Lajme flash

500 mijë lekë në këmbim të votës për Berishën, detaji që tradhëtoi 38-vjeçarin në Lushnjë

14 Prill 2025, 10:25 / POLITIKË ALFA PRESS

500 mijë lekë në këmbim të votës për

Katër ditë nga nisja zyrtarisht e fushatës elektorale për 11 majin, shënohet arrestimi i parë për korrupsion aktiv në zgjedhje. Një 38-vjeçar nga Lushnja, i identifikuar si Marin Leka, ka rënë në prangat e bluve pasi i kishte premtuar 500 mijë lekë të vjetra një qytetari në këmbim të votës për Partinë Demokratike të Sali Berishës, i cili në këto zgjedhje garon me 26 aleatë.

Mësohet se në momentin e arrestimit, Marin Lekës i është gjetur në xhep karta e identitetit të personit që i kishte premtuar paratë në këmbim të votës për PD-në e Berishës.

Kallëzimi është bërë nga Muharrem Toska, i cili ka deklaruar në Policinë e Fierit se 38-vjeçari Martin Leka i ka kërkuar kartën e identitetit dhe i ka premtuar një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetra për të votuar subjektin politik PD.

Uniformat blu pasi kanë arrestuar Marin Lekën, i kanë gjetur në xhep kartën e identitetit të kallëzuesit.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje" dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025", thuhet në njoftimin e policisë. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

 

Po ndodh...