Jo për mikrofonin dhe kamerat, as për grupe dhe parti: Ja pse po protestoj dhe pse do të vazhdoj të protestoj

25 August 2026, 19:36 / IDE NGA BESMIR SEMANAJ
Jo për mikrofonin dhe kamerat, as për grupe dhe parti: Ja pse po

Nga Besmir Semanaj

Po protestoj për një mori skandalesh që janë grumbulluar gjatë këtyre 34 viteve të pseudo-demokracisë.

Nuk po protestoj për mikrofonin.

Nuk po protestoj për kamerat.

Nuk po protestoj për ndonjë grup apo parti që është në shesh.

Po e them troç: As përplasjet, as debatet, as sjelljet e grupeve të ndryshme në shesh nuk më ndikojnë dhe nuk do të më ndikojnë. Nuk jam aty për asnjërën prej tyre.

Jam aty për arsyet e mia.

Po protestoj sepse jam qytetar dhe besoj që në një shtet normal, pushteti duhet të japë llogari.

Mjafton të kujtojmë disa nga skandalet më të mëdha që kanë shoqëruar këto vite: Gërdeci, 21 Janari, CEZ, dosjet 339 dhe 184, inceneratorët, koncesionet dhe PPP-të, skandali McGonigal, patronazhistët, skandalet me tenderat publikë dhe abuzimet me fondet e shtetit.

Si njeri që punon në IT, më shqetësojnë veçanërisht ato që prekin teknologjinë, të dhënat dhe mënyrën se si shteti përdor sistemet digjitale.

Kemi parë rrjedhjen masive të të dhënave personale të qytetarëve, publikimin e të dhënave sensitive, problemet me sistemet shtetërore dhe sigurinë kibernetike, kontratat e majme të digjitalizimit, si dhe mënyrën se si teknologjia është përdorur për të mbledhur, përpunuar dhe kontrolluar të dhëna për qytetarët.

Problemi është shteti. Prandaj protestoj.

Jo sepse dua një vend në tribunë. Jo sepse dua një mikrofon. Jo sepse dua të bëhem pjesë e ndonjë grupi.

Protestoj sepse nuk dua të normalizohet skandali. Nuk dua që çdo aferë të harrohet pas disa ditësh. Nuk dua që përgjegjësia të zhduket mes deklaratave politike. Nuk dua që qytetari të jetë ai që paguan gjithmonë faturën.

Dhe mbi të gjitha, nuk do të lejoj që përplasjet në shesh, provokimet apo sjelljet e individëve të më largojnë nga arsyeja për të cilën kam dalë. Asnjëra prej tyre nuk më ndikon dhe nuk do të më ndikojë.

Unë nuk jam në shesh për ata.

Jam në shesh për veten time, për familjen time dhe për Shqipërinë. Besoj se kështu duhet të mendojë çdo qytetar.

Të dalë jo për një parti.

Jo për një lider.

Jo për një grup.

Të dalë për veten. Për familjen e tij. Për të ardhmen e fëmijëve të tij. Për vendin ku jeton. Nëse secili prej nesh pret që dikush tjetër të dalë, të flasë dhe të protestojë në vendin tonë, atëherë asgjë nuk ndryshon.

Unë do të vazhdoj të protestoj. Edhe kur nuk ka kamera. Edhe kur nuk ka mikrofon. Edhe kur nuk më duartroket askush. Sepse protesta ime nuk është për mikrofonin.

Është për parimin.

Dua një Shqipëri ku ligji vlen për të gjithë, ku të dhënat e qytetarëve mbrohen, ku paratë publike kontrollohen dhe ku pushteti ka frikë nga qytetari, jo qytetari nga pushteti.

Po ndodh...