PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD-së, mblidhet sot Sekretariati i Etikës

23 October 2026, 09:33 / POLITIKË ALFA PRESS

Mblidhet sot Sekretariati i Etikës/ PS kërkon përjashtimin e 20

Sot në orën 10:00 Sekretariati i Etikës në Kuvend do të mblidhet online për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, për përjashtimin e 20 deputetëve demokratë, pas tensioneve në seancën e djeshme në Parlament.

Për deputetët që kryesuan sulmet fizike, Noka, Këlliçin, Palokën, Krekën, Boçin e Xhaferrin, PS kërkon 2 muaj përjashtim nga Kuvendi ndërsa për 14 deputetë që bllokuan foltoren, kërkohet 10 ditë përjashtim.

Flamur Noka sulmoi fizikisht kryeparlamentarin Niko Peleshi dhe kreun e Grupit të PS, Taulant Balla, ndërsa deputeti demokrat Fidel Kreka sulmoi me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.

“Gjithashtu deputetët Belind Kelliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi, fyen dhe goditën me shishe uji deputetet e Partisë Socialiste. Siç vërehet nga pamjet filmike deputetët Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj, Bujar Rexha etj jane sulmuar dhe fyer nga këta deputete gjate procesit të votimit”, thuhet në kërkesën e PS për Etikën.

Për 14 të tjerët, kërkohet vetëm 10 ditë përjashtim, pasi roli i tyre u kufizua në bllokimin e foltores:

Deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili, Blendi Himçi kanë marrë pjese në bllokimin e foltores duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare.

Kujtojmë se pavarësisht përplasjeve të forta, në seancën plenare të ditës së djeshme u votuan 6 projektligjet e rendit të ditës dhe 3 projektvendime, mes të cilave edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Po ndodh...