“Jo në emrin tim” në ditën e 18/ Mijëra qytetarë në Prishtinë kundër vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK

3 October 2026, 23:49 / KOSOVA ALFA PRESS
“Jo në emrin tim” në ditën e 18/ Mijëra

Edhe këtë të shtunë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, u mbajt protesta “Jo në emrin tim” kundër aktgjykimit dënues ndaj drejtuesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Edhe në këtë protestë pati një pjesëmarrje masive e qytetarëve.

“Kërkesa jonë e 18 dite, identiteti ynë kombëtar sot ndodhet në tavolinën e këtij Kuvendi. Gjaku i dëshmorëve, UÇK-ja sot është në tavolinën e këtij kuvendi. Ne sot kemi ardhur këtu për t’u thënë votojeni ligjin. Nuk do të mundin ta vendosin këtë ligj në bankën rezervë të politikës për politikat e tyre ditore e për pazare për president. Nuk do të ketë Kosova president të zgjedhur në krah të UÇK-së”, tha organizatori i protestës, Çlirim Haziri.

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” marshuan drejt njërës nga hyrjet e Kuvendit të Kosovës, ku kanë kërkuar votimin pa vonesë të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit lexuan një nga një emrat e 110 deputetëve të Kuvendit, duke u bërë thirrje që të veprojnë dhe ta votojnë projektligjin.

Ndërkohë, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u takua me kryeministrin Albin Kurti pasditen e të shtunës, ku pas takimit deklaroi se kërkesa e PDK-së është aprovimi final i Ligjit për Specialen dhe se në këmbim të kësaj, janë të gatshëm t’i japin votat për Presidentin.

“Pastaj Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, për të biseduar dhe gjetur zgjidhjen për presidentin edhe t’i japim votat për presidentin. Bisedat i kemi përfunduar”

Ai shtoi se nuk mund të parashikojë nëse do të arrihet marrëveshje.Hamza theksoi se çështja që PDK-ja ka ngritur për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk lidhet me nevojat e partisë, por me një çështje tjetër që, sipas tij, tejkalon PDK-në.

Takimi Kurti-Hamza vjen pasi Qeveria e Kosovës vlerësoi mbrëmë në orë të vona se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ndërkohë që afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori.

 

Po ndodh...