Fëmijët e helmuar në Korçë, policia procedon një mjeke dhe drejtoreshën e kopshtit

3 October 2026, 20:31 / AKTUALITET ALFA PRESS
Fëmijët e helmuar në Korçë, policia procedon një

Pas rastit të gjashtë fëmijëve që u paraqitën në Spitalin e Korçës me simptoma të njëjta gastrointestinale, Policia e Korçës ka nisur procedim penal ndaj dy shtetaseve, një mjekeje të Spitalit Rajonal të Korçës dhe drejtoreshës së kopshtit ku qëndronin fëmijët.

Procedimi penal nisi pasi gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale ndërsa policia bën me dije se mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar autoritetet për rastet e paraqitura në spital.

Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë i kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke në pavijonin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Korçë, dhe M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit”, njofton policia.

Më herët, Drejtoria e Shëndetit Publik në Korçë konfirmoi se disa fëmijë ishin paraqitur në repartin e Pediatrisë. Sipas drejtorit Mikel Llogori, epidemiologjia ka marrë analizat përkatëse dhe pritet përgjigjja e tyre.

Llogori theksoi se në këtë fazë nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor apo për një situatë tjetër infektive, ndërsa shkaku pritet të përcaktohet pas rezultateve të analizave.

Sipas të dhënave paraprake, gjendja shëndetësore e fëmijëve nuk raportohet të jetë e rëndë.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Po ndodh...