“Serbët po mobilizohen”, Dioguardi: Nëse Kosova s’ka president, ka marrë fund

25 August 2026, 19:47 / KOSOVA ALFA PRESS
“Serbët po mobilizohen”, Dioguardi: Nëse Kosova s’ka

Këtë të martë, në Prishtinë, me një seminar u festua 37-vjetori i themelimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ku themeluesi i kësaj lige, Joe DioGuardi, tha se ka qenë shumë e vështirë të merresh me çështjen shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. DioGuardi tha se arsyeja që ka kandiduar për t’u bërë kongresist ka qenë pikërisht çështja shqiptare, pasi njerëzit e saj nuk mund ta kishin zërin e tyre.

Një nga arsyet pse kandidova për Kongres ishte se po shqetësohesha gjithnjë e më shumë, nisur nga edukimi im katolik, që ky grup njerëzish të pafajshëm nuk mund të fliste për veten. Prandaj duhej të flisja unë për ta në Uashington. Sot më quajnë, së bashku me Shirley-n, babai dhe nëna e Kosovës. Nëse nuk do të kisha kandiduar për Kongres, ndoshta sot nuk do të kishte Kosovë. A e kuptoni këtë, apo po e ekzagjeroj?”

Miku i madh i Kosovës tha se njerëzit nuk do ta shohin kurrë këtu nëse ai kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa u zgjedhur një president. DioGuardi po ashtu paralajmëroi klasën politike se duhet të shohë se serbët po mobilizohen, teksa tregoi edhe se çfarë mesazhi do t’ia përcjellë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kur ta takojë.

“Jam këtu sepse, Zoti na ruajt, nëse kthehem në Shtetet e Bashkuara dhe ne nuk kemi një president për Kosovën... Zoti na ruajt! Nuk do të më shihni kurrë të kthehem këtu nëse establishmenti politik – po flas për establishmentin politik tani, jo për njerëzit, jo për sistemin e drejtësisë – po flas për njerëzit që janë në krye politikisht këtu në Kosovë. Nëse nuk e shihni se çfarë po troket në derë tani, serbët po mobilizohen... Nuk e kisha menduar kurrë se do të riktheheshin në këtë mënyrë, por po rikthehen. Erdha këtu për t’u siguruar që Kosova të mos marrë fund. Por nëse nuk kemi një president nesër, Kosova ka marrë fund! Serbët po merren me këtë çështje pikërisht tani. Dhe u bëj thirrje të gjithë politikanëve të bëjnë kompromiset e nevojshme. Dhe shpresoj që t’ia përcjellim këto fjalë kryeministrit nesër, ose sot – nuk e di kur, nuk e di më as orarin tim.”

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael organizuan sot seminarin “Një Premtim i Mbajtur: AACL dhe Rruga e Kosovës Drejt Lirisë dhe Pavarësisë”, në shenjë nderimi për 37-vjetorin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacionit Qytetar Shqiptaro-Amerikan. 

Po ndodh...