Një shtet brenda shtetit, ose kur Edi Rama shpik një problem që Shqipëria nuk e kishte!
Nga Eva Idrizllari
Shqipëria nuk kishte nevojë për një shtet të ri. Aq më pak për një shtet të krijuar mbi bazë fetare, në zemër të Tiranës.
Ky është thelbi i problemit.
Bektashizmi është një nga pasuritë e historisë shqiptare. Bektashinjtë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën, arsimin dhe Rilindjen Kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, përpjekja për ta shndërruar këtë trashëgimi në një projekt shtetformues është, në këndvështrimin tim, një gabim politik dhe historik.
Sepse Shqipëria nuk është ndërtuar mbi parimin se komunitetet fetare kanë territore të tyre. Është ndërtuar mbi idenë e kundërt: një shtet, një territor dhe qytetarë të barabartë pavarësisht besimit fetar.
Dhe kjo është një nga gjërat më të çmuara që kemi.
Kushtetuta shqiptare e përcakton Republikën si shtet unitar dhe garanton lirinë e besimit. Prandaj krijimi i një entiteti që synon një status të veçantë sovran brenda Tiranës ngre pyetje serioze kushtetuese dhe politike. Edhe analiza juridike e publikuar mbi këtë nismë ka vënë në dukje tensionin me parimet e shtetit unitar, integritetit territorial dhe karakterit laik të shtetit.
Kush e kërkoi këtë?
A e kërkuan qytetarët shqiptarë?
A pati një debat kombëtar?
Nga informacionet e publikuara, nisma u bë publike nga kryeministri dhe jo si rezultat i ndonjë procesi demokratik. Një kryeministër nuk mund të zgjohet një mëngjes dhe të vendosë se një komunitet fetar do të ketë shtetin e vet. Shtetet nuk krijohen si projekte marketingu politik. Shqipëria nuk është një hartë ku kryeministri mund të vizatojë enklava.
Argumenti se ky do të jetë një lloj "Vatikani shqiptar" nuk qëndron.
Vatikani është produkt i një historie të veçantë shekullore dhe i një marrëveshjeje ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë. Nuk mund të merret thjesht si model teknik për të krijuar një shtet tjetër fetar në një kryeqytet ballkanik. Konteksti historik dhe juridik i Vatikanit është krejt tjetër.
Nëse sot krijojmë një status të veçantë për një komunitet fetar, çfarë parimi vendosim për të nesërmen?
A mund të kërkojë një komunitet tjetër një territor të veçantë?
A mund të krijohen enklava të tjera?
A do të jetë Shqipëria ende një shtet laik dhe unitar, apo do të fillojmë të ndajmë hapësirën politike sipas identiteteve fetare?
Shqipëria ka një histori që duhet ta mbrojmë: myslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë dhe ateistë që jetojnë si qytetarë të të njëjtit shtet.
Kjo është pasuria jonë.
Ne nuk kemi nevojë të krijojmë shtete fetare për të dëshmuar tolerancën fetare. Përkundrazi. Fakti që një bektashi, një mysliman, një katolik, një ortodoks apo një ateist mund të jetojë në të njëjtin shtet me të njëjtat të drejta është dëshmia më e madhe e tolerancës shqiptare.
Prandaj projekti mund të prodhojë paradoksalisht të kundërtën e asaj që pretendohet se synon.
Në vend që ta forcojë bashkëjetesën, mund ta institucionalizojë fenë si kategori territoriale e politike. Nuk na duhet një kufi i ri për të dëshmuar se dimë të bashkëjetojmë.
Problemi nuk është Baba Mondi. Problemi është precedenti politik. Kjo duhet thënë qartë, që debati të mos devijojë në konflikt fetar.
Nuk është problem të nderosh bektashizmin. Nuk është problem të mbrosh trashëgiminë e Kryegjyshatës.
Problemi fillon kur një institucion fetar merr trajtim shtetëror dhe kur territori shqiptar fillon të konceptohet si hapësirë ku mund të krijohen entitete të veçanta mbi bazë fetare.
Kritika ndaj projektit, nuk është domosdoshmërisht kritikë ndaj bektashizmit.
Është kritikë ndaj politikës së shtetëzimit të identitetit fetar.
Shqipëria nuk ka nevojë për një shtet tjetër. Ka nevojë për një shtet më të mirë.
Le ta promovojmë Shqipërinë si vend të bashkëjetesës. Por mos e copëzojmë konceptin e shtetit shqiptar për të provuar se shqiptarët dinë të bashkëjetojnë.
Forca e Shqipërisë nuk ka qenë kurrë se çdo fe kishte shtetin e vet.
Forca jonë ka qenë pikërisht se asnjë fe, nuk ka pasur nevojë për shtetin e vet.
Nëse sot politika kërkon të na bindë se toleranca fetare duhet të ketë territor, kufi dhe sovranitet, atëherë duhet të pyesim nëse po mbrojmë vërtet një traditë shqiptare, apo po krijojmë një precedent?
Shqipërisë i duhet një shtet që funksionon. Jo një shtet brenda shtetit.
Po ndodh...
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128