Artikulli me bashkautorë Rama–Vuçiç, më shumë se dy shtetet, përfaqëson interesat e dy liderëve

28 Shkurt 2026, 15:46 / POLITIKË ALFA PRESS

Artikulli me bashkautorë Rama–Vuçiç, më shumë

Studiuesi dhe politologu i njohur, Afrim Krasniqi ka reaguar në lidhje me publikimin e një artikulli të përbashkët mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Krasniqi shkruan se ky artikull, përfaqëson me shumë interesat e dy liderëve sesa të vendeve.

Postimi i plotë i Afrim Krasniqi: 

Artikulli me bashkëautorë Rama–Vuçiç më shumë se dy shtetet përfaqëson interesat e dy liderëve përkatës shtetërorë dhe pasqyron qasjen, sipas të cilës, kur ke refuzime, kritika, probleme dhe mungesë ftesash perëndimore, ofron vullnetarisht diçka që të tjerët mund të dëgjojnë. Kur kryeministri i Shqipërisë e Presidenti i Serbisë bëjnë artikull të përbashkët kjo krijon kuriozitet e vëmendje. Duket ide trendi letra e dy drejtuesve shtetërorë nga një rajon problematik në Europë.

Nuk është një deklaratë angazhimi se do ketë reforma, do respektohet drejtësia, do ketë akte antikorrupsion, do të ketë rritje të indeksit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, do respektohet liria e medias dhe protesta, do të ketë forcim të institucioneve të garancisë dhe largim nga kulti i individit apo njësimi i partisë me shtetin. Apo për rastin serb, se nuk do të ketë më sulme ndaj Kosovës. Jo, asnjëra. Ata shkruajnë për diçka tjetër, krejt personale për ta. Në shkrimin e përbashkët në thelb ofrohet teza “na pranoni siç jemi” dhe “duam të jemi në BE, por të mos sillemi me të drejtat dhe përgjegjësitë e BE-së”. Duket trendi edhe kur vende që duan të hyjnë në BE heqin dorë vullnetarisht nga të drejtat e sotme të anëtarëve të BE, në shkëmbim të një oferte që më shumë forcon stilin e tyre autoritar brenda vendit sesa e afron vendin e tyre me BE.

Për rastin tonë (shqiptar) pyetja është: cili është ai institucion ose organ që ka vendosur që Shqipëria të heq dorë nga përfaqësimi i barabartë në të ardhmen në BE, e drejta e votës dhe komisionerit? Cili është institucioni që ka vendosur që Shqipëria të lobojë bashkë me Serbinë për pranimin në BE? Cili është ai institucion që ka vendos që raportet Tiranë – Beograd të zhvillohen pa marrë në konsideratë Prishtinën, dhe që injoron edhe rezolutën tonë të parlamentit lidhur me krimet në Kosovë apo sulmin e fundit (2023) kundër Kosovës? Cili është motivi dhe interesi shtetëror që Shqipëria zyrtare t’i bashkëngjitet kërkesave dhe opsionit serb në procesin e anëtarësimit në BE dhe që fatet tona në raport me BE të ndërlidhen me Beogradin?

Natyrisht Rama autor, komentator, piktor, sportist, socialist, individ politik dhe qytetar është i lirë të shkruajë dhe propozojë gjithçka që mendon, sic e ka bërë edhe në të kaluarën, nga “letrat nga ferri” te “Kurbani”, por Rama kryeministër ka kufizime, përgjegjësi, detyrime institucionale e kushtetuese, përfaqëson shtetin dhe Shqipërinë, - gjithçka që thotë, shkruan e propozon lidhet me të sotmen dhe të ardhmen e shtetit shqiptar në raport me të tjerët, - një status që ai vazhdimisht e injoron.

Natyrisht letra, propozimi dhe përpjekja e sforcuar nuk ka dhe nuk mund të ketë sukses. Historia e “Open Balkan” është shembull ilustrues për këtë. BE ka 1000 probleme e mangësi, por në një linjë është e qartë: vendet kandidate duhet të plotësojnë standardet bazë të shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale, integritetit institucional dhe partneritetit të besueshëm. Kush i plotëson merr ftesë, kush nuk do ose dështon, rri aty ku është, në listën e fundit, në reshtin e fundit dhe në faqen e fundit. Dhe shpesh, edhe duke u përballur me të drejtë me llogaridhënien e përgjegjësitë jo vetëm politike, por edhe ligjore.

P.s. Shenjë? Edhe në konkurrencën e lajmit diplomatik nuk dha efekt, situata në Lindjen e Mesme është lajm botëror, përfshirë edhe në FAZ, edhe te mediat e liderit e rajonit tonë.

Po ndodh...

ide