Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës 

19 August 2026, 15:52 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë”

Nga Indrit Gjyzeli

PD vijon të këmbëngulë sikur protesta nuk ka të bëjë aspak me të. E ngujuar në një kotësi të habitshme, nën magjinë e vetme dhe perfekte të Sali Berishës për të mbijetuar në krye të PD, shumica e demokratëve po bëjnë rolin e strucit përballë asaj që po kërkon shoqëria shqiptare- një hapje rruge që të bëhet i mundur krijimi i një koalicioni të gjerë opozitar, pa ngarkesa të së shkuarës, për të rrëzuar Ramën.

Në fakt, vetë Rama e ka lënë të kuptohet se po bën gjithçka të bindë socialistët të vijojnë me të. Është gati të ndërrojë ministra dhe drejtorë. U ka bërë ofertë njerëzve që kanë qenë të rëndësishëm në PD që t'i bashkohen, madje dhe atyre që ka sulmuar deri në pabesi morale. Ka bërë thirrje publike që të garohet nga të rinjtë për në administratë, duke nënkuptuar qartë se administrata publike që ka ndërtuar ka humbur çdo kuptim.

E vërteta është se, Rama i vitit 2026 nuk ka asnjë lidhje me Ramën e vitit 2013 që deklaronte se do ishte ai dhe vetëm ai që do jepte llogari për premtimet e pambajtura, që do kërkonte një administratë që i shërben qytetarit. Por në vend të llogaridhënies dhe mbajtjes përgjegjësi, ai i ka shitur publikut "njerëz që hanë kumbulla e dardha pas shpine", si dhe ka fajësuar pafundësisht kundërshtarët dhe qytetarët, që sipas tij, po i bien më kot në qafë.

Asnjë fjalë për katrahurën e tenderëve, rrugëve që prishen sikur të jenë me bukë peshku, me inceneratorë veç në letër dhe me lekët e firuara. Ai është kryeministri me gjysmën e miqve në qeli nën aluza për korrupsion. Të mos flasim pastaj për gënjeshtrat për punësimin, për ujin 24 orë, apo për paratë e fermerëve që bëhen hotele. E megjithatë, ai vazhdon i qetë, me një kundërshtar si Berisha që nuk ka ndërmend të lexojë refuzimin popullor. 

Shkurt, kjo tango politike që kërcehet mbi kurrizin e shqiptarëve, po kërkon të luajë të njëjtën muzikë edhe me protestën. 

Duhet pranuar, që përpjekja e Berishës për t'i dhënë ngjyrën e vet protestës dhe instalimi i frikshëm i shpifjeve dhe sajesave ndaj krerëve të protestës nga makineria e propagandës e qeverisë, kanë rrudhur momentalisht numrin e protestuesve. Por, të dy e dinë se, protesta i ka shkarkuar nga mbështetja popullore, ndaj dhe çdo këmbëngulje e Berishës dhe Ramës për të mos e lexuar zemërimin popullor, që është mijëra e mijëra herë më shumë se sa protesta, thjesht i kalbëzon politikisht. 

Në këtë rrëzim popullor të Ramës e Berishës, çudia është te heshtja e pamatë që ndodh në PD, pasi qartazi ata që nuk flasin po firmosin vdekjen e partisë përpara se Zoti të ketë vendosur ta marrë në botën tjetër kreun e tyre./Alfapress.al

Po ndodh...