në detyrë se po mban të bllokuar Kuvendin, duke e cilësuar situatën si një krizë të rëndë institucionale.
“Deputeti Kurti vazhdon ta mbajë të bllokuar Kuvendin. Kosova po përballet me krizë të rëndë institucionale”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, ekziston edhe rreziku që situata e krijuar politike ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Haxhiu ngriti gjithashtu akuza lidhur me çështjen e vagonëve të trenave të dërguar për renovim në Serbi, duke e cilësuar këtë si një formë bashkëpunimi institucional me Beogradin.
“Qytetarët nuk kanë besuar kurrë se kjo Qeveri, pas disa muajsh pas vrasjes së rreshterit Enver Zymberaj, shkon në Serbi dhe rregullon vagonë”, tha ajo.
Ndërkohë, deputetja tjetër e Aleancës, Time Kadrijaj, i bëri thirrje Kurtit që të rikthehet në Kuvend së bashku me deputetët e LVV-së.
Përplasjet e fundit vijnë në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit vijon të mbetet i bllokuar, duke shtuar presionin politik mbi partitë për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale.
Po ndodh...
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128