Ambasada amerikane në Tiranë, nuk e fton Berishën në festën e Pavarësisë, VanHorn: Miqësia mes dy vendeve më e fortë se kurrë

17 Qershor 2026, 21:47 / POLITIKË ALFA PRESS
Ambasada amerikane në Tiranë, nuk e fton Berishën në

Në një atmosferë festive dhe simbolike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë organizoi pritjen me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, ku e Ngarkuara me Punë, VanHorn, vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe sakrificat e atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe demokracinë. Pritja u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë të ftuar të shumtë nga të gjitha partitë, media, akademike, shoqëri civile etj. Ajo që ra në sy ishte mungesa e kreut të PD, Sali Berisha, ndërkohë që nuk munguan drejtues të tjerë të kësaj force politike. Ndryshe nga sa ishin rritur pritshmëritë për ndjekësit e Berishës, kreu i PD nuk ka pasur një ftesë zyrtare nga ambasada amerikane, pasi edhe pse ju bë një përjashtim për të udhētuar në SHBA, dizejimi "Non Grata" vazhdon të jetë në fuqi dhe kjo mund të verifikohet në çdo moment në faqen zyrtare të DASH.

Në fjalën e saj, VanHorn falënderoi autoritetet shqiptare, trupin diplomatik, të ftuarit e pranishëm, duke e cilësuar përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara si një moment historik me rëndësi të veçantë.

“Më 4 Korrik 1776, një grup vizionarësh amerikanë i deklaruan botës se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, me të drejtën për jetë, liri dhe kërkimin e lumturisë. Për 250 vjet, këto ideale kanë frymëzuar jo vetëm amerikanët, por edhe popujt që kanë aspiruar të jetojnë të lirë”, u shpreh ajo.

Diplomatja amerikane vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë nga izolimi dhe diktatura drejt demokracisë dhe integrimit euroatlantik, duke e cilësuar atë si një nga historitë më të rëndësishme të suksesit në kohët moderne.

“Shqiptarët e njohin mirë dëshirën për liri. Udhëtimi i këtij vendi nga shtypja drejt demokracisë dhe aleancës perëndimore është një histori frymëzuese, e ndërtuar mbi guximin dhe sakrificën e qytetarëve të tij”, tha VanHorn.

Një moment i veçantë i fjalimit iu kushtua kujtimit të dy punonjësve shqiptarë të Ambasadës Amerikane, Loni Adami dhe Kol Kuqali, të cilët humbën jetën gjatë regjimit komunist pasi refuzuan të dëshmonin në mënyrë të rreme kundër Shteteve të Bashkuara. VanHorn tregoi se së fundmi kishte takuar pasardhësit e tyre dhe e cilësoi qëndrueshmërinë e familjeve të tyre si një dëshmi të besimit të palëkundur tek liria dhe miqësia shqiptaro-amerikane.

“Besimi i tyre se një ditë Shqipëria do të ishte e lirë dhe e lidhur me Shtetet e Bashkuara mbetet një frymëzim për të gjithë ne”, theksoi ajo. Në fjalën e saj, diplomatja amerikane nënvizoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e sigurisë, ekonomisë, arsimit dhe promovimit të vlerave demokratike.

Ajo falënderoi të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë në forcimin e kësaj marrëdhënieje, nga ushtarakët dhe forcat e emergjencës, te arsimtarët, sipërmarrësit, gazetarët dhe drejtuesit e komuniteteve. “Lidhja jonë është sot më e fortë se kurrë. Faleminderit për partneritetin tuaj, për mikpritjen legjendare shqiptare dhe përkushtimin ndaj vlerave që ndajmë”, u shpreh VanHorn.

Duke ngritur dollinë në fund të ceremonisë, ajo përcolli një mesazh optimizmi për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Gëzuar 250 vjet liri dhe shumë të tjera që do të pasojnë. Gëzuar ditëlindjen e 250-të të Amerikës dhe Gëzuar Katër Korrikun!”, përfundoi diplomatja.

Po ndodh...

ide