Dhjetëra miliarda dollarë të ardhura në vit! Kush po e blen naftën iraniane?

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi të hënën një “D-Day ekonomik” për vendet që blejnë naftë nga Irani. Ekspertët thonë se kjo deklaratë i referohet mbi të gjitha një vendi: Kinës.
Bessent nuk e përmendi drejtpërdrejt Kinën, por la pak hapësirë për dyshime. “Ne e dimë kush janë. Edhe ata e dinë kush janë”, tha Bessent, duke shtuar se SHBA-ja po zhvillon diplomaci të qetë dhe po i komunikon çdo vendi pritshmëritë e saj.
Kërcënimi amerikan mund ta vendosë Kinën në qendër të vëmendjes, por pasojat mund të shtrihen në të gjithë botën, përfshirë konsumatorët amerikanë, të cilët mund të përballen me rritje të kostove të energjisë, përcjell A2 CNN.
Irani besohet se ka eksportuar rreth 3,9 deri në 4,2 miliardë dollarë naftë vetëm në shtator 2025, sipas një analize. Pjesën dërrmuese të saj e blen Kina, konsumatori më i madh i energjisë në botë.
Sipas Komisionit Ekonomik dhe të Sigurisë SHBA-Kinë, blerjet kineze përbëjnë rreth 90% të naftës së eksportuar nga Irani, duke i siguruar Teheranit dhjetëra miliarda dollarë të ardhura në vit, të cilat mbështesin buxhetin e qeverisë dhe aktivitetet ushtarake.
Megjithatë, njoftimi i së hënës ishte më shumë një “goditje paralajmëruese”. Bessent nuk shpalli masa të gjera kundër ndonjë shteti të caktuar, megjithëse SHBA-ja sanksionoi disa individë dhe subjekte.
Ministria e Jashtme kineze reagoi duke thënë se sanksionet dhe presioni nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve dhe vetëm çojnë në përshkallëzim. Zëdhënësi i saj, Lin Jian, paralajmëroi gjithashtu se Kina do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj.
Kina ka ulur importet nga Irani
Rreth 38% e naftës dhe 23% e gazit natyror të lëngshëm të Kinës kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej pikave kryesore të luftës me Iranin.
Kina tashmë ka reduktuar importet e naftës iraniane. Para luftës, importet e naftës bruto iraniane arrinin mesatarisht rreth 1,4 milionë fuçi në ditë, ndërsa muajt e fundit kanë rënë në rreth 700 mijë fuçi në ditë.
Sipas analistëve, kjo lidhet me uljen e aktivitetit të rafinerive dhe përdorimin e rezervave të naftës në territorin kinez.
“Ndalimi i plotë i importeve të naftës bruto iraniane do të kishte ndoshta një ndikim të kufizuar të menjëhershëm në sigurinë energjetike të Kinës”, tha Tianyue Hu, analist në Rystad. Sipas tij, importet nga Irani tashmë kanë rënë ndjeshëm dhe Kina disponon ende rezerva relativisht të mëdha.
Megjithatë, sanksionet e reja mund të përkeqësojnë më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Uashingtonit dhe Pekinit.
India dikur ishte një blerëse e madhe
Kina nuk është i vetmi vend që ka importuar naftë iraniane. India dikur ishte një prej blerësve kryesorë të naftës së Iranit, por i ndërpreu importet në vitin 2019 për shkak të sanksioneve amerikane.
Dy vendet vazhduan të kenë një marrëdhënie tregtare prej rreth 1,1 miliardë dollarësh nga prilli deri në dhjetor 2025, kryesisht për produkte si orizi dhe sheqeri. Megjithatë, në prill të këtij viti, India bleu përsëri një ngarkesë nafte iraniane, në kushtet e një krize energjetike.
“Ujërat janë të turbullta”
Është e vështirë të përcaktohet se sa ndikim mund të kenë sanksionet amerikane ndaj Kinës apo vendeve të tjera që varen nga nafta iraniane.
Edhe analistët e Wall Street nuk kanë arritur të marrin një shifër të qartë për sasinë e naftës që po kalon aktualisht përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, përdorimi i “flotave fantazmë” e bën edhe më të vështirë gjurmimin e tregtisë iraniane të naftës. Këto janë anije që fshehin pronarët, origjinën dhe destinacionin e ngarkesave.
Platforma e gjurmimit të anijeve Kpler vlerëson se trafiku i flotave fantazmë përbënte rreth 50% të qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit javët e fundit, nga rreth 12,5% një muaj më parë.
Por mungesa e qartësisë mbi rrjedhën e naftës prek të gjithë tregun global.
Rezervat e mëdha të naftës ndihmuan që bota të shmangte një mungesë të rëndë energjie pas nisjes së luftës me Iranin në shkurt. Ndërkohë, armëpushimet periodike kanë shkaktuar rënie të çmimeve të naftës, të cilat janë rritur sërish sa herë që marrëveshjet kanë përfunduar ose janë shkelur.
Konsumatorët amerikanë po e ndjejnë tashmë efektin e çmimeve më të larta. Çmimi mesatar kombëtar i benzinës në SHBA është aktualisht 1,08 dollarë për litër, krahasuar me 0,83 dollarë një vit më parë, sipas AAA. “Askush nuk është jashtë shtrirjes së sanksioneve amerikane”, tha Bessent.
Megjithatë, ai nuk përcaktoi një afat se kur mund të ndërmerren masa të reja. “Unë nuk do të vendos afate, por durimi ynë nuk është i pafund”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara muajin e ardhshëm, në një moment kur marrëdhëniet mes dy fuqive ekonomike janë sërish nën tension. (A2 Televizion)
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128